Kosova paralajmëron barriera tregtare për prodhimet e Shqipërisë

Nga Bashkim Kastrati

Ka disa vite që flitet për raportet jo të mira tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Prodhuesit e Kosovës janë ankuar për pengesa të ndryshme për të eksportuar në tregun e Shqipërisë. Para disa ditëve Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka deklaruar se nëse do të vazhdojnë pengesat nga Shqipëria, edhe kjo ministri do të ndërmerr masa ndaj, pasi që sipas tij shteti shqiptar shpesh krijon disa pengesa të panevojshme.

Ai këto deklarata i ka bërë gjatë një debati në një nga televizionet nacionale të Kosovës, ku disa nga prodhuesit e Kosovës tregonin për pengesat konkrete që po i hasin në Shqipëri.

Këto pengesa në masë të madhe janë burokratike, por sipas prodhuese të Kosovës ka edhe pengesa tjera për të ndalur produktet nga Kosova dhe sipas tyre këto pengesa po bëhen nga disa njerëz të fuqishëm të biznesit në Shqipëri për të pasur vetëm ata tregun për ato produkte.

Në këtë situatë, edhe zyrtarisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka paralajmëruar barriera tregtare për produktet e Shqipërisë nëse autoritete shqiptare edhe më tutje vazhdojnë t’i pengojnë eksportet kosovare në këtë shtet.

Gjatë vitit që lamë pas kompanitë kosovare eksportuan në Shqipëri produkte në vlerë prej 60 milionë eurosh, derisa ato të Shqipërisë në Kosovë sollën prodhime në vlerë prej më shumë se 150 milionë eurosh.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka paralajmëruar se do të vendosë barriera tregtare për prodhimet e Shqipërisë nëse kjo e fundit edhe më tutje vazhdon me aplikimin e tyre për prodhuesit kosovarë.

Si në të kaluarën, por edhe aktualisht Doganat e Shqipërisë në vazhdimësi aplikojnë barriera të ndryshme për ta ndalur eksportin e prodhimeve shqiptare në këtë shtet, derisa prodhimet e Shqipërisë në vendin tonë importohen pa asnjë problem.

Në dijeni për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje janë edhe Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë, të cilat pranojnë që ka ngecje në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Tregtisë dhe jemi të përkushtuar që marrëveshja të zbatohet mes dy vendeve dhe të eliminohen të gjitha barrierat që janë paraqitur”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për gazetën zëri.

Në lidhje me këtë çështje në vazhdimësi ka reaguar edhe  Klubi i Prodhuesve të Kosovës(KPK). Ata kanë kërkuar që të mos ketë pengesa në raportet tregtare dhe se të punohet për t’u bërë një treg i përbashkët.

Sipas KPK-së, prodhuesit e Kosovës përballën me shumë barriera dhe probleme kur eksportojnë në tregun e Shqipërisë. Duhet të kujtojmë rastet e shumta kur prodhuesve të Kosovës u janë vënë taksa shtesë ose i ju janë bllokuar mallrat në kufi, si për shembull me rastin e patates, miellit, birrës, barnave, e të tjera. Prandaj janë pikërisht individë të caktuar brenda institucioneve të Shqipërisë që janë duke e bllokuar funksionimin e tregut të lirë dhe të përbashkët.

“KPK dëshiron të ju përkujtojë se Kosova dhe Shqipëria janë anëtare të CEFTA-së, që të dyja kanë nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë dhe rrjedhimisht të dyja duhet të aplikojnë tregtinë e lirë. Tregu i CEFTA-së në fokus të vet ka stimulimin e tregtisë, investimeve dhe krijimin e një tregu të gjerë për të gjitha vendet e rajonit”, duhet ndër të tjera në reagim.

Sipas KPK-së, tregtarët dhe prodhuesit nga Kosova kanë probleme të shumta që duhen gjetur zgjidhje sesa zhvendosja simbolike e pikës doganore në portin e Durrësit. Probleme këto që kanë të bëjnë me procedurat që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet nga Kosova, si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos. Këto janë problemet reale të cilat po ndikojnë në mosfunksionimin e një tregu të përbashkët.

Këto pengesa po ndodhin në kohën kur ka deklarata të shumta për bashkëpunim vëllazëror. Siç duket këto probleme konkrete nuk po diskutohen as në takimet e dy qeverive, që më shumë duket se janë simbolike sesa konkrete. /tesheshi.com/

 

Related posts