Hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj fyerjes së Ismet Totos: i pushkatoi të vëllanë më 1947-ën me të fundit fjalë “më jepni një krëhër”

Historia e rrallë e familjes që u persekutua nga dy regjime, ai i Zogut dhe më pas ai komunist i Enver Hoxhës. Kush është Ismet Toto, i pushkatuar nga Zogu, shqiptari që i kushtoi një libër mikut të tij, udhëheqësit turk, Mustafa Kemal Ataturk; njeriu të cilit iu vodh dhe batuta para varjes, “Më jepni një krëhër”, të riut rebel që fyeu Enver Hoxhën dhe pse diktatori u hakmorr duke i vrarë vëllanë me grupin e deputetëve të pushkatuar në vitin 1947…
 
“Më jepni një krehër”, batuta që thotë aktori që luan rolin e Vasil Naçit, të riut që guxoi të qëllonte mbi Viktore Emanuelin, pak para pushkatimit është ngulitur në mendjen e çdo shqiptari. Por siç bën çdo lloj propagande dhe ajo komuniste i përdorte batuta të tilla për ta bërë heroin më shumë hero, e ku artistikja përzjehet me atë që ka ndodhur realisht pa një kufi të qartë.
Kjo batutë mund të ishte shpikur nga skenaristi i filmit “Plumba mbi Perandorin” prodhuar nga Kinostudioja e re, por në fakt ishte një batutë e famshme e viteve ‘30 dhe ishte thënë jo nga ai që regjimi komunist vendosi të shpallë hero, por nga një tjetër i pushktatuar në kohën e Ahmet Zogut.
Bëhet fjalët për Ismet Toton, por pak njerëz e njohin dhe pak është folur për të, pasi ai dhe familja e tij ishin destinuar të ishin në luftë me të gjithë pushtetet. Por mbesa e tij, profesoresha e historisë dhe ish-drejtore e arkivit të shtetit, Nevila Nika, ka vendosur më në fund të shkruajë e të nxjerrë të vërtetën e familjes së saj, të gjyshit e të vëllait të tij të vrarë në 1947 nga regjimi i Hoxhës.
 
Kush ishte Ismet Toto dhe njohja e tij me Enverin
 
Ismet Toto u dënua me vdekje nga regjimi i Mbretit Zog pasi udhëhoqi një kryengritje të armatosur kundër Zogut.
Por ai nuk e quante veten një ushtarak, përkundrazi ishte një nga intelektualët e kohës, gazetar e studiues, filozof, që shkruante në gazeta dhe kishte botuar disa libra.
Toto nga Gjirokastra njihej për miqësinë e veçantë që kishte me babain e Turqisë moderne, Kemal Ataturk, dhuratat e të cilit i konfiskoi xhandarmëria e Zogut, dhe për një libër që ai kishte shkruar pikërish për të me titull; “Gazi-Kemal Ataturk (1935)”.
Kredoja e bindjeve të tij ishte: “Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen.”
Dhe në fakt ai ishte nga ata që u dogjën, madje e gjithë familja e tij.
“Viti 1937 kishte sjellë në familjen Toto kob, zi, gjëmë. Et-hemi, djali i madh i familjes Toto, pas një karriere të suksesshme në administratën e kohës, i zhgënjyer nga paaftësia dhe korrupsioni që kishte kapluar vendin, kishte vendosur të ngrinte krye. I rrethuar nga vëllezërit e tij, të afërm, miq, shokë e sidomos i mbështetur fort në reputacionin që ai dhe familja e tij gëzonte në mbarë vendin, nga Veriu në Jug, në maj të vitit 1937 ai udhëhoqi një kryengritje të armatosur. Duke qenë e paorganizuar siç duhej dhe për shkak të tërheqjes në minutën e fundit të disa prej përkrahësve të tij kryengritja u shtyp egërsisht brenda një kohe të shkurtër.
Gjyshi im, Ismeti, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje më 12 korrik 1937 në Kalanë e Gjirokastrës, ndërsa dy vëllezërit e tij, Et-hemi e Tahsimi dhe xhaxhai i tyre, Arifi, ishin vrarë ditë më parë. Shtëpinë e Totove e kaploi zija. Mbrapa kishin lënë babanë e moshuar, bashkëshortet, atë të Et-hemit dhe Ismetit, që ishin edhe motra, dhe 6 fëmijë nga më i madhi 10 vjeç e deri 1 vjeç. Shtëpia e Totove u bastis nga xhandarmëria zogiste. Humbën gjatë kësaj bastisje mjaft sende e objekte të çmuara të familjes. Me këtë rast humbën ose më troç u rrëmbyen  letra origjinale që Mustafa Kemal Ataturku i kishte dërguar Ismetit së bashku me penën e kallamarin e bojës prej ari në shenjë falenderimi për librin që ai kishte shkruar për të. Nuk u gjetën kurrë. E vetmja shenjë e kontaktit të Ismetit me Ataturkun është një kopje e librit “Gaziu” dërguar  atij nga vetë Ismeti dhe që ndodhet në Bibliotekën e tij në Ankara.
Gjirokastra e përcolli  Ismetit me të gjitha nderimet. Dyert e familjeve gjirokastrite Çuçi e Hajro u hapën për kësollë, populli e vajtoi me ligje e  xhandarmëria vëzhgonte e njoftonte Tiranën zyrtare. Gjesti i padëgjuar më parë i Ismetit para ekzekutimit, kërkoi krëhër për të rregulluar flokët e tij të dendur e të dredhur rregulloi xhaketën dhe u ngjit vetë në stol. E pikërisht aty ai kreu aktin e fundit heroik, nuk pranoi që xhelati ti hiqte stolin, por duke thënë….”nuk ka mbetur Ismet Toto  që ti heqë fronin xhelati i kalasë së Gjirokastrës”, e largoi vetë atë” – shkruan mbesa e tij historiane, Nevila Nika.
 
