Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Kosova, përse ka 16 vjet që i ikin dritat? – dhe pas lirisë, i duhet të fitojë dhe energjinë!

 

 Nga Shkëlzen Rrecaj

Edhe pse kanë kaluar plot 16 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, problemeve të furnizimit me energji elektrike nuk po i shihet fundi. Shumë qytete dhe fshatra vazhdojnë edhe më tutje të ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike madje edhe me orë të tëra.

20140413142021152646

Kosova njihet si vend me potencial të mjaftueshëm për prodhimin e energjisë elektrike, që nënkupton se fare lehtë do të mund të furnizonte jo vetëm shtetin më të vogël në Ballkan, por edhe të eksportonte në vende të tjera të rajonit. Mirëpo pavarësisht këtij potenciali dhe investimeve milionëshe në renovimin e kapaciteteve ekzistuese, të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, akoma sot e kësaj dite nuk kemi një stabilizim të situatës energjetike në vend.

Por si është historia e premtimeve të pambajtura në sektorin e energjisë në Kosovën e pasluftës?

Sektori i energjisë ka qenë prej më të përfolurve që prej krijimit të Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse në vitin 2000. Në vitin 2006, qeveria pati premtuar se ka planin strategjik për periudhën 2005-2015, në bazë të të cilit është paraparë dhe ndërtimi i një termocentrali të ri.

08_03_2015_9450117_Termocentrali_Kosova_B

Në aspektin afatgjatë ishte parashikuar ndërtimi i kapaciteteve të reja, disa hidro dhe termocentrale më të vogla, të cilat do t’ia shtonin kapaciteve të tanishme 1400 – 1800 MË. Mirëpo me ndërrimin e qeverisë, në vitin 2008, ky plan u neglizhua dhe në vend të tij u vendos që në fokus të jetë ndërtimi i termocentralit “Kosova C”, i cili tani njihet si “Kosova e Re”.

Termocentrali “Kosova e Re” është një projekt i cili ka filluar tetë vjet më parë dhe deri më të tani është përcjell nga katër ministra. Ky projekt pësonte ndryshime vit pas viti, fillimisht duke e ndarë pakon tenderuese të projektit “Kosova e Re” nga termocentrali “Kosova B”, pastaj duke zvogëluar (në letër) kapacitet prodhuese të saj nga 2100 MË sa mendohej në fillim në 1200 MË e në fund në vetëm 600 MË.

kosovaere_0709110953_1

Termocentrali “Kosova e re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha zhvillimore në Kosovë, ndërsa kostoja për ndërtimin e tij vlerësohet të jetë diku rreth 1.5 miliard euro.

Edhe Qeveria e tanishme ka premtuar se prioritet i parë për sektorin e energjisë do të jetë ndërtimi i TC “Kosova e Re”, që sipas saj ajo ka rol dominant në sigurimin e furnizimit me energji, respektivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Një problem tjetër në fushën e energjisë elektrike gjatë këtyre 16 vjetësh është edhe mospagesa e energjisë prej qytetarëve. Llogaritet se mbi 410 milion euro, që nga përfundimi i luftës në Kosovë e deri në vitin 2013, të jetë borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës. Nga kjo shumë mbi 100 milionë euro janë borxhe të konsumatorëve që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, pjesë kjo e banuar me shumicë serbe, e që kjo korporatë atje asnjëherë nuk ka pasur qasje.

Ndryshe, para tre vjetësh është privatizuar Distribucioni i Energjisë pranë KEK-ut. Konsorciumi fitues turk “Limak & Çalik” ka blerë këtë rrjet për 26.3 milionë euro. Pas privatizimit të tij, në mënyrë që të grumbullohen borxhet e vjetra, vitin e kaluar është arritur një marrëveshje e KEK-ut (Korporatës Energjetike të Kosovës) me pronarin e ri që tani njihet si KEDS (Kosova’s Electric Distribution Services), përkundrejt pagesës së një takse për këtë shërbim. Në baza tremujore, KEDS i dërgon shënimet rreth borxhit të inkasuar dhe bënë pagesën e tyre.

Në lidhje me problemet në sektorin e energjisë pyetëm ekspertin e ekonomisë z. Xhevat Meha. Ai në prononcimin për tesheshi.com shpjegon se mungesa e energjisë elektrike në vend, për fat të keq është një problematikë që nuk del jashtë kontekstit të proceseve dhe dukurive që kanë ndodhur dhe që janë duke ndodhur në Kosovë që nga përfundimi i luftës e këtej.

11118314_10153244081036950_832644021_n

“Është fakt se paratë e shpenzuara për meremetime dhe riparime në KEK si dhe për blerje të energjisë elektrike do të ishin të mjaftueshme në financimin e termocentralit prej së paku 1000 MË”, theksoi ai.

