Auto Dak
Auto Dak

IKJA/ Lë këtë botë Kiço Blushi: pikëpyetjet që la pas njeriu i “Çiftit të lumtur”

Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare Kiço Blushi, shkrimtar, publicist e skenarist filmash. Famën më të madhe e pati pikërisht si skenarist, ku veçohet për “Benin ecën vetë”, kushtuar të birit, të shumënjohurit tjetër të fushës së letrave e politikës Ben Blushi.

Ai ishte dhe skenarist i një prej filmave më të famshëm në batuta pikante – “Koncert në vitin ‘36”. Ndërsa filmi me të cilin startoi karrierën si njeri i kinemasë sa i përket fabulave, ishte “Çifti i lumtur”. Ky film, ndryshe është dhe më problematiku prej tij, pasi përbënte një himn të kinemasë shqiptare nën komunizëm që i thurrte lavde qasjes ateiste në një lidhje martësore, duke i vënë ngjarjet në Shkodër, qytetin ku besimi fetar ka një theks të fortë në raportet ndërnjerëzore.

Interesant është fakti se pas viteve ’90 Kiço Blushi nuk pati më prodhimtari si skenarist, apo dhe si shkrimtar. Ai iu përkushtuar publicistikës, ku shkruante rregullisht në shtypin e shkruar mbi tema të politikës e shoqërore gjithashtu.

Ishte deputet i PS-së në disa legjislatura, e poashtu anëtar i PS-së në Këshillit Bashkiak të Tiranës në kohën e Ramës.

E veçanta tjetër e të qenit emër publik ishte një pozicion i tij gjithsesi diskret e i veçuar i tij; ai nuk u shfaq kurrë në studio televizive si opinionist politik apo shoqëror dhe qëndroi në distancë në shumë zhvillime, me një mungesë gati të plotë protagonizmi publik. Janë “pse” që ndoshta i ka marrë me vete në varr.

Megjithatë, në sinkron me rebelimit anti-Rama të të birit Ben, Kiço Blushi u shfaq në një prej protestave kundër kryeministrit aktual, me në krah aktorin Robert Ndrenika, i cili ka realizuar rolin brilant të Prefektit te “Koncert në vitin ‘36”, dalë pikërisht nga pena e Kiços.

E duke qenë se protesta i kushtohej një ligji për trajtimin e mbetjeve, deklarata e të ndjerit pas pyetjes së një gazetareje, qe kjo: “Kur ju pyetët Robert Ndrenikën, tha ne jemi si qytetarë, si qytetarë që kemi pranuar të jetojmë këtu, që kemi jetën këtu, që e duam vendin tonë dhe e duam të jetë edhe i pastër ekologjikisht jo vetëm nga plehrat fizike, por edhe plehrat politike. Kjo besoj është detyrë e çdo qytetari, sepse është e domosdoshme edhe për shoqërinë, edhe për të ardhmen.”

Nga ana tjetër, kryeministri Rama, në rolin e një denoncuesi dhe përtallësi mjeshtëror të kinemasë të socrealizimit si publicist, ku i merr mbarë skenaristët, në asnjë rast nuk e përfshin Kiço Blushin në penën e tij të hidhur, ngjashëm siç ka bërë me një tjetër emër të njohur, i ikur nga kjo botë dhe ai, Teodor Laço. /tesheshi.com/    

auto pjese dak

Related posts