728 x 90 Leaderboard

Kosova si Shqipëria: nuk po jua di kimetin pasurive të shumta natyrore

Nga Bashkim Kastrati

Kosova konsiderohet se është një vend që ka shumë potencial për të tërhequr investitorët e huaj, pasi që ka resurse të ndryshme nëntokësore dhe mbitokësore. Konkretisht sektori energjetik, miniera, transport dhe telekomunikacion, industria përpunuese dhe turizmi janë vetëm disa nga sektorët me më potencial të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, në të cilët investitorët ndërkombëtarë do të mund të investonin.

“Ferronikeli”, “Trepça”, “Sharrcemi”, “Llamkosi”, “Fabrika e Tubave”, industria e gomës “Ballkani”, janë vetëm disa kompani, të cilat hyjnë në kategorinë e industrisë së rëndë.

Zhvillimi i këtyre sektorëve, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës po konsiderohet si mundësi e rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja, rritjes së aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës, rritjes së eksportit dhe zvogëlimit të deficitit tregtar.

Banka Botërore kishte vlerësuar se vetëm rezervat minerare të Kosovës, vlejnë 13.5 miliardë euro. Rezervat e plumbit dhe zinkut thuhet se janë më pak se 7, nikelit dhe kobaltit deri në 13.3 milionë tonelata, xehja e boksitit 1.7 milionë tonë kurse për rezervat e magnezit thuhet se mund të arrijnë deri 5.4 milionë tonë edhe pse sipas disa vlerësimeve tjera këto arrijnë deri 8 milionë tonë. Përveç kësaj në Kosovë eksploatohen edhe xehet e argjendit, hekurit, e gjithashtu edhe mineraret e rralla si indiumi, kadmiumi, germaniumi, taliumi dhe galiumi.

Edhe pse nuk janë bërë kërkime të mjaftueshme, njihen edhe gjetjet me ar, platin dhe bakër. Gjithnjë sipas studimeve serbe mendohet se 60% e resurseve natyrore dhe pasurive gjenden në territorin e Kosovës. Përveç qymyrit që sipas shënimeve te deri tashme janë mbi 20 miliardë tonelata (thuhet se tëre regjioni shtrihet mbi qymyr), në Kosovë gjenden edhe elemente shumë të shtrenjta strategjike si kadmiumi, kobalti, nikeli etj.

Kosova gjithashtu mund të tërheq investitorë edhe në fushën e turizmit. Vendet si Brezovica është, apo Bjeshkët  e Sharrit paraqesin një potencial të madh të turizmit malor, përkatësisht zhvillimit të skijimit. Në anën tjetër potencial të madh paraqesin edhe Bjeshkët e Rugovës, Bjeshkët e Istogut, Prevalla etj.

Por tash e sa vite gjithë këto resurse kanë mbetur të pashfrytëzuara, pasi që investitorët e huaj për shkaqe nga me të ndryshmet nuk vijnë për të investuar kapitalin e tyre në Kosovë. Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, por edhe hulumtimeve nga organizatat vendore, pengesat kryesore kanë të bëjnë me nivelin e lartë të korrupsionit, sistemin e brishtë të drejtësisë dhe jostabilitetin me energji elektrike.

Gjithashtu është raportuar se disa nga investitorët kanë ikur nga Kosova pasi që atyre i është kërkuar ryshfet për të investuar në Kosovës. E nga kjo kanë përfituar Maqedonia dhe Serbia, të cilat u kanë ofruar kushte më të mira dhe përparësi të shumta sa i përket shfrytëzimit të tokës dhe taksave, sidomos në vitet e para investimit.

Gjithashtu gjatë këtyre viteve nuk është bërë sa duhet për promovimin e Kosovës dhe resurseve që i posedon Kosova. Para disa viteve një kompani izraelite ka marrë rreth pesë milionë euro për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, por nga ky investim nuk u pa gjë, nuk u vërejt ndonjë përmirësim.

E çka është më e keqja, në vitet e ka pasur rënie të vazhdueshme të investimeve në Kosovë, krahasuar me vitin 2008.

Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si mjete të domosdoshme për zhvillimin ekonomik, këto investime kanë shënuar rënie përgjatë viteve në Kosovë. Derisa në vitin 2008, investimet e huaja ishin 355 milionë euro, në vitin 2017 investimet e huaja nuk ishin më shumë se 280 milionë euro.

Ndryshe, sipas Ligjit për Investime Strategjike vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori. Prioritet në përzgjedhjen e projekteve për të fituar statusin e investimit strategjik, sipas këtij ligji ju jepet projekteve me vëllim më të madh investimesh dhe të cilat gjenerojnë më shumë vende pune. /tesheshi.com/

 

Related posts