Haradinaj i fali 58 milionë euro prodhuesve të ujit, shoqëria civile kërkon hetim nga prokuroria

Nga Bashkim Kastrati

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka marrë një vendim të çuditshëm për faljen e as më pak se 58 milionë eurove për prodhuesit e ujit që operojnë në Kosovë. Këta prodhues që veprimtarinë e tyre e kanë nisur që nga paslufta e mashtruan shtetin duke mos paguar asnjë cent për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave dhe shfrytëzim të inerteve.

Haradinaj e mori këtë vendim përkundër faktit se shumë nga kompanitë që u “amnistuan” ishin dënuar për mashtrim më herët nga gjykatat kompetente dhe shumë tjera ende janë në proces gjyqësor me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Aprovohet falja e borxheve për Ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 02/2016 për Strukturën e Pagesave të Ujit”, thuhet në vendimin e Haradinajt, i cili ka hyrë në fuqi qysh ditën e nënshkrimit.

Në bazë të dokumenteve që ka publikuar “GazetaFjala”, borxhliu më i madh del te jetë ndërmarrja sh.p.k. “Arbëria” që prodhon “Ujin e Alpeve”, e cila ka borxh mbi 9 milionë euro. Vendin e dytë e zë ndërmarrja “Fluidi” me afro 4.5 milionë euro, e pasuar nga “Compact Group” që prodhon ujin “DEA” apo uji “Miros” që kanë mbi 3 milionë euro borxhe secila.

Ndërkaq, neni 12 i Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesës së Ujit, i cili u shfuqizua nga vendimi i kryeministrit Haradinaj, ka paraparë që të gjitha borxhet e akumuluara që nga paslufta, prodhuesit duhet t’i paguajnë në mënyrë retroaktive.

“Të gjithë detyruesit te cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ nuk i kanë kryer detyrimet, obligohen që brenda afatit prej dy (2) vitesh t’i kryejnë detyrimet e parapara me Udhëzimin Administrativ Nr.06/2006”. UA nr 02/2016 ka hy në fuqi në mars të vitit 2016”, thuhet në këtë nen.

Ky vendim i kryeministrit Haradinaj për faljen e borxheve prodhuesve të ujit vjen përkundër faktit se këto borxhe po trajtoheshin nëpër gjykata. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vite që është duke u përballur me këto kompani në gjykata, për kthimin e borxhit.

Falja e borxheve nuk mund të bëhet pa aprovimin e Kuvendit të Kosovës

Kundër vendimit të kryeministrit Haradinaj për faljen e borxhit për prodhuesit e ujit kanë reaguar Instituti GAP, GSJP dhe INDEP. Këto OJQ e kanë kundërshtuar këtë vendim duke e cilësuar si të kundërligjshëm, të padrejtë dhe i cili dëmton qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave dhe buxhetin e Kosovës.

Këto OJQ theksojnë se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës. Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore.

“Falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit gjithashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit, do t’i paguajë të gjitha shpenzimet të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”. Kësisoj, falja e borxheve nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marr aprovimin e kuvendit. Shembull për këtë është edhe Ligji për faljen e borxheve publike, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se përveç këtij neni, është shkelur parimi i përfshirjes në diskutim të palëve të interesit nga po i njëjti ligj. Sipas këtij parimi “organet kompetente janë të detyruara që të sigurojnë, që në procedurën për miratimin e dispozitave, dokumenteve strategjike, plan – programeve dhe vendimeve të marrin parasysh interesat e palëve të interesuara”.

Këto tri OJQ konsiderojnë se në procesin e marrjes së këtij vendimi ka pasur mungesë të plotë të transparencës dhe qartazi janë përjashtuar akterë tejet të rëndësishëm në këtë proces siç janë: Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, shoqëria civile, etj. Ky vendim gjithashtu paraqet ndërhyrje të qeverisë në kompetencat e gjyqësorit, kjo për arsye se mediat kanë raportuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shtruar padi ndaj disa prej borxhlinjve të lartcekur.

“Përveç se i kundërligjshëm, vendimi për faljen e borxheve cenon edhe qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave. Në bazë të Ligjit për ujërat e Kosovës mjetet financiare për administrimin, menaxhimin dhe zhvillimin e ujërave sigurohen pikërisht nga pagesat si ato të ambalazhuesve të ujit dhe të shfrytëzuesve tjerë. Sa për ilustrim, borxhi i falur është në vlerë prej rreth 51 milionë euro, ndërsa buxheti për investime kapitale i MMPH-së për vitin 2017 është rreth 46 milionë euro. Rritja e buxhetit për këtë sektor do të ndihmonte që të ndërmerren masat e nevojshme që menaxhimi i ujërave në Kosovë të përmirësohet”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Duke marrë parasysh të gjitha këto argumente, Instituti GAP, INDEP dhe GSJP kërkojnë që vendimi për faljen e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit të revokohet. Në mënyrë që të balancohen kërkesat dhe nevojat, si të sektorit të ujërave ashtu edhe të prodhuesve të ujit, i njëjti vendim duhet të hidhet në diskutim publik me të gjithë akterët relevant, si dhe një vendim eventual duhet të marr aprovimin e Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë shtetëror i cili autorizon grumbullimin e të hyrave dhe ndarjen e shpenzimeve buxhetore.

Njëkohësisht, këto OJQ i bëjnë thirrje Prokurorisë së Kosovës të fillojë hetimin e personave dhe zyrtarëve të përfshirë në këtë vendim të jashtëligjshëm dhe motivet financiare të këtij vendimi. /tesheshi.com/