Fatkeqësisht, shton ai, të gjitha zhvillimet në Kosovë që nga përfundimi i luftës kanë patur agjendë politike të interesave të caktuara.

“Kur kësaj i shtohet mjedisi kosovar me shkallë të lartë të korrupsionit të vërtetuar nga raportet e jashtme në vazhdimësi, është shumë e besueshme se shpenzimi i qindra milionave në meremetime dhe blerje të energjisë ka qenë agjendë për përfitime përmes korrupsionit të personave të lidhur direkt nga këto financime”, shprehet z. Meha.

Ai ka vlerësuar se ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike kanë qenë nevojë e domosdoshme që nga përfundimi i luftës. Edhe mundësitë qoftë financiare, qoftë teknike, sipas tij, pa diskutim se kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë.

“Ndalimi i ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të nevojshme për ekonominë e vendit dhe ekonomitë familjare të Kosovës ka qenë zbatim i një programi të fshehtë, ndryshe nuk mund të kuptohet. Ekzistojnë dëshmi se në Kosovë vepron një armatë e tërë e spiunëve të stërvitur të Serbisë. Po ashtu para disa javësh një zyrtar për media i Qeverisë së Serbisë deklaroi se Serbia që nga viti 1999 kurrë nuk ka patur kontroll më të madh në Kosovë seç ka tani”, deklaron z. Meha.

Bllokimi i ndërtimit të kapaciteteve prodhuese sipas tij ka arritur të realizojë këto efekte: energji elektrike të blerë kryesisht nga Serbia; meremetimet në TC-e janë kryer me blerje të shkallës së lartë të pjesëve rezervë dhe shërbimeve nga ndërmarrjet e Serbisë; zhvillimi i ekonomisë së Kosovës është kufizuar si pasojë e mungesës së energjisë elektrike dhe kjo ka ndikuar në standardin e ulët të jetesës së kosovarëve.

Të gjitha efektet e paraqitura më lart sipas z. Mehës janë dëshmi konkrete të përpjekjeve të vazhdueshme neokolonialiste të Serbisë karshi Kosovës.

11156850_10153244092751950_1239713896_n

Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike dhe energjetike prof. Naim Hoxha për tesheshi.com vlerëson se energjetika si dhe sektorët tjerë ekonomikë e joekonomikë janë menaxhuar jashtë kontekstit dhe strategjisë së përgjithshme zhvillimore.

“Ajo është trajtuar e shkëputur nga interesat, nevojat dhe kërkesat e ekonomisë dhe qytetarëve të Kosovës duke u ballafaquar me problemet  dhe konjunkturën politike të momentit, të atypëratyshme dhe jo nga konceptet zhvillimore të Kosovës”, thekson z. Hoxha.

Sipas tij në mungesë të një strategjie zhvillimore afatgjate të zbërthyer në strategji afatmesme dhe afatshkurtër të gjitha kërkesat dhe qëllimet në energjetikë kanë dalë të kontestueshme dhe pa mbështetje.

 

Zatën një situatë e tillë ka krijuar një ambient ku gjithçka mund të propozohet dhe të realizohet. Mungesa e një kornize logjike zhvillimore ka lënë hapësirë për improvizime dhe investime vend e pa vend sipas dëshirës dhe interesave të grupeve dhe individëve. Shikoni variacionet dhe llojllojshmërinë e propozimeve për TC Kosova C/Re 2400MË, 1000MË, 1200MË, 600MË, etj, pastaj me koncesion për dyzet vite, me tërë kapacitetin e thëngjillit, me bashkëfinancim, vetëm me financim të huaj privat, me një ofertues dhe kështu me radhë. Thonë se për kapitenin i cili nuk e di se nga lundron, çdo frymë është e keqe! Kjo ka ndodhur me qeveritë tona”, nënvizon ai.

 

Zgjidhja për furnizimin me energji elektrike sipas z. Hoxha është  përpilimi i strategjive, derivate të së cilës do të jenë vlerësimet dhe kërkesat për nevojën për energji, e cila së paku në planin afatshkurtër nuk do të jetë mall, por infrastrukturë për tejkalimin e problemeve të papunësisë dhe varfërisë së skajshme.

 

Zgjidhje tjetër sipas tij janë edhe krijimi i një sistemi unik elektro-energjetik me Shqipërinë, ndërtimi i kapaciteteve  deri 2×300 MË ngase kapacitetet e vjetra Kosova A dhe Kosova B janë në fund të ciklit të tyre prodhues; implementimi i masave të koefiçiencës në të gjitha nivelet, rritja dhe zgjerimi i kapaciteteve për kogjenerim, vetëdijësimi i popullatës për të kursyer në përgjithësi, e në veçanti energjinë, ujin, masën drurore si dhe inkurajimi i kapaciteteve alternative.

