728 x 90 Leaderboard

Kontratat e mëdha që dërrmuan buxhetin e Kosovës

Nga Bashkim Kastrati

Instituti Riinvest ka publikuar një hulumtim ku ka analizuar kontratat që e kanë dëmtuar shumë buxhetin e Kosovës në vitet e fundit.

Kjo analizë bazohet në të dhëna primare të dala nga intervistat me akterë relevantë si dhe të dhëna sekondare. Analiza e të dhënave tregon se të gjitha rastet, të cilat janë fokus i hulumtimit karakterizohen me tre emërues të përbashkët: Mungesa e profesionalizmit të palëve të përfshira, mungesa e transparencës, keqpërdoremi detyrës zyrtare/ korrupsioni.

Ky publikim që është mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) tregon se si Qeveria e Kosovës është duke u përballur me konteste gjyqësore, të cilat rrjedhin si pasojë e formulimit dhe zbatimit joadekuat të kontratave publike.

Këto konteste gjyqësore tregojnë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera publike nuk kanë arritur të dizajnojnë kontrata të plota dhe të respektojnë detyrimet që dalin nga marrëdhëniet e tilla kontraktuale.

Përderisa rezultatet nga këto konteste potencialisht mund t’i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të Kosovës, ende nuk është vënë askush para një përgjegjësie as politike e aq më pak penale për këto raste.

Përballë këtij sfondi, Instituti Riinvest, në ka analizuar dëmet që shkaktohen në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë në buxhetin e Kosovës, si pasojë e përpilimit dhe zbatimit jo të duhur të këtyre kontratave publike. Të gjitha problemet e ndërlidhura me këto kontrata dhe rekomandimet shtjellohen në këtë raport duke u bazuar në të dhëna dytësore, si dhe intervista me ekspertë të pavarur dhe palë të përfshira të institucioneve publike. Mirëpo edhe pse ekipi i Institutit Riinvest është munduar t’i intervistojë akterët e përfshirë, jo të gjithë kanë pranuar të takohen, posaçërisht akterët e përfshirë në procesin e privatizimit të PTK-së.

Rasti i parë i cili trajtohet në këtë raport ka të bëjë me kërkesën e kompanisë Bechtel-Enka, e cila ka kërkuar 63 milionë euro shtesë nga Qeveria e Kosovës në emër të ndëshkimeve për shkak të vonesave në pagesa nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës (MI) për përfundimin e punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Kontrata e nënshkruar në korrik të vitit 2014 kishte vlerë prej 600 milionë euro dhe kohëzgjatje prej 3 vite e gjysmë. Mirëpo, MI nuk arriti t’i kryejë obligimet financiare ndaj Bechtel-Enkës ashtu siç parashiheshin me kontratë dhe si rezultat punët nuk ishin kryer në periudhën e paraparë.

“Të ballafaquar me këtë situatë, të dy palët ishin akorduar që afati për përfundimin e punimeve të shtyhet për rreth një vit shtesë, por nuk arritën që të akordohen për koston dhe të finalizojnë marrëveshjen. Edhe pse Qeveria paraprake kishte arritur një akord për të paguar 14.78 milionë euro (sipas vlerësimit edhe të kompanisë mbikëqyrëse) për të shtyrë afatin e zbatimit të kontratës, e njëjta marrëveshje nuk u aprovua nga Qeveria”, thuhet ndër të tjera në raport.

Në rrethana të reja, kompania Bechtel-Enka ka bërë kërkesë shtesë duke rritur vlerën e pretendimeve në 63 milionë euro për zhdëmtim si pasojë e shtyrjes së afatit të zbatimit të kontratës. Për të evituar edhe një kontest gjyqësor, Qeveria e Kosovës pas negocimeve me kompaninë Bechtel-Enka ka vendosur rishtazi t’i paguajë 53 milionë euro kompanisë.

Skandali i pasaportave

Kontesti i dytë i cili është zgjidhur në favor të palës paditëse ishte rasti i shtypshkronjës shtetërore austriake Oesterreichische Staatsdruckerei GmbH (OeSD) kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Në qershor të vitit 2011, kompania në fjalë ishte kontraktuar për furnizim me pasaporta elektronike dhe pajisje teknologjike për personalizimin e dokumenteve të qytetarëve të Kosovës. Vlera e kësaj kontrate ishte rreth 14 milionë euro me kohëzgjatje prej tre vjetëve.1 Mirëpo, pas më pak se një viti e gjysmë, si rrjedhojë e disa mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve, Ministria e Punëve të Brendshme njëanshëm shkëputi kontratën. Në shkurt të vitit 2013, OeSD ngriti padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (GjNA) me seli në Paris me pretendimin e mos pagesës së faturave në vlerë prej 1.4 milionë euro dhe dëmit të pësuar për shkak të ndërprerjes së paarsyetuar të kontratës nga MPB-ja. Në fund të procesit të arbitrazhit, GjNA kishte vendosur që Qeveria e Kosovës duhet të paguajë 5.6 milionë euro si dëmshpërblim.

Telekomi humbi miliona euro në “beteja” juridike

Kontesti i tretë i zgjedhur në favor të palës paditëse ishte rasti i kompanisë “Dardaphone.net” L.L.C. ( i njohur si Z-mobile) kundër Telekomit të Kosovës (TK). Në janar të vitit 2009, TK kishte nënshkruar marrëveshje me Dardaphone.net L.L.C. që të jetë Operator Virtual i Telefonisë Mobile (OVTM) “Vala”.

