Ja pse pritet të shtrenjtohet energjia elektrike në Kosovë

Nga Bashkim Kastrati

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka marrë vendim që të ndryshojë tarifat sezonale. Nga fillimi i këtij muaji autoritetet kompetente kanë filluar zbatimin e tarifave të reja të energjisë elektrike të cilat, siç thuhet, synojnë thjeshtëzimin që konsumatorët të kontrollojnë konsumin e tyre.

Më thjesht, deri më tani çmimi i rrymës gjatë sezonit të dimrit ka qenë më i shtrenjtë, ndërsa gjatë sezonit të verës, çmimi i rrymës ulej. Por çuditërisht sapo përfundoi sezoni i dimrit dhe kur çmimi i energjisë elektrike do të duhej të ulej, vjen vendimi i ZRRE-së, që shfuqizon këto tarifa. Por pse ky vendim nuk u mor gjatë dimrit kur qytetarët paguajnë shumë për faturat e energjisë elektrike? Kujtojmë se gjatë sezonit të dimrit qytetarët janë ankuar për koston e lartë të energjisë elektrike, pasi që një pjesë e tyre e përdorin energjinë elektrike për t’u ngrohur.

Si rezultat i këtij ndryshimi, më nuk aplikohen tarifat sezonale (verë – dimër) kurse konsumatorët familjarë më nuk do të paguajnë sipas blloqeve tarifore në bazë të nivelit të konsumit.

Tarifa e re e energjisë sipas autoriteteve kompetente do të nxisë konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e ditës në kohën e natës.

Tani qytetarët do të paguajnë tarifat ditore të ndara gjatë ditës dhe natës. Prej tash e tutje, çdo kilovat i orës për secilin konsumator për periudhën e natës do të kushtojë 3 centë, kurse për tarifën e ulët të ditës do të kushtojë 7 centë.

Deri para këtij muaji në Kosovë janë zbatuar disa struktura të tarifave me pakicë të energjisë elektrike, me çmime të ndryshme, ndërsa janë ndarë edhe për sezonin veror dhe dimëror. Gjatë sezonit të dimrit për konsumatorët që kanë shpenzuar deri në 600 kilovatë, çmimi i energjisë ka qenë nga 2.79 centë deri në 11.17 centë.
Kurse, gjatë sezonit të verës këta konsumatorë kanë paguar për kilovat të rrymës se shpenzuar nga 1.99 centë deri në 8 centë.

Ndërkaq, nga data 1 prill deri më 30 shtator tarifa gjatë ditës do të jetë tarifë e lartë që aplikohet në mes të orës 08:00h – 23:00h, ndërsa gjatë natës do të jetë tarifa e ulët e aplikueshme prej orës 23:00h – 08:00h. Përderisa, nga 1 tetori deri më 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00h – 22:00h dhe tarifa gjatë natës do të jetë në mes të orës 22:00h – 07:00h.

 

Struktura e re tarifore do të godasë shtresat e ndjeshme të popullatës

Zbatimi i tarifave të reja të energjisë elektrike, ka ngritur çmimin e rrymës për një numër të madh të konsumatorëve, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, përderisa autoritetet thonë se çmimet e strukturës se re paraqesin çmime mesatare të tarifave të nivelit të vitit 2016.

Dardan Abazi hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) ka thënë për tesheshi.com se vendimi i ZRRE-së për vendosjen e strukturës së re tarifore dhe eliminimin e tarifave sezonale dhe tarifave në blloqe sipas konsumit të energjisë, është veprim i ngutshëm, i njëanshëm dhe që do të ketë pasoja edhe në tregun e energjisë, edhe pasoja sociale.

“Vendimi nuk ka marrë parasysh qëndrimet e shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve të thjeshtë të cilët iu adresuan ZRRE-së me analiza, opinione dhe vlerësime kundër këtyre ndryshimeve. Përkundër kësaj, ZRRE vendosi të ndërmarrë këtë hap dhe të mos arsyetojë fare injorimin e kërkesave tona”, thotë Abazi nga INDEP, institut ky që ka bërë disa studime në fushën e energjisë në Kosovë.

Ai thotë se fakti se ndryshimi po ndodhë kur po përfundon sezoni i shtrenjtë e dimrit dhe kjo tregon qartazi që ZRRE nuk ka marrë parasysh fare aspektet sociale të këtij vendimi. Përveç kësaj, një numër i madh i bizneseve në Kosovë operojnë vetëm gjatë muajve të verës dhe për ta do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Ndryshimet në strukturën tarifore do të rrisin çmimet për shumicën e konsumatorëve në Kosovë. Shtresa e qytetarëve të cilët kanë shpenzuar më së paku energji elektrike do ta ndjejnë më së shumti shtrenjtimin. Me heqjen e bllok tarifave për konsum të energjisë elektrike, qytetarët nuk do të kenë asnjë iniciativë financiare që të kursejnë energjinë elektrike. Gjithashtu, meqë tarifa dimër verë është hequr dhe do të ketë një tarifë të sheshtë gjatë gjithë vitit, muajve të dimrit do të ketë rritje edhe më të madhe të kërkesës për energji elektrike. Kjo do të rezultojë me imponim të importit me çmime të shtrenjta në kohë piku. Këto kosto prapë do të paguhen nga qytetarët”, sqaron Abazi.

Ai thotë se struktura e re tarifore do të godasë shtresat e ndjeshme të popullatës. Ata të cilët ose nuk kanë për të shpenzuar energji elektrike dhe kujdesen të kursejnë, ose kanë investuar gjithçka në pajisje dhe masa efiçiente për të kursyer rrymën. Ai thotë se shtresat hargjuese të energjisë elektrike, ato që kanë luksin edhe të ngrohen me energji elektrike do të paguajnë me çmim më të lirë, sepse diferenca do t’u faturohet shtresave kursyese.

“Instituti INDEP vazhdimisht ka insistuar në pavarësinë politike të bordeve të rregullatorëve të tregut dhe agjencive të tjera të pavarura. Të tilla agjenci do të duhej të kishin në prioritet interesin publik dhe jo atë privat të operatorëve të tregut. Fatkeqësisht, ZRRE nuk përbën një shembull të tillë!”, u shpreh Abazi. /tesheshi.com/

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts