728 x 90 Leaderboard

Kacifasi si hero vorioepiriot: a do jetë Bularati “Gazimestani” grek në të ardhmen?

Pas më shumë se dy javësh nga ngjarja në Bularat, ku pas një lufte me policinë mbeti i vrarë shtetasi minoritar Kostandinos Kacifas, banor i fshatit, nuk ka asnjë të dhënë mbi startin e përplasjes, pra atë moment kur 30-vjeçari i veshur me rrobë ushtarake e plot simbole nacionaliste, iu shkrep të kapte automatikun e qëllonte kuturu, duke patur më pas si shënjestër automjetet e policisë.

E gjitha ndodhi vërtet në një atmosferë nacionaliste – si shkak i një përkujtimoreje greke – por në trajtë feste dhe pa asgjë të lidhur me elementin politik shqiptar. Ndërkohë, zhvillimi i mëpastajmë, lufta e Kacifasit, vrasja, reagimet, e deri te varrimi, ngjanin si një skenar i parapërgatitur. Me gjasë, për çdo vit, vendvrasja e tij do shndërrohet në vend peligrinazhi, ngjashëm si me serbët në Gazimestan, ku çdo 28 qershor përkujtojnë betejën e Fushë Kosovës. E përkthyer politikisht: humbjen e asaj që është e tyre, e për të cilën duhet luftuar.

Sepse nuk është aspak tepri të thuhet – e madje kjo duhet potencuar  – se prej sot, Kacifasi është një hero vorioepirot. Varrimi i tij me unformë ushtrake, ishte treguesi më simbol i statusit historik që ai ka përfituar nga vrasja prej plumbave të RENEA-s. Kjo nuk ka qenë e vështirë të konstatohet as nga e gjithë fryma që ka shoqëruar reagimin grek të gati çdo niveli, politik ose shoqëror, përfshirë dhe ata që janë personazhe të politikës shqiptare. Me kalimin e kohës do shihet nëse te vendvrasja e Kacifasit do ndërtohet një monument. Shenjat e para janë dhënë që të nesërmen e ngjarjes me vënien e qirinjve e luleve, por kjo mund të konsiderohet edhe thjesht njerëzore. Nëse nis ngritja e një monumenti, aty më pas nis një tjetër histori: një vijë demarkacioni mes dy vendeve.

Sinjali tjetër ishte ai i para pak ditëve, ku zv.ministrja greke e Mbrojtjes së Qytetarëve në qeverisë Tsipras, Katerina Papakosta-Sidiropoulou, la të kuptuar se për minoritetin mund të nisë kërkesa për autonomi.

“Me Shqipërinë duhet hapur një dialog i sinqertë dhe në thellësi për të drejtat e pakicës kombëtare në funksion të perspektivës evropiane, parakushti i të cilave është zbatimi i plotë i tyre. Shqipëria duhet të pranojë qartë d.m.th, aq sa pretendon për shqiptarët jashtë vendit të tyre, autonomi ose edhe pavarësi, duhet të japë për pakicat kombëtare të gjitha të drejtat. Këto janë parakushte për pranimin nga Evropa dhe Greqia duhet t’i kujtojë”, deklaroi zyrtarja greke. /tesheshi.com/

Related posts