Profesori hebre Ilan Pappé: kolonizimi izraelit është në rrënjë të dhunës

 

Teksa përplasja mes izraelitëve dhe palestinezëve merr gjithnjë e më tepër përmasa të reja, teksa tensioni vijon e rritet pa fund në territoret palestineze, e bashkë me të shtohet dhe numri i të vrarëve nga ushtria izraelite, një profesor i lindur në Izrael e tashmë drejtor i Qendrës Europiane të Studimeve Palestineze në Universitetin e Ekseterit, Ilan Pappé, botoi dje një shkrim te faqja elektronike e rrjetit Al Jazeera, ku mëton t’i shpjegojë rrënjët e dhunës së sotme.

Ai tregohet mjaft i ashpër dhe i drejtpërdrejtë kur thotë se, “Kur analizohet origjina e intifadës së tanishme, me të drejtë mund të vihet gishti te pushtimi dhe kolonizimi i zgjeruar hebre.”

Autori me kombësi izraelite shkon më tej, “Por dëshpërimi që ka prodhuar trazirën aktuale nuk është pasojë e drejtpërdrejtë e kolonizimit të 1967-ës, por, më saktë, e thuajse 100 viteve padukshmëri, dehumanizim, dhe shkatërrim total të popullit palestinez, kudo ku është.”

Thellësinë e këtij mohimi të humanitetit të vendasve të Palestinës autori i shkrimit e pikas te fjalimet e djeshme në parlamentin izraelit të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe të kryetarit të opozitës, Yitzhak Herzog-ut.

Sipas Ilan Pappé-së, Netanyahu e shpjegoi fare mirë pse dëshpërimi palestinez do të prodhojë intifada të tjera, dhe pse delegjitimizimi ndërkombëtar i Izraelit do të rritet në mënyrë eksponenciale, kur i përshkroi 100 vitet e kolonizimit si një projekt krenarie.

Mesazhi për palestinezët i Netanyahu-t, thotë shkruesi i shkrimit, ishte i qartë: “Pranoni fatin tuaj si të padukshëm, si banorë më pak se qytetarë të burgut më të madh në tokë, në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, dhe si një komunitet nën një regjim të ashpër aparteidi, dhe ne mund të jetojmë të gjithë në paqe. Çdo përpjekje për ta kundërshtuar këtë realitet është terrorizëm i llojit më të keq, e do të trajtohet kësisoj.”

Pappé i lë vend dhe fjalës së Herzog-ut, udhëheqësit të opozitës liberale sioniste. “Makthi i tij (i Herzog-ut),” thuhet në shkrim, “ishte një vend ku hebrenjtë dhe palestinezët do të jetonin së bashku.” Prandaj, në pikëpamjen e Herzog-ut, “veçimi, getoizimi dhe enklavat janë zgjidhja më e mirë”. “Ne jemi këtu dhe ata janë atje,” tregon autori të ketë përsëritur Herzog-u sloganin e famshëm të Ehud Barak-ut dhe të Shimon Perez-it nga fundi i viteve 1990. /tesheshi.com/