Incident në Superligën turke: tifozi godet gjyqtarin, ndërpritet takimi Trabzonspor- Fenerbahçe

Ndeshja mes dy prej ekipeve më të mëdha të futbollit turk ishte drejt fundit kur ndodhi dhe incidenti që solli ndërprerjen e saj.

Fenerbahçe kryesonte gjer atëherë 0-4, me një dominim të plotë të lojës. Alper Potuk, Volkan Shen, Nani dhe Van Persi kishin shënuar në një përballje që fliste veç për miqtë, të cilët synojnë të fitojnë kampionatin.

Me mungesa të mëdha, posaçërisht në repartin e mbrojtjes, në një prej sezoneve më të dobëta, Trabzonspori nuk pati bërë asgjë për të merituar diçka më tepër deri në atë çast. Një pretendim për një 11-metërsh të mohuar ishte i pamjaftueshëm për të përligjur zemërimin e dhunuesit të gjyqtarit.

Shenjat e para të trazirave filluan në nisje të katër minutave të fundit të lojës, për t’u shoqëruar në të 88-tën minutë me goditjen e gjyqtarit të vijës fundore, Volkan Bajarsllan, nga një i ri i futur në fushë. Gjithçka ka ngjarë në pak sekonda, për të ndërhyrë më pas forcat e sigurisë.

Menjëherë është vendosur pezullimi i ndeshjes, ndërsa pritet që të ketë një dënim të rëndë për Trabzonsporin.

Dhunuesi i gjyqtarit, i datëlindjes 1999, pra, nën 18-vjeç, do të paraqitet sot para gjykatës, teksa është shoqëruar mbrëmë në polici.

Presidenti i klubit të Trabzonsporit e ka quajtur incidentin një provokim.

Ky është incidenti i dytë në këtë sezon në stadiumin “Hüseyin Avni Aker”, pas atij në fazën e parë, kur gjyqtarët mbetën për katër orë të mbyllur brenda ambienteve të stadiumit gjatë sfidës mes Trabzonsporit dhe Gaziantepsporit. /tesheshi.com/

Related posts