Ja sa milionë euro humbi dhe sa fitoi Kosova nga MSA-ja

Nga Bashkim Kastrati

Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocimit (MSA), ka ndikuar që Kosova të humb disa milionë euro, por në anën tjetër MSA-ja ka ndikuar që të rritet eksporti.

Se do të ketë humbje në të hyra nga marrëveshja e MSA-së që kishte filluar të aplikohet më 1 prill të vitit 2016 kishte paralajmëruar edhe Banka Botërore, duke parashikuar se janë rreth 70 për qind të të hyrave nga Dogana, të cilat rrezikojnë të bien dhe se ato të hyra duhet të kompensohen me të hyra brenda kufirit.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës që nga implementimi i MSA-së, Kosova ka humbur 46 milionë euro. Por fakti që shumë kompani nga Kosova e kanë pasur më të lehtë eksportimin e produkteve jashtë vendit, kjo tregon se MSA-ja po shfrytëzohet pozitivisht dhe eksportit pritet që në vitet në vijim të ketë trend të rritjes.

Në vitin e parë të fillimit të implementimit të MSA-së, eksportet drejt vendeve të BE-së kanë qenë 50.6 milionë euro, deri sa në vitin e dytë eksportet me këto vende kanë qenë 75 milionë euro.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vendet ku ne dërgojmë më së shumti produkte janë Gjermania me vlerë prej 17 milionë eurosh, ndjekur nga Britania me 11 milionë euro, Austria me 10 milionë euro, Bullgaria me afër 9 milionë euro, Italia me 5.4 milionë euro dhe Danimarka me 3.5 milionë euro.

Kosova nga MSA-ja, sipas saj, mund të përfitoj ndihma financiare dhe teknike me qëllim të nxitjes së zbatimit të reformave për të përmirësuar ekonominë.

“Kosova do të mund ta përfitoj nga BE-ja në përgjithësi dhe nga MSA-ja në veçanti, është ndihma financiare dhe teknike. Ky lloj i mbështetjes pritet të luajë rol të rëndësishëm në nxitjen e zbatimit të reformave që kanë të bëjnë me arsim, trajnim, shërbim bankar dhe financa, promovim të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe stabilizim makro-ekonomik. Përveç kësaj, një pjesë e ndihmës financiare të BE-së sigurohet në formë të granteve që do t’i shpërndahen sektorit industrial dhe bujqësor për të përmirësuar ekonominë e Kosovës”, tha ajo për Telegrafin.

Kosova ka lidhur marrëveshje për 99.7 për qind të produkteve të saja, kështu që 0.3 për qind e produkteve nuk janë pjesë e marrëveshjes. Në këtë grup janë 160 produkte bujqësore të cilat lirohen nga detyrimet doganore. Pjesa e mbetur prej 541 produktesh bujqësore do të liberalizohen brenda 5, 7 dhe 10 vjetësh pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Gjithashtu edhe për produktet industriale Kosova ka rënë dakord me BE-në që 4,763 apo 69.84 për qind nga 6,819 produkte të liberalizohen menjëherë, ndërsa 1,740 produkte lirohen nga detyrimet doganore, e 2,056 produktet e mbetura industriale do të liberalizohen brenda 5 dhe 7 vjetësh pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes.

Në mënyrë që Kosova të përfitojë më shumë nga MSA-ja duhet të rritë prodhimin në mënyrë që të eksportojë në vende të ndryshme të BE-së. Rritja e eksportit do të ndikonte në zhvillimin e shumë kompanive prodhuese në Kosovë, do të rriste numrin e të punësuarve dhe do të ndikonte pozitivisht në rritjen e përgjithshme ekonomike të Kosovës.

MSA-ja ofron mundësi më të mëdha të eksportit për bizneset e Kosovës, por një pengesë e madhe në këtë drejtim mbetet regjimi i vizave. Praktikisht, nëse kompani ka gjetur treg në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, ajo duhet që të pajis punëtorët e angazhuar në eksport me viza. Procedurat për pajisje me viza janë shumë të komplikuara, marrin kohë dhe kanë kosto financiare, ndërsa edhe përkundër kësaj, ambasadat shpesh ua refuzojnë vizat, ose iu japin viza me afat shumë të shkurtër dhe për të dërguar sërish produktet, duhet që procesi të kthehet në pikën zero sa i përket pajisjes me viza dhe të aplikohet prej fillimit. /tesheshi.com/

Related posts