Guardiola sërish fitues ndaj Mourinho-s: një Man. Siti krejt ndryshe nga ai i Pellegrini-t

Duhet pranuar: Pep Guardiola është një trajner i jashtëzakonshëm! E jo sepse ka fituar shumë trofe me ekipet e tij, por sepse bën të ndjehet dora e tij kudo nga shkon.

Në pak muaj ai ia ka dalë ta shndërrojë Mançester Sitin nga një skuadër e përgjumur, thuajse e padëshiruar për të luajtur e fituar, në një ekip kompakt e krejt të aftë teknikisht për të zbatuar pikë për pikë skemat taktike.

Ky Mançester Siti nuk ka të krahasuar me atë të Manuel Pellegrini-t, që edhe pse një teknik me shumë përvojë e me karrierë të gjatë, nuk mundi të realizonte atë që ka realizuar Guardiola në kaq pak kohë.

Në “Old Trafford”, në derbin e parë të epokës së Mourinho-s e Guardiola-s, ka patur një pjesë të parë të dominuar plotësisht nga miqtë. Lojtarët e Mançester Sitit kanë bërë çfarë kanë dashur në 45 minuta.

Dy gola, të shënuar nga De Bruyne, më i miri në fushë, dhe Iheanacho, përpos një qarkullimi brilant të topit, siç mund ta bëjë vetëm një skuadër e Guardiola-s.

Në të parën ndeshje të tij me Sitin, portieri kilian Claudio Bravo, i marrë me bujë nga Barcelona, spikat me pasigurinë e tij. Pikërisht kjo pasiguri e rihap lojën në minutën e 42-të, kur Ibrahimovic shënon pas një gabimi fatal të Bravo-s.

Me rezultatin 1-2, pjesa e dytë do t’u përkiste vendasve, në kërkim të barazimit. Barazim i cili nuk erdhi, madje udhëtuesit mund ta kishin thelluar rezultatin me kundërsulmet.

Ndërsa derbi do të përfundonte me fitoren 1-2 për Mançester Sitin, dy trajnerët do të shtrëngoninpep-guardiola-manchester-city-jose-mourinho-manchester-united përzemërsisht duart e do të deklaronin:

Guardiola: “Jemi të lumtur. Mendoj se spektatorët u kënaqën, pasi ishte një ndeshje e hapur gjer në fund. Në pjesën e parë ne ishim më mirë; në pjesën e dytë ishte e vështirë. Këta djem kanë zemër!”

Mourinho: “Dy pjesët ishin krejt të ndryshme. Në pjesën e parë ishim nën nivelin për ta luajtur këtë ndeshje. Pjesa e dytë ishte ndryshe. Ishim një ekip që kishim kurajën dhe dinjitetin për ta kërkuar me krenari rezultatin. Ne merituam një gol në pjesën e dytë.”

Derbi i Mançesterit u luajt në kuadër të javës së katërt të kampionatit anglez të futbollit. /tesheshi.com/