Ish-kryepolici Shpend Maxhuni emërohet kryespiun i Kosovës: pse për Vetëvendosjen është “non grata”

Nga Blendi Gashi

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj kanë bërë intelegjencën kosovare me “zot shtëpie”, ndërsa e kanë lënë pa të policinë. Kjo pasi Shpend Maxhuni i cili deri më sot ka mbajtur pozitën e kryepolicit është emëruar shef i AKI-së për një mandat pesëvjeçar, i cili mund të vazhdohet edhe një herë.

Kështu, Maxhuni gradohet në pozitë për dallim nga Driton Gashi, paraardhësi i tij, cili ofroi dorëheqjen e kërkuar nga Haradinaj pas deportimit të gjashtë gylenistëve.

Kjo edhe ka ngjallur reagimin e opozitës, konkretisht Vetëvendosjes, e cila reagoi jo pak edhe më 2016-tën kur Maxhuni u emërua në mandatin e dytë si kryepolic.

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se Maxhuni  do të duhej të shkarkohej pas aferës së arrestimit dhe deportimit misterioz të gjashtë shtetasve turq tri javë më parë.

“Nga një person të cilit i kërkohej shkarkimi, ai avancon në pozitë duke u caktuar në pozitë në një institucion të rëndësishëm si AKI. Maxhuni nuk e ka kaluar procesin e verifikimit. Kjo nuk është rrugë drejt BE-së as mënyra se si të përmirësohet jeta e qytetarëve”, tha Nagavci.

Edhe vetëvendosësi Rexhep Selimi ka reaguar duke thënë se “krerët më të lartë të shtetit e kanë zgjedhur për drejtor të AKI-së një person i cili nuk e ka kaluar verifikimin po nga ky institucion”.

Kurse deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, ka thënë se më këtë vendim Thaçi e Haradinaj treguan se ata nuk do të ndalen në avazin e vjetër.

Ne kërkonim që Maxhuni të shkarkohet për shkak të përfshirjes së tij në arrestimin e gylenistëve dhe çka ndodh,  Thaçi dhe Haradinaj na tregojnë se le që se kemi ndërmend me e ç’kap shtetin por kapja e shtetit po konsolidohet”, deklaroi Selmanaj.

Ja akuzat që VV më 2016-tën ia bëri Maxhunit…

Në seancën e 26 tetorit të 2016-tës, tashmë ish-vetëvendosësi Visar Ymeri tha se si është e mundur që në krye të policisë të emërohet biri i një njeriu që ka punuar në sistemin jugosllav.

A e njeh Enver Maxhunin ti, a e din që është baba i Shpend Maxhunit. Enver Maxhuni prej vitit 1980 e tutje ka qenë bashkë me UDB-ën edhe ka qenë komandant në stacionin policor në Vushtrri, tash ju personalisht dhe qeveria jote e bëni Shpend Maxhunin, drejtor të Policisë së Kosovës dy herë në dy mandate herën e dytë kundërligjshëm, edhe çka bënë Shpend Maxhuni, tash është duke e vazhduar rrugën e babës së vetë, duke montuar raste policore kundër të rinjve shqiptar, duke i akuzuar për terrorizëm”, deklaroi Ymeri.

Se babai i Shpend Maxhunit ka qenë inspektor i shërbimit të sigurimit shtetëror, e pranoi Elmi Reçica, deputet i PDK-së, por që tha se Shpendi ka qenë ushtar i UÇK-së .

CV e Shpend Maxhunit…

I është bashkëngjitur policisë në vitin 1999. Që nga viti 2001 u gradua me gradën Toger dhe vazhdoi punën në pozita udhëheqëse dhe menaxhuese, ku më pas u gradua me të gjitha gradat deri në gradën Kolonel, duke mbajtur pozita: komandat rajonal, ndihmës drejtor i përgjithshëm për operativë, zv.drejtor i përgjithshëm për operativë, dhe që nga tetori i vitit 2011 u emërua në pozitën e drejtorit.

Është i diplomuar në studimet master në degën Menaxhimi Ndërkombëtar dhe Lidershipi në Universitetin Ndërkombëtar në Prishtinë, poashtu në programin e lartë ekzekutiv në George C. Marshall, Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë, në Gjermani dhe është kandidat për doktoratë në çështjet e sigurisë  – Universiteti Ushtarak në Tiranë.

Ka marrë disa mirënjohje dhe shpërblime, ku veçohet marrja e titullit “Qytetar nderi” në shtetin IOWA, në SHBA dhe titulli  “Ambasador për Paqe” nga  Comuna Di Valfabbrica, Itali;

Maxhuni, jeton në Prishtinë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. /tesheshi.com/

Related posts