728 x 90 Leaderboard

Kosova, kontratë me “Contour Global” për TC “Kosova e Re”: a zgjidh kjo problemin e energjisë elektrike?

Në një ceremoni ku merrnin pjesë drejtuesit e institucioneve të vendit është nënshkruar marrëveshja komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”.

Para nënshkrimit të marrëveshje, presidenti Thaçi, tha se sot është një ditë historike sepse pas 16 vitesh të përpjekjeve është arritur në pikën kulminante – nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralin “Kosova e Re”.

“Marrëveshja përfundimisht e zgjidh një problem qenësor për Kosovën. Kjo marrëveshje është vazhdimësi e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky investim me një vlerë mbi 1 miliard euro, vetëm në fazën e parë të projektit do të krijojë 10 mijë vende të reja të punës”, tha Thaçi,

Kurse kryeparlamentari Kadri Veseli poashtu e vlerësoi këtë si një ditë të veçantë për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë është e rëndësishme të bëhet dhe pavarësimi ekonomik.

“Marrëveshja do të ngjallë debate, por është e mirë sepse po ecim përpara. I thërras investitorët që të vijnë të investojnë në Kosovë, sepse Kosova është një vend i sigurt dhe me perspektivë për të investuar”, tha Veseli.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka përshëndetur shkurt tëç gjithë ata që kanë punuar që të arrihet deri te ky nënshkrim.

“Mbështes fjalët që i thanë presidenti dhe kryeparlamentari. Do të vazhdojmë me punë”, u shpreh Haradinaj.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se ky është një projekt i madh që do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Ky sukses është meritë e shumë njerëzve. ‘Countour Global’ ka punuar palodhshëm për të arritur deri këtu”, tha Delawie i cili shtoi se termocentralet aktuale të Kosovës janë të vjetra dhe nuk janë të sigurta, ndërsa, ky projekt, sipas tij, do të jetë me standardet më të larta ndërkombëtare për sa i përket ruajtjes së mjedisit.

Joseph Brandt, drejtor Ekzekutiv i “Contour Global”, tha se janë të gatshëm të shkojnë tutje me këtë projekt, ndërsa shtoi se termocentralet aktuale “Kosova A” dhe “Kosova B:” nuk duhej të ishin në funksion për shkak të vjetërsisë.

 “Megjithatë, ato duhet të funksionojnë sepse pa to nuk do të kishte energji të mjaftueshme elektrike”, tha Brandt. /tesheshi.com/

Related posts