Dënimi i dytë nga komunizmi për një fjalë goje
I fundmit i vëllezërve Toto i mbetur gjallë nuk mund t’i shpëtonte destinit të familjes. Ai u mor me politikë dhe u zgjoidh deputet fill pas çlirimit dhe vendosjes së komunistëve në pushtet. Sipas Nikës, ekzekutimi i tij kishte po ashtu lidhje me Ismetin, vëllain e tij të pushkatuar 10 vjet më parë, i cili  e kishte njohur Enver Hoxhënm dhe kishte pasur një konfrontim me të që atëherë.
“Në vitin 1947 ekzekutohet edhe vëllai i fundit, Selahudini 34 vjeçar, deputet i Kuvendit Popullor. Si ish-nxënës i Shkollës Teknike, pra i Harri Fulcit, u akuzua nga regjimi komunist se ‘kishte pasur lidhje me Misionin Aleat Anglo-Amerikan, se ishte kundër marrëdhënieve tejet të ngushta me Beogradin zyrtar, se donte që Shqipëria të ishte pjesë e pandarë e Europës Perëndimore’.  Por vetëm pas rënies së regjimit komunist zoti Mentor Çoku, pinjoll i familjes të njohur të Iliaz pashë Dibrës, dha një dëshmi që davariti çdo lloj hamendësimi të bërë në mjedisin tonë familjar në dekada.
Ngjarja e treguar prej tij kishte ndodhur në mesin e viteve ’30, ndoshta më 1935. Asokohe zoti Mentor, mik shumë i afërt me Ismetin, gjatë një takimi të zhvilluar në një prej lokaleve më në zë të Tiranës, ku merrnin pjesë të rinj intelektualë, përfshihet në një debat të ashpër me Enver Hoxhën. Ky i fundit, duke folur me përçmim për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar, shkakton reagimin e ashpër të zotit Çoku, i cili përpiqet edhe ta godasë. ‘Pikërisht në atë çast, – kujton zoti Çoku, – miku im i mirë Ismeti ndërhyn dhe më qetëson duke më thënë: ‘Mentor, nuk ia vlen ta qëllosh. Ai është aq maskara, sa edhe nëse ti e pështyn në fytyrë, ai ngre sytë lart dhe thotë se po bie shi.’ Nuk është e vështirë të merret me mend reagimi i të pranishmëve. Enver Hoxha nuk e harroi kurrë fyerjen dhe u hakmor ndaj gruas e fëmijëve të Ismetit si edhe vajzës së vetme të Mentor Çokut, zonjës së nderuar Valbona Çoku-Miraka” – dëshmon Nika.
Rërfimi i mbesës së Ismet Totos  vjen si paarthënie e një libri të veçantë me tregime dhe shkrime të botuara në shtypin e asaj kohe prej tij, një përmbledhje e bërë pikërish nga Nevila Nika.
Libri “Afër dhe larg” me autor Ismet Toton, botim i UET-Press promovohet nesër. Në libër ka dhe rrëfime nga vëllezrit e tij, Selahudin dhe Et-hem Toto. /tesheshi.com/