Kabineti  “Haradinaj”, të pathënat për ministrat e rinj

Nga Blendi Gashi

Ramush Haradinaj me 61 vota pro morri mbrëmjen e së shtunës postin e kryeministrit për të dytën herë, ndërsa prezantoi edhe kabinetin qeveritar.

Ai thirri një nga një emrat e rinj, disa prej të cilëve për herë të parë do bëhen pjesë e qeverisë kurse të tjerë kanë qenë dhe më herët.

Jo pak prej emrave kanë qenë befasues. Ashtu edhe siç pritej PDK-ja e Kadri Veselit ka befasuar më së shumti, pasi ka vendosur të rikthejë në postin e ministrit disa zyrtarë që kanë qenë pjesë edhe në qeveritë “Thaçi 1 e 2”, duke i dhënë hije të keqe qeverisë “Haradinaj” që në start.

Megjithatë një gjë pozitive është besimi i dhënë për disa zyrtarë të partive që janë shumë pak të njohur për opinionin.

Ja minitrat e PDK-së…

Ministria e Financave: Bedri Hamza – Emri i tij padyshim është befasia më e madhe e PDK-së pasi nuk është raportuar në media se do jetë një prej ministrave.

Hamza gjatë qeverisë “Thaçi” ka mbajtur të njëjtin post që do të mbajë edhe në kabinetin Haradinaj, ndërsa aktualisht mban detyrën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Emërimi i tij në BQK ngjalli jo pak reagime nga opozitarët që akuzuan PDK-në se po kap të gjitha institucionet me njerëz të saj. Hamza është me profesion ekonomist.

Ministria e Shendetësisë: Uran Ismaili – Një kuadër i ri i PDK-së i shkolluar në Amerikë, master në Administratë Publike në Universitetin e Harvardit.

Aktualisht mban postin e nënkryetarit të PDK-së. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Kadri  Veselit duke punuar prej vitit 2013 si shef i kabinetit të tij, ndërkohë që më herët gjatë mandatit të parë dhe të dytë të qeverisjes së PDK-së, ka qenë shef kabineti dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Transportit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit: Kujtim Gashi – Një emër i panjohur për publikun e gjërë pasi aktiviteti politik i tij deri më tani ishte i shtrirë në Prizren prej nga vjen. Për disa vite ka udhëhequr Kuvendin Komunal të Prizrenit.  Vlen të theksohet se shkaku i nominimit të Gashit për ministër, ka bërë që deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha të mos japë votën për qeverinë “Haradinaj” siç raportohet për shkak të raporteve të mëparshme mes tyre.

Ministria e Integrimeve Evropiane: Dhurata Hoxha – Kjo është e njohur për opinionin falë pozitës së minsitres së Drejtësisë që mbajti në qeverinë e kaluar “Mustafa”. Po ashtu një kuadër i ri i PDK-së që vlerësohet nga Kadri Veseli. Ndërrimi i dikasterit qeveritar për të mund të ketë ndodhur për shkak se Ministria e Drejtësisë është një institucion kompleks dhe i vështirë për të, duke qenë se sistemi i drejtësisë është në qendër të kritikave.

Ministrja e Drejtësisë: Abelard Tahiri – Padyshim se emërimi i tij në këtë post është një prej habive më të mëdha duke ditur rëndësinë e këtij dikasteri qeveritar. Ai është një figurë e njohur pasi për disa vite me radhë mbanë postin e këshilltarit të Hashim Thaçit. Ky i fundit mund të ketë dhënë fjalën e fundit që Tahiri të rehatohet në këtë ministri.

Ministria e Inovacion dhe Ndërmarrësisë: Besim Beqaj – Figurë tejet e njohur politike pasi ka mbajtur edhe më parë detyrën e ministrit. Së pari ishte ministër i Integrimeve e më pas i Financave. Më parë ka drejtuar Odën Ekonomike të Kosovës.

Emri i tij është një befasi duke ditur se ai ka qenë pjesë e aferës “Pronto” me kryeprotagonist Adem Grabovcin. Mediat kanë raportuar se ndaj tij shumë shpejt mund të ngritet aktuakuzë ndaj edhe propozimi i tij shihet i paduhur nga PDK-ja.

Ministrat e AKR-së…

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik: Valdrin Lluka – Padyshim si një befasi. Nuk është aq figurë e njohur për qytetarët edhe pse ka mbajtur poste kyçe në institucione, ku vlen të theksohet ai si ish-kryeshef i Agjensisë për Promovimin e Investimeve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.  Zgjedhja e tij nga Pacolli nuk mund të jetë më e qëlluara duke pasur parasysh faktin se në vitin 2014 Agjencia Kundër Korrupsionit filloi hetimet ndaj tij nën dyshimet për korrupsion.

