Keqpërdorën fondet e restaurimit të Xhamisë së Çarshisë, dënohen dy zyrtarë të trashigimisë kulturorë në Prishtinë

Agim Gërguri, ushtrues detyre i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorime me gjashtë muaj burg ose 3600 euro gjobë.

Njëjtë sikurse Gërguri është dënuar edhe arkitekti i këtij institucioni Gani Gashi. Që të dy kanë pranuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e restaurimit të Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë, proces ky që kishte filluar më 2011 dhe nuk ka përfunduar ende. Sipas vendimit të gjykatës, me pajtimin e të akuzuarve dënimi u është shndërruar në dënim me gjobë, në shumë prej 3600 eurosh për secilin, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas aktakuzës dy të lartcekurit në vazhdimësi gjatë viteve 2010-2013, me qëllim të përfitimit për vete apo persona të tjerë, kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.

Në bazë të aktakuzës, derisa Komuna e Prishtinës kishte lidhur memorandum të mirëkuptimit me IKMM-në, ku kishte ndarë shumën prej 562 mijë eurosh për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë, i akuzuari Gashi kishte gjetur personat që do të angazhoheshin në kryerjen e punëve dhe Gërguri kishte angazhuar ata për kryerjen punimeve pa shpallur tender. Sipas aktakuzës, midis kompanive përfituese për kryerjen e punimeve ishte edhe ajo “Arch Code” me pronare bashkëshorten e të akuzuarit Gashi, Luljeta Gashi, pastaj kontrata për shërbime ishin lidhur edhe me Amir Gërgurin, djalin e të akuzuarit Gërguri dhe Ard Gashin, djalin e të akuzuarit Gani Gashi. Duke bërë këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës. /tesheshi.com/