728 x 90 Leaderboard

Komprometimi i fushatës së Fillon-it: policia franceze i troket në derë

Fushata presidenciale në Francë ka një kandidat në telashe, të përfshirë në skandalin e shpërblimit të familjarëve të tij me shuma të mëdha parash për punë mbase të pakryera kurrë.

Pas një kontrolli muajin e shkuar në zyrën parlamentare, policia dhe hetuesit francezë kanë mbërritur dje në shtëpinë e Francois Fillon-it në Paris.

Kontrolli, në kuadër të hetimit për kandidatin konservator, është kryer ndërsa vetë ai gjendej në jug të vendit, në vijim të fushatës për zgjedhjet e prillit.

Fillon, i parë më herët si kandidati kryesor për fitimin e zgjedhjeve presidenciale, ka lëshuar shumë terren pas shpërthimit të skandalit. Ai ka mohuar gjithçka po thuhet për të, duke i cilësuar zhvillimet si një “atentat politik” ndaj tij.

“Populli francez më mbështet,” deklaroi Francois Fillon dje në një takim elektoral, një ditë pasi u betua se nuk do të dorëzohej e nuk do të tërhiqej.

Pozitat e një tjetër kandidature në zgjedhjet presidenciale në Francë janë lëkundur fort së fundi. Marine Le Pen-it, përfaqësueses së ekstremit të djathtë, iu hoq imuniteti nga Parlamenti Europian për t’i hapur rrugën procedimit të saj për ripostim të imazheve të mizorive të ISIS-it.

Një anketim i bërë të enjten në lidhje me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale e tregonte centristin Emmanuel Macron-in të kryesonte me 24 për qind karshi 19 përqindëve të Fillon-it. Të tjera anketime lënë të kuptohet se Macron do ta ketë të lehtë të fitojë ndaj Le Pen-it në balotazhin e 7 majit. /tesheshi.com/        

Related posts