728 x 90 Leaderboard

Ikona e revolucionit: trashëgimia e dëmshme e Çe Guevarës, ai nuk besonte tek Demokracia

Më 9 nëntor 1967, ushtria boliviane, me ndihmën e CIA-s, qëlloi Ernesto “Che” Guevara me gjakftohtësi, me urdhër të presidentit të Bolivisë. Kjo i dha fund përpjekjes së tij të shkurtër për të nxitur një luftë guerrile në zemër të Andeve. Pesëdhjetë vjet më pas, presidenti aktual i Bolivisë, Evo Morales dhe disa mijëra aktivistë u mblodhën për të nderuar kujtimin e Guevarës.

Në vdekje, Che me flokët e tij të valëvitura dhe beretën në kokë, është shndërruar në një prej ikonave më të preferuara revolucionare në botë. Fansat e tij janë nga gjithë globi. Rebelë të rinj veshin bluzat e stampuara me imazhin e tij . Irlanda, këtë muaj, publikoi një pullë përkujtimore. Por në Amerikën Latine ku ndikimi i tij ka qenë më i madh, edhe trashëgimia e tij –sidomos për të majtën – ka qenë më dëmtuese se kudo gjetkë.

Doktori asketik e astmatik nga Argjentina, së pari luftoi në krah të Fidel Kastros në malet Sierra Maestra të Kubës. Pasi revolucioni kubanez vendosi komunizmin në ishull, Guevara u largua për t’u përpjekur të “çlironte” së pari Kongon, dhe më pas Bolivinë. Ata që e adhurojnë Che-në e bëjnë këtë sepse e shohin atë si një idealist që sakrifikoi jetën e tij për një kauzë. Në aureolë sakrifice të krishterë e rrethon atë.

Ajo kauzë ishte “anti-imperializmi” dhe dhënia fund e shfrytëzimit duke e zëvendësuar atë me “socializmin, ose komunizmin””, deklaroi presidenti bolivian, Morales.

Në këtë synim, Guevara ishte një prej atyre nga vitet 1960 – ai i nxiste revolucionet ndërsa bombarduesit hidhnin napalm ndaj fshatarëve vietnamezë dhe kur ishte ende e mundur për shumë që të besonin se vetëm dhuna dhe komunizmi mund të mposhtnin imperializmin ekspansionist amerikan.

Për të majtën e Amerikës Latine, ky vizion ka mbetur një arkaizëm. Në Kolumbi, kontribuoi për trazirat shkatërrimtare të FARC-ut, që përfunduan vetëm vitin e kaluar dhe ato nga ELN, një grupi guevarist që deklaroi armëpushimin pak kohë më parë. Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, justifikon shtypjen e opozitës si një veprim anti-imperialist. Morales, i cili pas 11 vjetësh në pushtet nuk tregon asnjë shenjë se po përgatitet ta lëshojë, mund të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë.

Kaq të rënduar janë nga lentet e anti-imperializmit saqë pjesa më e madhe e së majtës së Amerikës Latine nuk arrin të dallojë që ndërhyrja amerikane në rajon përfundoi gjerësisht me mbarimin e Luftës së Ftohtë, dhe se pjesa më e madhe e më të rinjve latino-amerikanë i shohin Shtetet e Bashkuara si burim investimi, mundësie dhe progresi teknologjik (ose të paktën mendonin kështu përpara ardhjes së presidentit Donald Trump). Por dogmat e vjetra vështirë se vdesin.

“La Cordillera”, një film i ri argjentinas e portretizon një diplomat amerikan si dikë që ofron një rryshfet të majmë ndaj një presidenti të trilluar argjentinas (luajtur nga Ricardo Darín, fitues i Oskarit për filmin “Sekreti në sytë e tyre”). Rryshfeti jepet për të votuar kundër një karteli rajonal të naftës propozuar nga një lider leftist brazilian. Filmi ngjan se është i pandjeshëm ndaj faktit që Amerika Latine sapo ka përjetuar diçka që është e kundërta e asaj që paraqitet: kompanitë e afërta me presidentin e krahut të majtë në Brazil po hedhin paratë lumë për të zgjedhur kandidatë miqësorë me ta në vende të tjera dhe më pas u paguajnë rryshfete për të fituar kontratat publike.

Në pikëpamjen e Guevarës, barazia duhet të arrihej përmes nivelimit. Si ministër i Industrisë në Kubë, ai donte të shpronësonte çdo fermë dhe çdo dyqan. E vërtetë që Kuba u ofron qytetarëve një kujdes të arsyeshëm shëndetësor dhe arsimim, i ndihmon të përballen me uraganet, por këto arritje kanë ardhur me koston e rrogave të mjera, mohimin e mundësisë dhe shtypjen e dhunshme të kundërshtarëve. Në pastiçion venezueline të revolucionit kubanez, instaluar nga i ndjeri Hugo Chávez, një tjetër fans i Che Guevarës, masat u varfëruan ndërsa ata afër pushtetit janë bërë mrekullisht të pasur e të korruptuar.

Gabimi i Guevarës ishte se ai mohonte mundësinë e demokracisë, apo progresit social që mund ta sillte demokracia, në Amerikën Latine. Pjesa më e madhe e vendeve në rajon nuk janë më të kontrolluara nga një oligarki e ngushtë, apo nën sundim nga jenkit.

Cilatdo qofshin gabimet apo dështimet e tyre, qeveritë reformiste në vende si Kili, Brazil apo Kolumbi kanë treguar se pabarazia, edhe pse ende e lartë, mund të reduktohet nga politikat e mira. Kur së pari Che Guevara vuri këmbën në Kubë, vendi ishte ndër më të zhvilluarit në Amerikën Latine. Përmes investimeve në shëndetësi dhe arsim, vende më të lira se Kuba e kanë arritur tashmë e në disa raste edhe e kanë tejkaluar.

Duke ngritur anti-imperializmin dhe barazinë si vlera supreme, tepër leftistë janë bërë bashkëpunëtorë  në tirani dhe korrupsion. Ata në mënyrë të turpshme, kanë refuzuar të dënojnë diktaturën e Maduros në Venezuelë. Demokracia jo vetëm ofron shpresën më të mirë për progres të masave, por ajo gjithashtu mbron të majtën kundër gabimeve të veta. Ka ardhur koha, e ka kaluar madje, që e majta të varrosë Che Guevarën e të gjejë një ikonë më të mirë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts