Jemeni kërkon nga bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë me trupa tokësore

 

Gjendja në Jemen, veçanërisht në jug të tij, po përkeqësohet dita-ditës pas një ofensive të husinjve, gjë që e ka shtyrë misionin e këtij vendi në OKB të kërkojë një ndërhyrje ushtarake nga toka për të zmbrapsur rebelët.

Ambasadori i Jemenit në OKB i ka dërguar të mërkurën një letër Këshillit të Sigurimit, posaçërisht ambasadorit të Lituanisë, që ka presidencën e këtij organizmi për muajin maj, ku thuhet shprehimisht, “Ne e nxisim bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë shpejt me forca tokësore për ta shpëtuar Jemenin.”

Letra, e cila nuk është bërë ende publike, përmban dhe një thirrje për organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për t’i dokumentuar “dhunimet barbare të popullsisë së pambrojtur”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Jemenit i ka akuzuar rebelët, husinjtë, se po kryejnë “gjenocid”, ndërsa luftimet vazhdojnë në terren.

Koalicioni arab i kryesuar nga Arabia Saudite pati filluar më herët, më 26 mars, sulmet ajrore ndaj bazave të husinjve, por përplasja mes rebelëve dhe mbështetësve të presidentit Abdurabbi Mansur Hadi vijon ende e ashpër, ndërsa rritet numri i të lënduarve dhe të vdekurve.