728 x 90 Leaderboard

Historia e tre ligjeve të famshme me Ramën në opozitë: a vlen t’ia kujtojnë sot politikisht?

Nga Ermir Hoxha

Opozita nuk e përmend, por zëra mediatikë po, atë që Edi Rama ndërrmori përgjatë opozitës së dytë të tij: presionin ndaj mazhorancës nëpërmjet tre ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar si kusht për dhënien e statusit kandidat. Rama tha: votojmë tre ligjet, nëse na ktheni Qarkun e Fierit, për të cilin pretendonte se mazhoranca e rrëmbeu forcërisht pas zgjedhjeve lokale të 2011-ës.

Dhe sot, kur Rama pret vendimin për hapjen e negociatave, e duke aluduar se opozita po përpiqet ta pengojë këtë me anë të thirrjes për protesta dhe nxirrjes së imazhit të Shqipërisë nëpër kancelaritë europiane, atij i sillen në kujtesë tre ligjet e famshme. E fundit qe Ilva Tare.

Por a është e njëjta gjë? Le të bëjmë një retro të fatit të tre ligjeve.

Pas 1 prillit 2013 PS-ja hoqi bllokimin dhe ato u miratuan menjëherë, por statusi kandidat Shqipërisë iu dha vetëm në vitin 2014.

Bëhen fjalë për  ligjet: “Për nëpunësin civil”, atë “Për disa ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë” dhe “Reformës parlamentare”, ku përfshiheshin, veç rregullores, dhe disa ndryshime në ligjin “Për statusin e deputetit” ku thelbi ishte heqja e imunitetit parlamentar.

Komisioni Europian, pas përplasjeve që ndodhën në Shqipëri në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009 i kërkoi qeverisë që të vendoste një regjim parlamentar normal, ku të mos përjashtoheshin deputetët e opozitës dhe kryeparlamentari të mbajë një pozitë të paanshme.

Rregullorja e Kuvendit duhet t’i jepte të njëjtën hapësirë diskutimi si kryeministrit ashtu edhe shefit të opozitës, si është sot. Ndërkohë kërkohej heqja e imunitetit parlamentar për hetimet.

Partia Socialiste doli në atë kohë nga zgjedhjet parlamentare si parti e parë në vend, por PD me koalicionin e bërë me LSI-në kishte 74 deputetë.

Pra kishte shumicën relative për të qeverisur, por jo mazhorancën absolute për të ndërmarrë reforma strukturore. I duhej që opozita të hynte në proces për të diskutuar dhe miratuar ligje me shumicë të cilësuar.

PS-ja nga ana e saj, pas votimeve të vitit 2009, kërkoi që të hetoheshin zgjedhjet paelamentare, duke hapur të paktën kutitë e materialeve zgjedhore në zona të veçanta.

Kjo kërkesë nuk u pranua nga ana e mazhorancës dhe situata politike mbeti peng e një mosmarrëveshjeje të madhe që shkoi deri në konflikt verbal.

Ndërkombëtarët inicuan një dialog në fillim me ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm Bamir Topi, por edhe të krerëve të PPE-së dhe PSE-së, të cilët realizuan darkën e famshme në restorant “Krokodili” në Strasburg.

Problemet që shtrohen janë dy: a do ta merrte Shqipëria statusin kandidat nëse miratoheshin tre ligjet dhe a është fajtore vetëm PS-ja për mo miratimin e tyre? Mjafton të shikosh progress-raportet e Komisionit Europian në vitet 2010, 2011, 2012 për të parë se cili ka qenë lakmusi i Europës.

Në këto progress-raporte, qeveria, apo mazhoranca, kritikohet hapur për kontroll politik të institucioneve të pavarura dhe tentativë për të marrë në dorë ata institucione që ende nuk i kontrollonin si SHISH apo Prokuroria, që i mori me zgjedhjen e Bujar Nishanit-President.

Nëse PS-ja do të votonte “tre ligjet” në Kuvend, do të thoshte jo thjesht votimi mekanik i këtyre kushteve të BE-së, por hyre e opozitës në një proces politik konsensusi me mazhorancën. Pra thelbi i funksionimit të sistemit që e kërkon BE edhe sot.

Mirëpo PS-ja e cila numerikisht kishte mundësitë për të diktuar disa ligje në Kuvend, kërkoi të hynte në proces nëpërmjet hetimit të zgjedhjeve. Dhe këtë e kishte si kërkesë të panegociueshme. Nuk bëhej fjalë për kërkesa ekstreme si largim të qeverisë apo burgosje të ministrave.

Mazhoranca, nga ana e saj nuk  bëri përpjekje për të hyrë në proces por refuzoi kërkesën e Ramës, duke e poshtëruar atë politikisht. Në atë kohë, në çdo seancë  parlamentare apo debat televiziv i kujtoheshin tre ligjet, kurse në panelet televizive diskuri ishte mjaft i dhunshëm.

Në një situatë bllokade siç ishte, duhet thënë se fajtor është si pala që mban peng situatën, por edhe ajo që nuk punon për të zhbllokuar.

Gjithsesi, paralele nuk mund të vihen. Tre ligjet ishin e vetmja armë e opozitës atë kohë për t’i diktuar diçka mazhorancës. Vërtet që Qarku i Fierit ishte diçka krejt pa rëndësi, por opozita vinte nga dy palë zgjedhje ku ishte goditur rëndë nga mazhoranca, deri në rrëmbim mandati  ditën  për diell, siç ishte rasti me Tiranën në garën Rama-Basha. Ndërsa opozita e sotme nuk ka asnjë problem me mazhorancën sa i përket trajtimit dhe të drejtave ndaj saj. Të gjithë zhurmën ajo e bën për standarte qeverisëse. Ndërsa opozita e djeshme ishte e kërcënuar direkt nga shumica.

Dhe tre ligjet, ishin e vetmja mënyrë që ajo të ndihej që ekzistonte. Sot nuk është ky precedent. Opozita, edhe pse Rama i jep rëndësi duke kërkuar prej saj atdhedashuri në performanë politike, nuk ka gjë në dorë në negociata, në kuptimin juridik të fjalës. Edhe protestat, makar dhe denoncimet e saj kancelarive të cilat Rama i përkthen si cenim imazhi, janë e drejtë dhe zgjedhje e saj. /tesheshi.com/  

 

Related posts