Kosova shënon rritje ekonomike, por kjo nuk mjafton

Nga Bashkim Kastrati

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe kryeministrit Isa Mustafa, rritja ekonomike e Kosovës është më e larta në rajon, ajo sillet rreth 4 %. Por sa ndikon kjo rritje ekonomike në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Ekspertët e ekonomisë thonë se nuk mund të flitet për krahasime me vendet e rajonit, pasi që vendet e rajonit e kanë Bruto Produktin Vendor më të lartë se Kosova.

Rritja ekonomike është rritja e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.

Aktualisht në Kosovë, konsumi, rritja e investimeve të jashtme, remitencat, llogariten se do të kenë kontributin kryesor në rritjen ekonomike.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se Kosova ballafaqohet me probleme ekonomike si deficiti i lartë tregtar, papunësia e lartë dhe investimet e huaja jo të mjaftueshme. Ai këto i tha në punimet e samitit dyditor “Stabiliteti financiar rajonal në rrethana të ndryshueshme globale”, që është mbajtur në Beçiq të Malit të Zi.

Hamza, gjithashtu, ka folur edhe për rritjen ekonomike duke thënë se është ndër më të lartat në rajon.

“Se në Kosovë kemi një rritje ekonomike ndër më të lartën në rajon,e cila sillet mesatarisht, prej 3.8% – 4 %, e cila si rritje duket e lartë por për një ekonomi të vendit tonë bazuar në zhvillimin ekonomik të saj nuk mjafton”, ka shtuar Hamza.

Edhe përfaqësues nga Banka Botërore (BB) në Kosovë, vazhdimisht kanë vlerësuar se rritja ekonomike e viteve të fundit është pozitive, por e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.

Në raportin e zhvillimeve makroekonomike të publikuara ditë më parë nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, thuhet se rritja e prej 3.5 për qind do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme.

Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë socio-ekonomike të Kosovës, duhet që të ketë rritje më të madhe ekonomike në mënyrë që ajo të ndjehet nga qytetarët e Kosovës të të gjitha shtresave sociale.

Prandaj me këtë rritje ekonomike nuk mund të jetë i kënaqur dhe nuk duhet që të krenohet askush, sepse rritja prej 3.7 për qind nga një buxhet që ka Kosova me rreth 1.4 miliardë euro, është shumë e vogël dhe e pamjaftueshme për mirëqenien e qytetarit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për vitet 2016-2021, të aprovuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet se kryefjala e strategjisë, është rritja ekonomike në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, si dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm.

Duhet të ketë rritje prej 8 për qind

Sipas njohësve të fushës së të ekonomisë, një përmirësim i mundshëm ekonomik në Kosovë mund të ndodh vetëm pasi rritja ekonomike vjetore të arrijë mbi tetë për qind. Ata vlerësojnë se për të frenohet thellimin e hendekut të papunësisë, i nevojitet një rritje ekonomike prej 7 deri në 8 për qind, e që është shumë vështirë të arrihet.

Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se Republika e Kosovës ka problem të mëdha ekonomike dhe se sipas statistikave zyrtare papunësia kap shifrën e mbi 35%, dhe trendi pozitiv i investimeve të huaja ka rënë dukshëm dhe për këtë janë fajtor pikërisht institucionet vendore, ligji mbi investime nuk është I favorshëm dhe kriza politike ku për çdo ditë Kosova është raport I ndonjë medie si vend I destabilizuar.

“Për të pas një stabilitet të zhvillimit ekonomik Kosova duhet të ketë rritje vjetore prej më së paku 8% në vit. Shteti duhet të hartojë politika më favorizuese për të rritur mirëqenien ekonomike, orientimi dhe mbështetja me grande për bujqësinë është hap i domosdoshëm, gjithashtu duhet që të ketë edhe luftim të informalitetit, korrupsionit, fuqizimin e gjykatave, uljen e kamatave enorme dhe vdekjeprurëse për bizneset e reja, pastaj pauza të tatimeve për bizneset fillestare etj’, thotë ekonomisti Beqiri.

Konsumi dhe rritja e investimeve të jashtme, llogariten se do të kenë kontributin kryesor në rritjen ekonomike. Në Kosovë konsumi ka arritur në rreth 6 miliardë euro, prodhimi vjetor është 5.5 miliardë euro, kurse dallimin në mes shumës së konsumit dhe vlerës së prodhimit vendor e kanë mbuluar remitencat e mërgimtarëve. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts