“The Guardian”: si i shpenzon miliardat në Londër, elita e pasur e Rusisë

Oligarkët e pasur janë shndërruar në një përbërës të zakonshëm të peizazhit britanik gjatë 20 vjetëve të fundit. Por, çfarë i ofrojnë ato kulturës së vendit pritës? Në një artikull të gazetës londineze, “The Guardian” panoramohen sjelljet dhe pozicioni i elitës së pasur ruse në kryeqytetin britanik.

Në fillim të këtij mijëvjeçari, një specie e re ekzotike u shfaq në Londër. Ata ishin njerëz të llojit të të pasurve, por me ndryshime të rëndësishme nga llojet e tjera. Ata fluturonin me avionë privatë. Ata shoqëroheshin nga modele të famshme. Ata rrethoheshin nga truproja, në një vend ku edhe policia nuk mban armë. Mbajtja me të madh po aq sa edhe theksi tradhëtonin origjinën e tyre – ata vinin nga të ftohtët. Ata ishin oligarkët nga Rusia.

Fillimisht, ata nuk ishin veçanërisht të mirëpritur në një vend që këmbëngulnin ta quanin Albioni mjegullor. “Tajkuni misterioz nga Siberia” që e arriti pasurinë me “marrëveshje të ndyra nafte”, ishte epiteti më i mirë që shtypi britanik i ofroi Roman Abramoviçit kur ai kërkoi të blente Çelsin.

Gjërat ndryshuan kur oligarkët nisën të blejnë pronat më të shtrenjta në Londër dhe në Surrey, kur nisën të hapnin llogari bankare për kompanitë e tyre (shumë prej të cilave me seli jashtë vendit në territoret e ishujve britanikë) dhe kur nisën të blejnë klubet britanike të futbollit.

Boris Johnson, në atë kohë kryebashkiak i Londrës, i mirëpriti në gjuhën e tyre: Dobro pozhalovat!

Dhe ata qëndruan, duke vendosur rekorde në çmimin e pronave vit pas viti, duke qarkulluar me Mercedes-Maybachs të personalizuar, duke bërë pazar tek Harrods dhe duke darkuar në restorante që vetëm ata mund t’i përballojnë. Ata kanë qenë në qarkullim për pothuajse 20 vjet, një koloni super e pasur në zemër të kryeqytetit britanik. Shumë prej tyre mbajnë lidhje me Rusinë dhe pjesa më e madhe mbeten një shteg verbues në sistemin britanik të taksave.

Ndërkaq, londinezët përpiqen shumë për të përmbushur nevojat e tyre, si kasapë dhe arkitektë, llogaritarë dhe avokatë, dizenjues dhe mësues privatë, bërës pazari personal apo oficerë të familjes. Por lehtësuesja më e madhe e jetës së tyre ka qenë vetë qeveria britanike që ka shtruar tapetin e kuq ndaj një grupi, pasuria e pamatshme e të cilit është bërë pjesë e narrativës për një epokë të re të artë të kryeqytetit.

Pavarësisht se në cilën industri i bënë paratë oligarkët rusë, pasuria e tyre nuk është vënë me mund, në kuptimin amerikan. Nuk ka Mark Zuckerbergs apo Sergey Brins midis tyre. Shumë i kanë bërë paratë përmes transaksioneve me qeverinë e Rusisë – ose duke blerë asete nga qeveria për pak centë përmes skemave të privatizimit, ose duke shitur asete, produkte apo shërbime tek qeveria ruse për shuma marramendëse. Disa ia kanë dalë t’i bëjnë të dyja manovrat. Ka madje, nga ata që kanë punuar gjithë jetën për kompani shtetërore dhe më pas, si me magji, u bënë të pasur përtej imagjinatës.

Mund të hamendësojmë se prej nga ka ardhur pjesa më e madhe e atyre parave për shtëpitë e shtrenjta të Londrës apo bodrumet frigoriferike. Në vitin 2005, për shembull, Abramoviç shiti Sibneft, kompaninë e naftës që e krijoi fillimisht i ndjeri Boris Berezovsky nga të ashqutuajturat hua me bono privatizimi, tek Gazprom që zotërohet nga shteti rus, për një shumë prej 13 miliardë dollarësh.

Alisher Usmanov – manjati uzbek i biznesit që mblodhi 30 për qind të aksioneve në klubin e futbollit të Arsenalit – ndërkaq bleu bizneset metalurgjike të krahut të investimeve të Gazprom, që solli themelimin e Metalloinvest, kompanisë shumë-miliardëshe të perandorisë së tij pa kufij. Fondi i Andrey Yakunin përfitoi nga shitja e aksioneve të hoteleve të vendosura në parcela toke që ishin pronë e monopolit shtetëror rus të hekurudhave. Rusi me origjinë ukrainase, Leonard Blavatnik privatizoi kompaninë e naftës TNK, së bashku me partnerët e tij,  Mikhail Fridman dhe Victor Vekselberg, një sipërmarrje e përbashkët me British Petrolium. Në fund, këta partnerë shitën gjysmën e tyre tek kompania shtetërore ruse Rosneft për një shumë të mirë prej 55 miliardë paundësh.

Përveç të dhënave për këtë grumbullim të pasurisë së madhe, ka pasur edhe dyshime ndaj disa prej këtyre oligarkëve për shkelje të natyrës penale, civile apo të kodeve profesionale, kodeve të etikës, ndonjëherë edhe pa baza. Abramoviç u akuzua nga ish-partneri i tij,

Berezovsky, se i vodhi pjesën në Sibneft. Berezovsky e humbi çështjen. Por procesi gjyqësor dramatik në Londër nxori në pah mbrojtjen dhe kontrollin që Kremlini ushtron në botën e biznesit rus.

Usmanov, ndërkohë, investoi paratë e Gazprom në bizneset metalurgjike ruse. Ndërkohë që ishte zyrtar i Investimeve në Gazprom, ai shiti këto aksione në metalurgji tek kompania që kishte nën kontroll.

Yakunin bleu një pjesë të madhe hotelesh të vendosura pranë stacioneve qendrore në kryeqytetet kryesore rajonale të Rusisë. Pronat e kishin burimin tek kompania ruse e hekurudhave dhe që ishin ndërtuar me përfshirjen e fondit të pensioneve që drejtoheshin të dyja nga babai i Andrey, Vladimir Yakunin, në atë kohë shef ekzekutiv i hekurudhave ruse.

Kohë pas kohe, fuqia e shtetit rus ka hedhur hijen e tij kur u tha se synoi të detyrojë British Petrolium të shiste interesat e saj në ndërmarrjen e përbashkët me TNK. Qeveria ruse me gjasa e kishte vendosur menaxhmentin e ndërmarrjes së përbashkët në Moskë në atë lloj presioni që mund të shihet vetëm në filmat me kauboj. Pati 13 kontrolle të befasishme nga trupa të ndryshme ligjzbatuese, me oficerë të maskuar e me uniformë që mbanin punonjësit në grykën e armës ndërsa konfiskonin dokumentet dhe kompjuterët. Vizat për të punësuarit e huaj u anuluan. Dy punonjës u arrestuan me akuza spiunazhi. Në atë kohë, u raportua se madje pati një përpjekje për të helmuar Robert Dudley, i cili në atë kohë ishte kreu i TNK-BP.

Kur ndërmarrja e përbashkët plot telashe më në fund u shit, Blavatnik ishte një prej tre partnerëve që u pasuruan masivisht nga shitja. Blavatnik mohon kategorikisht çdo përfshirje në fushatën e kërcënimeve kundër British Petrolium.

Në përgjithësi, përse janë oligarkët rusë kaq të mirëpritur në Londër?

Përgjithësisht, ata nuk qëndrojnë në mënyrë të vazhdueshme në Britani. Bizneset e tyre mbeten në Rusi dhe shtëpitë e pallatet janë në pronësi të kompanive offshore. Shumë prej tyre paguajnë pjesërisht taksa: pjesa më e madhe paguajnë taksa vetëm për porcionin shumë të vogël të pasurisë së tyre që ata e kanë sjellë në Angli për të përballuar shpenzimet e jetesës. Disa pretendojnë vendbanim në Rusi, Izrael, Maltë, Qipro, Austri e kështu me radhë. Ata duket sikur janë biznesmenë me kostume, bishat tipike fantastike.

Një shpjegim është filantropia. Pjesa më e madhe e tyre angazhohen në aktivitete bamirëse dhe filantropike. Në këtë kuptim, ata janë qytetarë model. Ata dhurojnë për bamirësi sociale, sponsorizojnë artet dhe financojnë institucionet arsimore. Ndoshta ata dëshirojnë t’u dalë emri në krye të kërkimeve në Google. “Sunday Times” e renditi Usmanov në krye të 10 filantropëve më bujarë në Britani për donacionet totale në vitin 2016. Abramoviç ka qenë donatori më i madh në financimin e shoqatës bamirëse “Fulfilling Dreams” që mundëson udhëtime për pushime në të gjithë botën për fëmijët me sëmundje të rënda.

Blavatnik mori titullin kalorës për filantropinë e tij në Britani. Përfituesit e donacioneve të tij bamirëse – që mbajnë të gjitha emrin e tij – ishin degë në shkollën e qeverisjes në Oksford.

Ka argumente që thonë se lidhja reale që mbajnë oligarkët është ajo me kryeqytetin e vendit të tyre, Moskën ku shumë kanë lidhje të afërta me pushtetin dhe me Kremlinin. Abramoviç dikur ka shërbyer për dy mandate si guvernator i provincës së largët lindore, Chukotka.

Usmanov ka luajtur pjesën e tij në ndërtimin e komplekseve sportive për Olimpiket e Soçit, apo për kupën e Botës 2018.

Disa oligarkë mendohet se mundësojnë shërbime të tjera për Kremlinin. Disa financojnë lëvizje ultra të djathta; të tjerë sponsorizojnë kompani sondazhesh anti-BE dhe publikime të kësaj natyre.

Mbetet për t’u parë nëse qeveria britanike vendos të zbatojë masa presioni ndaj Putinit duke goditur disa nga oligarkët dhe zyrtarët e qeverisë ruse me konfiskim asetesh, përmes anulimeve dhe sanksioneve të tjera. Një mësim që duhet të marrë publiku britanik nga pranimi i oligarkëve është se ata nuk shtojnë vlera në ekonomi dhe shoqëri në atë shkallë që paraqitet nga disa komentatorë.

Paratë e super-të pasurve rusë nuk janë përcaktuese për mbijetesën e ekonomisë së Britanisë së Madhe. Në gjendjen aktuale të marrëdhënieve ekonomike ruso-britanike, shumë argumentojnë se ata sjellin pak të ardhura për bankat e Londrës dhe pothuajse aspak tregti me jashtë, punësim apo investime. Kontributi i tyre në bilancin e taksave duket i kufizuar. Për më tepër, ata vijnë nga një kulturë biznesi që thuhet se është gërryer nga regjimi i korruptuar në vendin e tyre. Aktivitetet e tyre filantropike, madje, mund të shpartallojnë marrëdhëniet publike të përfituesve.

Vladimir Iliç Lenini pyeste: çfarë duhet bërë? Do të ishte çmenduri, jo-liberale dhe aspak praktike që t’u vihej shkelmi nga Britania. Por ndërkohë që ata jetojnë mes asaj shoqërie, analistët thonë se nuk duhet pasur frikë që qeveria të hyjë në strofkat e tyre dhe të hetojë sesi prosperojnë dhe kush i ushqen.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts