728 x 90 Leaderboard

Hummels kërkon të lërë Borusian e Dortmundit për t’iu bashkuar Bajernit të Mynihut

Një tjetër lojtar thelbësor i Borusias së Dortmundit bëhet gati t’i bashkohet Bajernit të Mynihut. Më së paku, ai ka shprehur dëshirën për një transferim të tillë.

Vetë klubi i Borusias e ka pohuar se Mats Hummels dëshiron të lëvizë në fund të sezonit, për të nisur një aventurë të re me rivalët e Bajernit.

“Mats Hummels na ka informuar mbi dëshirën e tij për ta lënë klubin këtë verë, dhe ai kërkon t’i bashkohet rivalit të ligës, Bajernit të Mynihut,” thuhet një një njoftim në faqen elektronike të klubit.

Por, siç bëhet e ditur në njoftim, ende nuk ka një ofertë zyrtare për mbrojtësin 27-vjeçar. Gjithsesi, te Borusia e bëjnë të qartë se futbollisti ka një kontratë që e mban atë të lidhur me klubin gjer në fund të qershorit të 2017-ës, e se do ta marrin në konsideratë shitjen e tij vetëm nëse do të ketë një ofertë me një vlerë të jashtëzakonshme.

Hummels luan që nga 2009-ta me Borusian e Dortmundit, dhe ka rol kyç në formacion, duke qenë njëkohësisht dhe kapiten.

Nëse largohet për te Bajerni, ai bëhet lojtari i tretë në pak vite që zgjedh të luajë për bavarezët duke i kthyer krahët Borusias së Dortmundit. Mario Götze shkëlqente në fillim të kësaj dekade në radhët e Borusias, për të kaluar në verën e vitit 2013 te rivalët e Bajernit. Të njëjtën rrugë ndoqi Robert Lewandowski një vit më pas. Nëse polaku ka goxha sukses te Bajerni, si sulmuesi numër një i skuadrës, Gotze nuk ia ka dalë për asnjë çast të jetë zgjedhje e parë. /tesheshi.com/

 

Related posts