Interi humbet, Pioli ia vë fajin mungesës së unitetit

Interi e mbylli në mënyrën më të keqe javën e 30-të të kampionatit italian, duke humbur ndaj Sampdorias e duke i komprometuar objektivat sezonalë, të renditjes mes ekipeve që luajnë në Champions League sezonin e ardhshëm.

Humbja e nëntë për Interin ka ardhur ironikisht pikërisht ndaj ekipit që ka më shumë humbje mes dhjetë skuadrave të para në klasifikimin e Serisë A. Kështu, Sampdoria, në vend të nëntë, ka dhjetë humbje; Interi e Torino vijnë më pas, me nga një humbje më pak.

Skuadra e Milanos e nisi mirë takimin e së hënës, por e pësoi në pjesën e dytë, duke humbur 1-2; e para humbje që nga 26 shkurti.

Stefano Pioli, trajneri i Interit, që ashtu si pasardhësit e tij e ka në dyshim vendin e punës për shkak të luhatjeve kronike në rezultate, e sheh dështimin te mungesa e unitetit mes lojtarëve në fushë.

“Në fund fare, ne ishim të ndarë…, duhet të ishim më shumë një ekip. Kjo është për të ardhur keq. Nëse e çoni kohën duke luajtur individualisht, atëherë ekipi vuan. Ne kishim zemrën, por kur kjo gjë ndodh në kurriz të ekuilibrit, atëherë bëhet e vështirë. Duhet të ishim një ekip për 95 minuta, dhe nuk e bëmë këtë,” është shprehur Pioli i pezmatuar pas ndeshjes.

Interi gjendet tani në vend të gjashtë në renditje, për momentin jashtë zonës që të mundëson pjesëmarrjen në aktivitetet europiane. /tesheshi.com/