 

Sa i përket menaxhimit të KEK-ut gjatë të këtyre viteve, z. Hoxha thotë se menaxhimi i kësaj korporate është përrallë në vete, sepse ajo karakterizohet me mostransparencë totale në të gjitha drejtimet, ndërrime të shpeshta strukturore dhe të menaxhmentit.

 

“Mungesa kronike e përgjithshme e kuadrove menaxhuese dhe zgjedhjet me riveprim negativ janë ato që karakterizojnë situatën në KEK. Edhe ato kuadro që i kishim u komprometuan, me apo pa faj të tyre, përmes ndërhyrjeve me apo pa qëllim e posaçërisht me interesa politike, dhe kështu krijuan hapësirë për një nivel të lartë të korrupcionit në pothuajse të gjitha nivelet menaxhuese të iniciuara nga strukturat e jashtme (qeveritare) dhe të brendshme të KEK-ut.

 

I tërë ky bashkëveprim e krijoi efektin se koncepti publik është i paarsyeshëm. Mendoj se një gjykatë e posaçme do të kishte punë për vite të tëra vetëm me aktet dhe veprimet korruptive e abuzive të bëra në KEK e rreth tij”, deklaron ai.

 

Sipas tij, edhe investimet milionëshe të Qeverisë së Kosovës në KEK gjatë këtyre viteve nuk kanë qenë të suksesshme, sepse ato kanë qenë kryekëput të orientuara nga zhvatja dhe pasurimi i aktorëve qeveritarë e jo nga zgjidhja e problemeve.

11166120_10153244087831950_20234740_n

 

Në anën tjetër situata sipas z. Guri Shkodrës, zëdhënës i KEDS-it, nuk është edhe aq e zezë. Ai për portalin tesheshi.com thotë se gjatë këtyre ditëve nuk ka mungesë të energjisë elektrike dhe se këto probleme i takojnë vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti. “Prodhimi në KEK shkaktoi probleme me sigurimin e kapaciteteve të mjaftueshme për furnizim me energji elektrike duke qenë se një gjë e tillë varet nga procedurat e realizimit të importimit që kërkojnë së paku katër orë dhe disponueshmëri të mjaftueshme të energjisë për import. Në raste shumë të rralla nuk ka energji të mjaftueshme për import dhe se atëherë kur jemi përballur me sasi të mëdha të nevojshme për t’u importuar, ka qenë e pamundshme për shkak të mungesës së tregut për import, dhe kështu ka ardhur deri të aplikimi i reduktimeve.”

 

Sipas tij kompania në të cilën ai punon është më se e interesuar për përmirësimin e gjendjes energjetike. “KEDS nga maji i vitit 2013 e deri sot ka investuar 35 milion euro në rrjetin e distribuimit të energjisë elektrike. Në këtë vit investimet janë intensifikuar edhe më shumë. Të gjitha investimet bëhen sipas planit të aprovuar të investimeve dhe realizohen sipas prioriteteve”, thekson ai.

 

Me fjalë të tjera sipas zëdhënësit Shkodra fillimisht investohet në lokacionet dhe në gjërat që vlerësohen si më prioritare. Ai shton se KEDS-i është i përkushtuar për investimin e vlerës prej 300 milion euro në 15 vjetët e parë të funksionimit dhe se duhet ta kemi parasysh se aktivitetet e mirëmbajtjes janë intensifikuar dhe këto aktivitete nuk janë pjesë e projekteve investuese.

 

“Sasitë e importit dhe sasitë e prodhimit ndryshojnë në periudha kohore varësisht nga bilanci i aprovuar energjetik nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e që mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike. Gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti ne kemi importuar sasi më të mëdha të energjisë elektrike jashtë bilancit të aprovuar energjetik për të siguruar furnizim me energji elektrike. Për momentin sasitë e prodhuara nga KEK arrijnë deri në 530 MË/orë përderisa sasitë e importuara arrijnë deri në 250 MË/orë varësisht nga konsumi i qytetarëve.” pohon z. Shkodra.

 

Por pavarësisht paraqitjes optimiste të gjendjes energjetike nga zyrtarët e KEDS-it, derisa po e mbyll këtë shkrim marr vesh se në disa lagje të kryeqytetit ka reduktime të energjisë. Një gjë është e vërtetë, se përveç premtimeve të qeveritarëve lidhur me shtimin e kapaciteteve prodhuese në këtë sektor që do t’i jepte fund krizës së energjisë, në terren asgjë nuk ka konkrete dhe se qytetarit të vendit, për të cilin thuhet se fle mbi thëngjill, siç duket edhe për një kohë nuk do t’i hiqen qirinjtë nga lista e tij e blerjes. Shpresojmë të ndodhë e kundërta. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts