728 x 90 Leaderboard

Kokaina Hamburgut, e njëjtë me Maminasin. Ja “rastësia” e deklaratës së Ramës për prokurorinë

Një “koinçidencë” e çuditshme ka ndodhur në aksin Gjermani-Tiranë, ku ndërsa në njërin vend kanë dalë detaje të reja mbi 1.8 ton kokainën e kapur në portin e Hamburgut para disa ditësh, kryeministri Edi Rama në Tiranë e ka kaluar cakun e deklaratave pikërisht për kokainën.

Një cikël i ri hetimesh që vetëm për më pak se 6 muaj ka arritur që të ketë sukses në kapjen e tre ngarkesave të mëdha që administrohen nga mafia shqiptare dhe që kanë dërguar pas hekurave një numër të konsiderueshëm pjesëtarësh të trafikut.

Të rejat që vijnë sot nga Gjermania flasin për një skemë të njëjtë me kokainën e Maminasit, edhe në atë që u kap në portin e Hamburgut dhe që sipas prokurorisë gjermane arrin vlerën e 400 milionë eurove.

Policia gjermane ka shpërndarë për mediat dy foto të magazinimit të kokainës në një fshat pranë Bavarisë, ku njësoj si Maminasi ishte drogë e fshehur në ngarkesën e bananeve.

Ndërkaq, edhe në këtë rast bëhet fjalë për lidhje nga Ekuadori, ku duket se prej vitesh është instaluar një kartel i fuqishëm shqiptar që bën marrëveshje për kokainën kolumbiane.

Dhe pikërisht në këto hetime që duket se çdo ditë po sjellin të reja të bujshme, Kryeministri Edi Rama ka folur për “kokainën e fshehur nga Prokuroria”.

Kryeministri kësaj radhe nuk ka folur për “taposje” si para një jave por për më shumë se kaq.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama vuri shenjat e takimit të qarqeve pranë opozitës dhe atyre në prokurorinë e drejtuar nga Adriatik Llalla.

“Vulëhumburit pa atdhe, të çoroditur nga frika e drejtësisë, janë vërsulur me tërbim në një ofensivë balte. Me çeljen e negociatave, drejtësia shqiptare bëhet një problem i madh për opozitën, që nga pastrimi i parave me vulën e partisë, deri tek kuintalët e kokainës të fshehur në banane me vulën e prokurorisë”, tha Rama.

Kryeministri nuk përmendi ton, por i është referuar kuntialëve, pra një çështje të vitit 2017, ku Arbër Çekajt, të arrestuarit për kokainën e Maminasit, ju kap një sasi kokaine e fshehur në banane, për të cilën tropojani tha atëherë që nuk kishte dijeni, pasi ai e porosiste mallin nga Shqipëria.

Në atë kohë, Policia i ka dërguar materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Tiranës, por kjo e fundit mbylli hetimit për mos gjetje elementësh të veprës penale.

Sipas Prokurorisë nuk kishte lidhje të pronarit të mallit me kokainën që ai thoshte se nuk kishte dijeni.

Por kapja e gjysmë tonit kokainë në Maminas, pikërisht në magazinën e Arbër Çekajt, pasi u zbulua në portin e Durrësit, hapi “kutinë e Pandorës” e cila tani nuk ka më të ndalur.

E përditshmja më e madhe gjermane Bild, ka publikuar një raport të plotë për 1.8 ton kokainën e kapur në portin e Hamburgut në ngarkesën e bananeve.

Gazeta gjermane bën të ditur se rreth 500 forca policie kanë marrë pjesë në aksionin që nisi prej një viti.

Policia gjermane ka zbuluar skemën së bashku me agjentët e DEA-s që kanë bashkëpunuar në origjinën e blerjes së kokainës, në Kolumbi dhe Ekuador.

Kokaina dërgohej nga Kolumbia në Ekuador dhe atje instalohej në ngarkesën e bananeve. Më pas, sapo mbërrinte në Hamburg ajo lëvizte për në Bavari ku u arrit të zbulohej një rrjet i gjerë shpërndarjeje që funksiononte në supermarketet e vogla të lagjeve në disa qytete.

Policia gjermane mban ende të fshehtë identitetin e të arrestuarve, pasi operacioni është në zhvillim e sipër. Prokurori Thomas Steinkraus-Koch ka bërë të ditur se 12 personat që gjenden në paraburgim i përkasin moshës nga 21 deri në 51 vjeç.

Identitetin nuk e bën të ditur as njëri prej avokatëve, i cili flet për Bild. Dimitrios Kotios, avokati mbrojtës i njërit prej të arrestuarve deklaroi se klienti i tij nuk ka pranuar akuzën. Sipas tij, ai nuk ka qenë në dijeni të ngarkesës me kokainë që ishte fshehur në banane.

Pra sipas të gjitha gjasave, i arrestuari që mbron Kotios është pronari legjitim i ngarkesës me banane. Sërish një koençidencë me kokainën e kapur në Maminas.

Tani prokuroria gjermane po gjurmon pasuritë dhe asetet e ardhura nga shitja e kokainës, ndërkaq, Bild ka publikuar foton e një vile ku grumbulloheshin bananet dhe kokaina. /tesheshi.com/

 

Related posts