Hulumtimi i GAP-it: 56 % e kosovarëve do të votojnë partinë e njëjtë si në zgjedhjet parlamentare

Rreth 56% e qytetarëve të anketuar janë shprehur se vota e tyre nuk do të ndryshojë nga ajo e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, kurse 14% kanë deklaruar se do të votojnë ndryshe më 22 tetor. Kështu thuhet në raportin e Institutit për Studime të Avancuara (GAP) me titull “Pritjet e qytetarëve dhe faktorët që ndikojnë në votën e tyre në zgjedhjet komunale”.

Të dhënat e përdorura në këtë raport burojnë nga hulumtimi në teren që është zhvilluar në 38 komuna të Kosovës nga data 14 deri më 25 shtator 2017.

Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin GAP, tha se rezultatet tregojnë se mbi 70% e qytetarëve janë të prirur të besojnë se zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të sjellin ndryshime pozitive për familjet e tyre dhe komunitetin ku jetojnë, por, vetëm 7% e të anketuarve janë plotësisht të bindur se do të ndodhin ndryshime pozitive pas zgjedhjeve lokale.

“ Sa i përket pyetjes se çka marrin për bazë qytetarët kur vendosin se cilin kandidat do ta votojnë për kryetar/e komune, shumica e të anketuarve janë përgjigjur se bazohen në programin dhe premtimet e kandidatit/es, por edhe në përvojën dhe edukimin e tij/saj. Rezultatet e anketës tregojnë se votuesit favorizojnë më shumë kandidatët e rinj në moshë. Programi, përgatitja shkollore dhe përvoja politike janë po ashtu faktorët kryesorë që ndikojnë në votën e qytetarëve edhe për kuvendin komunal”, tha ai.

Kurse Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin GAP, theksoi se nga analizimi i mëtejmë i përgjigjeve të anketuarve kundrejt moshës së tyre, vërehet se 71% e atyre që do të votojnë për kandidatin për kryetar të komunës që vije nga partia e njëjtë për të cilën ata kanë votuar me 11 qershor janë të moshës 18-44 vjeç ku dominon kategoria e të rinjve 25-34 vjeç.

“Në lidhje me qëndrimin e qytetarëve sa i përket votimit të një kandidati i cili nuk i përket etnisë së tyre, rezultatet tregojnë se, në përgjithësi, votuesit nuk preferojnë të votojnë dikë nga etnitë tjera, pa marr parasysh përgatitjen e tij/saj. Qytetarët e anketuar, të cilët kanë më shumë kontakte me pjesëtar të komuniteteve tjera, siç janë Prizreni dhe Mitrovica, janë më të prirë të votojnë për kandidatët e etnive tjera. Gjithashtu, të anketuarit nga komuniteti boshnjakë, serbë dhe shqiptarë janë më refuzues ndaj kandidatëve të etnive tjera, se sa të anketuarit nga komunitetet egjiptianë, romë apo goranë”, tha ai.

Matja e opinionit është bërë nga “UBO Consulting”, me ç ‘rast janë anketuar 1,065 qytetarë të Kosovës: shqiptarë (818), serb (150) dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera (97).