728 x 90 Leaderboard

Higuain lë Napolin në baltë: mund të dënohet me katër ndeshje pezullim

Napoli pësoi një humbje të papritur karshi Udinezes në fundjavë, me shpresat të fashitura disi për fitimin e kampionatit, pasi Juventusi i vendit të parë është tashmë gjashtë pikë larg tyre.

Gonzalo Higuain shënoi golin e vetëm për skuadrën e tij në humbjen 3-1, por nuk arriti t’i përmbante nervat në pjesën e dytë, kur mori kartonin e kuq.

Ishte minuta e 75-të, dhe Napoli gjendej në humbje. Argjentinasit i tregohet kartoni i kuq, dhe ai reagon duke e shtyrë gjyqtarin Massimiliano Irrati. Shokët e skuadrës do ta tërhiqnin, por kjo nuk pinte më ujë: kamerat kishin fiksuar gjithçka.

Raporti i gjyqtarit të ndeshjes thuhet të mos përmendë një sjellje të dhunshme, por thjesht flet për një “shtyrje të lehtë”.

Katër ndeshje pritet të dënohet Gonzalo Higuain, çka do të ishte katastrofë për Napolin, që do të humbte lojtarin e vet më të mirë. Higuain ka shënuar deri më tash 30 gola në kampionat, duke kryesuar listën e golashënuesve.

Sugjerohet se nëse gjyqtari i takimit nuk do ta kishte përdorur fjalën “e lehtë”, dënimi mund të ishte akoma më i ashpër, me dhjetë ndeshje pezullim.

Nëse Higuain dënohet me katër ndeshje, ai nuk do të jetë i pranishëm në përballjet e Napolit me Veronën, Interin, Bolonjën dhe Romën.

Më keq se kaq nuk mund të shkojë për Napolin, që sheh t’i ikë dalëngadalë përsëri titulli nga duart. /tesheshi.com/   

Related posts