728 x 90 Leaderboard

Harta turistike e Izraelit për Jeruzalemin synon të formësojë narrativën hebreje

Duke kaluar një gisht mbi hartën e re turistike të Qytetit të Vjetër në Jeruzalem, Husam Jubran numëron një numër vendndodhjesh kulturore dhe vendesh të shenjta dhe i krahason ato me versionin e vjetër të hartës, të dyja të dala nga ministria e Turizmit të Izraelit.

Në krah të njëra-tjetrës, hartat kanë një ndryshim të dukshëm. Versioni i vjetër, publikuar më herët këtë vit, u kritikua ashpër për promovimin e një narrative që mbante anën e izraelitëve të vendosur në qytetin e Vjetër dhe rrethinat e tij.

Në të shfaqej një dizenjim i detajuar dhe një listim kyç prej 57 vendesh përgjatë Qytetit të Vjetër dhe lagjeve rrethuese të tij. Pjesa më e madhe e vendeve të etiketuara në hartë ishin me pak interes për turistët, ku përfshiheshin jeshivat apo qendrat për studimin e Torahut, dhe ndërtesa të menaxhuara nga organizata radikale hebreje. Në të njëjtën kohë, çelësi i hartës nuk arrinte të lokalizonte vende të rëndësishme të shenjta për vizitorët e krishterë dhe muslimanë, përfshirë xhaminë al-Aqsa dhe vendndalimet e Kryqit.

Versioni i ri, publikuar së fundmi, nga ana e ministrisë izraelite të Turizmit, është më i hapur dhe zgjeron disa nga vendet e shenjta kyçe që tërheqin me miliona vizitorë në Jeruzalem, për çdo vit.

“Kemi të gjitha vendet e krishtera dhe ato muslimane – ato janë barazim, duke shmangur fjalë të tilla kontroverse si Mali Tempull-Haram al-Sharif, që unë mendoj se është mirë”, thotë Jubran, guidë turistike që ka punuar në territoret izraelite dhe palestineze që prej vitit 1999.

Duke shqyrtuar hartën e vjetër në krah të së resë, Jubran vë në dukje se harta e re ka një “përmirësim të jashtëzakonshëm”. “Eshtë më përfshirëse… kam dyshime nëse ndonjë udhërrëfyes palestinez do të jepte me dëshirë hartën e vjetër tek turistët, shton ai. “Në të listohen vendet që palestinezët i konsiderojnë vendbanime”.

Harta nënvizon Al-Aqsa, rrugën e ndalimeve të Kryqit dhe kishën e Shën Anës, ndërsa ka shmangur vende të lidhura me organizata vendbanimesh të krahut të djathtë si Ateret Cohanim, që synon të zëvendësojë banorët palestinezë të qytetit me të ardhur izraelitë.

Duke mos pranuar se kishte probleme me versionin e vjetër, ministria e Turizmit të Izraelit tha për “Al Jazeera”-n se i kishin mbarur kopjet e hartës së vjetër dhe kishte nisur të shpërndante kopje të reja në vend të tyre.

Megjithatë, zëdhënësja e kësaj ministrie, tha se harta që vë në dukje xhaminë al-Aqsa dhe shmang vendbanimet izraelite, është “vetëm një version i përkohshëm”. Ajo theksoi se ministria e Turizmit po punon për një version të ri për printim dhe shpërndarje për turistët dhe vizitorët në Qytetin e Vjetër”

Zëdhënësja nuk pranoi të japë shpjegime nëse ky version i ri do të jetë më pranë hartës së vjetër apo asaj të re.

Edhe pse versioni aktual është më përfshirës sesa i vjetri, përfaqësimi i Qytetit “David Park” është ende problematik. Kjo sipas organizatave të të drejtave të Njeriut që ofrojnë rrugëtime në lindjen e pushtuar të Jeruzalemit.

Ndërsa parku është pjesë e rrjeteve izraelite të parqeve, menaxhimi ditor i është dhënë një organizate private që punon për të blerë apo marrë shtëpitë e palestinezëve në Jeruzalemin Lindor dhe për vendosjen aty të familjeve izraelite, në vend të tyre. Parku ndodhet në lagjen palestineze të Siluanit, por ky komunitet nuk shfaqet fare në hartë. Në vend të tij, qyteti David Park duket se rrethohet nga hapësirë e gjelbër e lirë.

Një gjë e tillë kërkon të shmangë faktin që parku është vendosur në një lagje palestineze e jo vetëm fshin historinë e tyre, por edhe vetë ekzistencën e komunitetit.

Në tetor, UNESCO miratoi një rezolutë që kritikonte politikat izraelitë në Jeruzalem, përfshirë edhe dështimin e Izraelit për të ndalur punimet e gërrmimit në dhe rreth Qytetit të Vjetër.

UNESCO gjithashtu kritikoi Izraelin për miartimin e një sërë projektesh turistike në Jeruzalemin Lindor të organizatave të vendbanimeve, përfshirë qendrën Kedem, një plan kontrovers për të ndërtuar një qendër masive në Siluan përgjatë rrugës nga David Park. Plani synon margjinalizimin e banorëve palestinezë.

(Përshtatur nga Al Jazeera)

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts