reklama juaj ketu

Harta: Bota është më e qëndrueshme nga sa sugjerojnë edicionet e lajmeve 

Por, brishtësia u rrit në disa vende që nuk pritej, sipas një indeksi të ri.

 Viti 2016 ishte një vit i pabesueshëm për liberalizmin ndërkombëtar. Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian, Donald Trump u zgjodh president i Amerikës dhe dara autoritariste u rrit në disa vende të rëndësishme si Kina apo Rusia. Pavarësisht gjithë përpjekjeve për ta bindur, Koreja e Veriut vijoi të marshojë drejt statusit si fuqi bërthamore, luftërat e përgjakshme vazhduan në Sudanin e Jugut, në Siri dhe Jemen. Mund të jetë e dukshme, në këtë mënyrë, të mendohet se ishte një vit gjatë të cilit bota u bë më pak e qëndrueshme.

 Por, një indeks i ri i “brishtësisë” globale nga Fondi për Paqen, një kompani opinion-mbledhëse, sugjeron, se pas të gjithash, bota nuk është bërë në fakt më e brishtë. Që prej vitit 2005, Fondi për Paqen (FfP) mat stabilitetin në 178 vende duke kombinuar tre lloje të ndryshme informacioni. Së pari, kërkuesit e ekipit gërrmojnë në 40 deri në 50 milionë artikuj në anglisht nga 10 mijë burime për të gjetur prova të brishtësisë, që nga rrëshqitjet e tokës deri tek zhvendosja e popullsisë. Së dyti, ata përdorin të dhëna sasiore nga organizata shumëpalëshe të tilla si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në fund, ekspertët kontrollojnë rezultatet për të pasur sigurinë se rezultati i çdo vendi ndiqet nga pritshmëritë. Në total, 100 kritere përzihen për të dhënë 12 tregues të brishtësisë, që nga “pakënaqësitë në grup” deri tek cilësia e shërbimeve publike.

 Rezultati është një pikavarazh i vetëm për secilin vend, që mat brishtësinë e tij që nga zeroja deri tek 120-a (në radhën nga më pak të brishtët deri tek vendet më të paqëndrueshme).

 Në këtë indeks ka disa surpriza të mëdha: Finlanda është vendi më i qëndrueshëm apo stabël në botë dhe Sudani i Jugut më pak i qëndrueshmi. Pasi peshuan rezultatin e secilit vend krahasuar me popullsinë, brishtësia e përgjithshme globale ndryshon pak nga viti 2015 në vitin 2016. Por një ndryshim i tillë i vogël maskon lëvizje të forta rajonale: stabiliteti më i madh në Azi dhe në Bashkimin Europian ballancohet nga brishtësi më e madhe në Amerikën e Jugut dhe në Afrikën sub-Sahariane. Zgjedhjet e polarizuara presidenciale në Amerikë vitin e kaluar e kanë rritur brishtësinë e vendit me 1.6 pikë përqindje.

 Indeksi është ndoshta më i çmuari, për shkak se përbën një sinjal të hershëm për konfliktet potenciale. Për këtë arsye, ajo që ka rëndësi janë ndryshimet nga viti në vit, sesa diferencat e zakonshme me dekada midis kombeve – edhe pse ka disa rezultatet që nuk përputhen me intuitën. Për shembull, stabiliteti i Brazilit u përkeqësuar dy herë më shpejt sesa ai në Venezuelë gjatë vitit 2016 (edhe pse u nis nga një bazament më solid). Ndërkohë, brishtësia në Afrikën e Jugut u rrit me 2.4 pikë përqindje vitin e kaluar dhe do të ishte shumë më keq nëse nuk do të ishte për fuqinë e institucioneve të saj, thonë ekspertët e FfP-së.

 Etiopia, prej kohësh favoritja e ekspertëve të zhvillimit, aktualisht përbën shkak për shqetësim: thatësira ka sjellë konflikte në lidhje me kullotat e bagëtive.

Ajo që me gjasa mund të ndezë sinjalin e alarmit është e vështirë për t’u parashikuar. Ndikim ka fakti sesa elastikë mund të jenë individët. Por, ka një limit në nivelin e vështirësive që mund të durojnë njerëzit përpara se të kërkojnë ndryshimin me të gjitha mjetet që mund të përdorin. /tesheshi.com