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor: Albena Reshitaj – Një propozim i qëlluar duke ditur se më parë nuk ka mbajtur poste të larta në politikë, pra është një figure e pastër.  Aktualisht është edhe nënkryetare e AKR-së së Pacollit, ndërsa me profesion është specialiste e Ortopedisë së nofullave.

Ministria e Diaspora dhe Investimeve: Dardan Gashi – Figurë e njohur politike. Në qeverinë “Thaçi” ka mbajtur pozitën e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ku gjatë mandatit të tij është bërë zhurmë për aksionin që ndërmorri me prishjen e disa vilave të ndërtuara edhe nga politikanët  Njihet edhe si analist politik në vend, ndërsa së fundmi ka drejtuar edhe një emision në një nga televizonet kosovare.  Ai e fiton këtë ministri falë ndihmës që ia dha PAN-it duke ja siguruar votën e Teuta Rugovës.

Ministër i Punëve të Brendshme: Flamur Sefaj – Befasia më e madhe e bërë nga Pacolli si kandidat për ministër. Plotësisht një emër i panjohur që do ta drejtoi një prej dikastereve më të rëndësishme. Mbetet të shihet puna et ij.

Dy ministrat e AAK-së

Ministër i FSK: Rrustem Berisha –  Një zgjedhje e duhur e Haradinajt për të drejtuar Ministrinë e Forcës së Sigurisë pasi është njeri i sprovuar në luftën e fundit dhe ka kryer shkollën ushtarake. Ka mbajtur postin e komandatit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Ministria e Infrastrukturës: Pal Lekaj – Një prej emrave më të njohur të kabinetit qeveritar “Haradinaj”. Nuk mund të thuhet se është një zgjidhje e duhur për pozitën në fjalë, pasi me profesion është doktor i mjekësisë së përgjithshme dhe padyshim se Ministria e Shëndetësisë do ishte dikaster më i përshtatshëm për të se infrastruktura.  Para se të bëhej deputet ka mbajtur pozitën e kryetarit të Gjakovës.

Ministrat e NISMA-s

Bajram Hasani: ministër i Tregtisë dhe Industrisë – Një emër i bërë i njohur vetëm pas themelimit të partisë NISMA nga Fatmir Limaj. Ai mban postin e kryetarit të kësaj partie në Gjilan nga edhe vjen. Mbetet të shihet puna e tij.

Shyqiri Bytyqi: ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë – Poashtu një emër i panjohur. Me profesion është kontabilist, ndaj nuk mund të cilësohet si njeri i duhur për ta reformuar arsimin. Këtë detyrë e ka fituar pasi që nuk e ka pranuar ish-deputetja Valdete Bajrami.

Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale: Skendër Reçica –  Një emër po ashtu i ri dhe befasues. Në partinë e tij NISMA mban postin e sekretarit për marrëdhënie me jashtë. Duke mos pasur një përvojë në qeverisje, mbete të shihet puna e tij.

Minsitrat e Listës Serbe…

Ministër i Kthimit: Dalibor Jevtiç – Një politikan i njohur nga komuniteti serb pasi për tre mandate mban postin e ministrisë në fjalë. Edhe këtë mandate do ta drejtoi këtë ministri.

Ivan Todosijeviç: Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal – Jo aq i njohur sa Jevtiç, por edhe ky në qeverinë “Mustafa” ka mbajtur në muajt e fundit pozitën e ministrit të kësaj ministrie. Teodosijeviç, njihet si iniciatori i ndërtimit të lagjes “Lugina e Diellit”.

Ka qenë kandidat për kryetar të Zveçanit por shumë shpejt e tërhoqi kandidaturën.

Nenad Rikalo: Ministria e Bujqësisë – Politikan jo aq i njohur nga Lista Serbe por që i është besuar një dikaster qeveritar tejet i rëndësishëm. Sëfundmi ka qenë përfaqësues i deritanishëm i Listës Serbe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ministrat e komuniteteve jo shumicë…

Ministria e Administratës Publike: Mahir Jagxhilar: Politikan i njohur nga komuniteti turk, pasi drejton prej vitesh Partinë Demokratike Turke. Edhe më parë ka drejtuar këtë ministri, ndërsa ka drejtuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mjedisit e Planifikimit Hapësinorë. Ka të kryer Fakultetin e Trafikut dhe Komunikimit në Universitetin e Sarajevës në vitin 1984.

Ministria e Zhvillimit Rural: Rasim Demiri – Është politikan i njohur. Edhe në qeverinë “Mustafa” ka mbajtur pozitën e minsitrit pa portofol Për disa vite me radhë është zgjedhur deptuet nga grupi parlamentar 6+, nga partia Vakat./tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts