Ibrahimovich “kundër” Suedisë: ju tregoj racizmin e fshehur ndaj meje

Thuaj Ibrahimovich e ke thënë “sherre”. Sepse gjigandi suedez vetëm “proçka” lëshon nga goja, e nuk kursen askënd kur bëhet fjalë për dinjitetin e tij. Deklarata më e fundit i kundërvihet pikërisht shtetit të tij, Suedisë.

Për 36-vjeçarin egziston një racizëm i fshehur karshi tij dhe media e opinioni në përgjithësi nuk e mbrojnë e vlerësojnë për atë që ka dhënë për Suedinë.

“Media në Suedi vazhdon të më sulmojë mua, në vend që të më mbrojë. Sepse ata nuk mund të pranojnë që unë jam Ibrahimovich. Nëse ndonjë lojtar tjetër suedez do të bënte ndonjë gabim si ato që kam bërë unë, ata do ta mbronin, ndërsa mua më sulmojnë. Megjithatë edhe kjo është ‘ok’ për mua, sepse më bën më të fortë” – ka deklaruar Zlatan, i cili i shkon edhe më tej fjalëve të hidhura.

“Eshtë si një lloj racizmi. Nuk them se është racizëm tipik, por një racizëm i fshehur. Jam 100 përqind i sigurtë se ai egziston. Sepse unë nuk jam një Anderson apo Svenson. Nëse do të isha, atëherë i gjithë opinioni do të më mbronte, edhe sikur të vidhja një bankë. Por ata nuk e bëjnë. Mbase nuk e bëjnë edhe se unë jam lojtari më i mirë i historisë së Suedisë” – është shprehur Zlatan Ibrahimovich, i cili ka lindur në Malmo, nga një baba boshnjak dhe një nënë kroate, e është rritur mes popullsisë emigrante në distriktin e Rosengard. /tesheshi.com/

Related posts