reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Histori e rrallë refugjatësh sirianë në Kanada: Familja që u shndërrua në punëdhënëse brenda një viti

Një familje siriane në Antigonish, Nova Scotia, thonë se pas qëndrimit të tyre një-vjeçar në Kanada, ata janë tashmë financiarisht të pavarur, si rezultat i një fillimi të suksesshëm të biznesit të tyre atje.

Familja Hadhad janë kaq të suksesshëm, sa ata tani punësojnë 10 njerëz në një dyqan të tyre të vogël çokollatash. Familja Hadhad mbase janë ish-refugjatët më të njohur që kanë shkelur në tokën e Kanadasë. Historia e tyre ka evoluar përtej asaj që ndonjëri prej tyre mund të kishte imagjinuar.

Familja Hadhad kurrë nuk kishte hipur në një avion para se të marrin udhëtimin e tyre në Nova Scotia.

Ata shkelën tokën e Kanadasë thuajse pa asnjë gjë, pos një valixhe me veshje, të lodhur dhe të shqetësuar në lidhje me atë çfarë po i priste. “Unë po mendoja se gjetja e një pune do të jetë e vështirë për mua dhe familjen time”, thotë djali i madh Tareq Hadhad, për CBC News.

Por ata e kishin gabim. Aseti më i madh i tyre ishte pikërisht aftësia e tyre për të përgatitur çokollata, një ish-biznes ky i familjes së tyre. Madje, ata nuk kishin fare nevojë për ndonjë përkthim. Komuniteti përqafoi familjen Hadhad dhe ëmbëlsirat e tyre. Brenda disa muajsh, ata kishin filluar të shesin në tregjet e fermerëve në Nova Scotia.

Vullnetarët në Antigonish ndihmuan në ndërtimin e një fabrike. Agjencitë e lajmeve në mbarë botën filluan t’i thërrasin për të mësuar mbi përvojën e tyre. Depërtimi i tyre më i madh ishte kur kryeministri Justin Trudeau vuri theksin në arritjet e tyre në një fjalim në Kombet e Bashkuara.

“Ne vetëm kemi eksploruar çdo opsion për t’u integruar sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Tareq Hadhad. Hapat e tyre të ardhshëm janë zgjerimi i biznesit. Ata filluan me pranimin e porosive në internet për çokollata pak para Krishtlindjeve, por u desh ta mbyllin pothuajse menjëherë, sepse nuk mund t’i përballonin gjitha kërkesat.

“Kemi pasur mijëra porosi”, thotë Tareq Hadhad. Dhjetë anëtarë të rinj të stafit do t’i ndihmojnë ata që t’ia dalin me gjitha ato kërkesa, por atyre do t’u duhet më shumë ndihmë. Hadhad thotë se ata e kuptojnë se familje të tjera siriane janë duke hasur në vëshirësi më të mëdha me tranzicionin.

Plani i tyre është që të punësojnë disa prej tyre në vende të tjera, me qëllim që t’u ndihmojnë në shpërndarjen e prodhimeve të tyre.

E ndërsa të gjithë anëtarët e familjes janë duke ndihmuar me dyqanin e tyre të çokollatave, vajza e tyre adoleshente Batoul thotë se ka plane për të cilat ajo mund nuk ka mundur të imagjinojë një vit më parë. Ajo dëshiron të shkojë në universitet dhe të studiojë gjeografinë. /tesheshi.com/