Mosmarrëveshjet në mes të dy palëve filluan kur Dardaphone.net L.L.C. kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Në vitin 2015, Dardaphone.net L.L.C. iu drejtua GjNA-së me seli në Londër, pasi pretendonte se TK po bënte shkelje të marrëveshjes duke refuzuar t’i ndajë numra shtesë dhe t’i ofrojë shërbime 3G dhe 4G. Në dhjetor të vitit 2016, GjNA me seli në Londër kishte vendosur që Telekomi i Kosovës detyrohej t’i paguajë kompanisë paditëse 30 milionë euro për shpërblimin e dëmit për mos përmbushje të detyrimeve të kontratës, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

“Përpos kësaj, TK detyrohej që t’i alokonte numeracion shtesë Dardaphone.net L.L.C. si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. Vetëm pas një marrëveshje ndërmjet palëve, është akorduar që të pezullohet detyrimi i gjykatës së arbitrazhit për të paguar gjobën e caktuar. Sipas marrëveshjes jashtë gjyqësore, TK u obliguaKontesti i katërt i cili është proceduar në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investime me seli në Paris lidhet me padinë e kompanisë ACP Axos Capital GmbH kundër Qeverisë së Kosovës të iniciuar në mes të vitit 2015.

Problemi filloi kur Qeveria e Kosovës e kishte iniciuar procesin e privatizimit të TK-së. Kompania Axos ishte shpallur fituese dhe të njëjtës i është shtyrë disa herë afati për pagesën e akorduar. Megjithatë, pak para se të përfundonte afati i fundit shtesë i dhënë nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) në fund të dhjetorit të vitit 2013 ishte tërhequr nga procesi i privatizimit. Tërheqja e Qeverisë së Kosovës pa përfunduar afati i fundit shtesë ka shtyrë ACP Axos të iniciojë procesin në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investime. Kjo e fundit, pas një periudhe disa vjeçare, më 4 maj 2018 publikoi vendimin i cili ishte në favor të Qeverisë së Kosovës. Edhe pse vendimi i gjykatës së arbitrazhit është zgjidhur në favor të Qeverisë së Kosovës, kjo në asnjë mënyrë nuk e amniston këtë të fundit për keqmenaxhim të procesit të privatizimit të TK-së dhe ekspozimin e saj ndaj riskut të madh financiar.

Dështimi i procesit të privatizimit të Brezovicës

Rasti i pestë i cili trajtohet në këtë raport ka të bëjë me dështimin e procesit të privatizimit të Brezovicës në vitin 2016, si rrjedhojë e të cilit ka dështuar edhe procesi i shpronësimit. Pas disa dështimeve të njëpasnjëshme për inicimin e privatizimit të kompleksit turistik Brezovica dhe për shkak të pamundësisë për të arritur një kompromis mes të gjitha palëve të interesit, në fund të vitit 2011 me iniciativën e zyrës se BE-së në Kosovë dhe mbështetjen e mëtutjeshme të USAID, Qeveria e Republikës Kosovës propozoi zhvillimin e zonës turistike të Brezovicës përmes metodës së partneritetit publiko-privat.

Procesi i tenderimit kishte filluar në janar 2013 me thirrje për shprehje të interesimit duke vazhduar me pranimin e shprehjeve të interesit dhe shpalljen e katër konzorciumeve të para-kualifikuara. Afati për dorëzimin e ofertave ishte në korrik 2014, kurse fituesi ishte shpallur në fund të nëntorit 2014. Në prill të vitit 2015 ishte nënshkruar kontrata në mes të konzorciumit fitues dhe komisionit drejtues ndërministror (KDNM).

“Megjithatë, kontrata nuk hyri në fuqi në ditën e nënshkrimit pasi që pas nënshkrimit të kontratës filloi faza e tranzicionit prej 189 ditësh gjatë së cilës periudhë KDNM dhe konzorciumi fitues do duhej të përmbushnin kushtet e mbetura të parapara në kontratë”, theksohet në raport.

Një ndër kushtet kryesore të cilin konzorciumi fitues duhej ta përmbushte ishte të siguronte mjetet financiare për zhvillim e fazës së parë të projektit. Mirëpo edhe pas kalimit të dy afateve për përmbushje të kushteve të tranzicionit, konzorciumi fitues nuk kishte arritur të sigurojë mjetet financiare të parapara për zhvillimin e fazës së parë të projektit.

Miliona euro u shpenzuan për t’u mbrojtur në konteste ndërkombëtare

Përveç se Kosova mund të humbas shuma jashtëzakonisht të mëdha të buxhetit të saj për të zgjidhur këto konteste, Qeveria e Kosovës edhe aktualisht ka harxhuar miliona euro për përfaqësim juridik nga ekspertë të huaj për këto konteste. Miliona euro janë shpenzuar gjithashtu nga Qeveria e Kosovës për të përgatitur privatizimin e Telekomit të Kosovës dhe të gjitha këto para nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.

Përkundër kësaj situate, deri me tani nuk ka pasur një debat cilësor, të iniciuar nga institucionet publike (Kuvendi dhe Qeveria) ose nga akterët tjerë, shoqëria civile apo qarqet akademike lidhur me këtë çështje. Në fakt, është krijuar përshtypja se Qeveria po përpiqet ta mbajë këtë debat brenda qarqeve relativisht të ngushta. Kjo duhet tejkaluar duke i hapur rrugë debateve gjithëpërfshirëse në shoqëri nëpërmjet të cilave do të duhej të trajtohej kjo çështje. Ky është një parakusht për të garantuar përkrahje të domosdoshme për kontrata të mëdha publike, duke evituar tensionet eventuale politike dhe sociale që mund të komprometojnë këto projekte të rëndësishme. /tesheshi.com/

 

Related posts