Jerusalemi, Erdogan në aksion për të unifikuar botën islame

Jordania dhe palestinezët kërkuan të mërkurën një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm arabë për të diskutuar çështjen e Al-Quds, njoftoi Lidhja Arabe. Takimi ka të ngjarë të mblidhet të shtunën, tha një burim diplomatik.

Nga ana tjetër, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan thirri një samit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) në Stamboll më 13 dhjetor, tha zëdhënësi i tij të mërkurën.

“Përballë zhvillimeve që shkaktojnë ndjeshmëri mbi statusin e Jerusalemit, Presidenti po i bën thirrje një takimi të liderëve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) me qëllim që të shfaqë një veprim të përbashkët midis vendeve islame”, u tha gazetarëve zëdhënësi presidencial Ibrahim Kalin në Ankara.

Turqia aktualisht mban kryesimin e OIC. Qeveria jordaneze bëri thirrje gjithashtu për një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të OIC të dielën për të koordinuar pozicionet arabe dhe islamike në Jeruzalem.

Erdogan kishte paralajmëruar të martën se statusi i Jerusalemit është një “vijë e kuqe” për muslimanët dhe mund të nxisë edhe Turqinë për të ndërprerë lidhjet me Izraelin.

Në anën tjetër, në Qytetin e Vatikanit Papa Françesku bëri thirrje për respektimin e “status quo-së” të Jerusalemit, ndërkohë që ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson, kishte shprehur shqetësimin për vendimin e SHBA, të mërkurën duke thënë se tani ishte koha që amerikanët të paraqisnin planin e tyre të paqes për rajonin. /tesheshi.com/