Iranianët në votime, zgjedhin presidentin

Kanë nisur në tërë Iranin votimet për presidentin e ri të vendit. Mbi 56 milionë votues mund t’u drejtohen kutive të votimit në më shumë se 63 mijë qendra votimi në të gjithë vendin për të vendosur në do t’i japin mundësinë Hasan Ruhanit për një mandat tjetër, apo kanë për ta zëvendësuar atë me dikë tjetër.

Ruhani, një klerik 68-vjeçar i moderuar, i ka përshkruar këto votime, sipas AFP-së, si zgjedhje midis lirive më të mëdha civile dhe ekstremizmit.

Analistët mendojnë se një pjesëmarrje e gjerë në votime do ta ndihmojë atë t’i fitojë këto zgjedhje e të mbetet në detyrë për katër vite të tjera.

Presidenti aktual përballet me tre kundërshtarë në këto zgjedhje, me pozita më të forta mes të cilëve është kleriku i linjës së ashpër Ibrahim Reisi.

Lideri suprem i Iranit, Ajetullah Ali Hamenei, ka deklaruar me të hedhur votën pak minuta pas hapjes së qendrave të votimit: “Fati i vendit është në duart e iranianëve.”

Hasan Ruhani ka një traditë të gjatë në anën e tij, pasi asnjë president në detyrë nuk ka dështuar prej vitit 1981 që të rizgjidhet. /tesheshi.com/