KRAHASIMI/ Fabula e lopëve të Telos, te mbetja e vendit pa Gjykatë Kushtetuese

Pjesë e paketës ankimtare e njëherësh akuzuese të opozitës e cila ka çuar në vendimarrjen ekstreme të lënies së mandateve, është dhe lënia e vendit pa Gjykatë Kushtetuese.

Ky precedent, ardhur nga vettingu, i është faturuar Ramës si nga PD e si nga LSI, por tangent dhe nga presidenti Meta.

Gazetari Armand Meta i JavaNews, i ka kushtuar një zbërthim këtij rasti, ku shkruan se            “opozita pretendon se përgjegjësia për mungesën e Gjykatës Kushtetuese është e mazhorancës socialiste. Në të vërtetë, gjërat janë shumë më ndryshe dhe shkaku real i këtij boshllëku institucional janë pasojat e Reformës në Drejtësi, që është në zhvillim e sipër, e cila është votuar edhe nga opozita. Në fakt, të dy gjykatat kanë mbetur pa gjyqtarët e nevojshëm për të funksionuar, pasi janë rrëzuar nga vetting”.

Këtë shpjegim të japin dhe juristë apo konstitucionalistë afër reformës, të cilët thonë se pasojat e vettingut kanë qenë të paparashikueshme në këtë rast. Sepse – thonë ata – Reforma në Drejtësi që aplikon Shqipëria, është e para në llojin e vet në nivel edhe global apo historik, gjë e cila ka nxitur edhe ekspertë të shumë vendeve që t’i qasen për ta studiuar e marrë si rast. Mu për këtë arsye, ajo ka prodhuar dhe aksidente siç është ajo e mbetjes pa Gjykatë Kushtetuese. Por siç thonë edhe ndërkombëtarët përpos kryeministrit, kjo është një “gjendje e përkohshme”.

Ky togfjalësh – “gjendje e përkohshme”, të kujton fabulën e “zëvëndësimit të lopëve të vjetra” nga ana e Telos te “Njeriu i mirë”. Teloja, i transferuar në Mollas nga një komplot me sfond ndjenja e interesa nga ana e Kiço Pelës, punon me zell për të rritur rendimentin e lopëve, e ku arritjet ishin të dukshme, por gaboi kur u nxitua në zëvëndësimin e lopëve të vjetra. “Kjo është një gjendje e përkohshme”, i tha Teloja Kiços, në një përballjeje në stallë. Po kjo tezë u përdor dhe nga Vera, e dashuruar marrëzisht me agrononim Telo, kur i vëllai, Kiçoja, desh t’i kujtonte proçkën që kish bërë kolegu që nuk desh ta kishte dhe dhëndër.

Pra, fabula është e tillë: Teloja gaboi, por në finale rezultati qe pozitiv. Kjo bëri që ai nga Mollasi të emërohej në Tiranë me një detyrë të lartë në ministri, pas së cilës iu kthye dhe dashuria e humbur për një fare kohe, jo nga lopët por nga “dajoja me Ballin”.

Duke iu kthyer mbetjes së vendit pa Gjykatë Kushtetuese, ku përgjegjësia është marrë dhe nga ndërkombëtarët, tutorët e Reformës në Drejtësi, në parim nuk është as faji i Ramës e as i opozitës, ose është i dy palëve pasi që të dyja e votuan reformën, e cila, siç po shihet, ka dhe kostot e veta, si çdo gjë në herën e parë. As Teloja nuk do e bënte për herë të dytë gabimin me lopët e vjetra! /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts