Grushta, dhjetë kartona të kuq dhe tetë të verdhë, ndërpritet ndeshja në futbollin brazilian

Një ndeshje derbi në një prej kampionateve të futbollit në Brazil ka marrë fund si mos më keq, me dhjetë kartona të kuq e tetë të verdhë, për t’u ndërprerë atëherë kur gjyqtari pa se skuadrat nuk kishin më lojtarët e mjaftueshëm në fushë.

Vitoria dhe Bahia u përballën orë më parë për javën e gjashtë të Campeonato Baiano-s, një prej aktiviteteve të shumta të futbollit në Brazil.

Vendasit kryesonin me golin e shënuar nga Denilson në pjesën e parë, ndërsa miqtë u shpërblyen me një 11-metërsh pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë.

Mënyra provokuese e festimit nga realizuesi i 11-metërshit, Vinicius, e shndërroi ndeshjen e futbollit në një ndeshje boksi, me lojtarët të mbërthyer me grushta me njëri-tjetrin.

Gjyqtari nxori tetë kartona të kuq pas një ndërprerje të lojës për 16 minuta, tre për vendasit dhe pesë për udhëtuesit, por kur dhe dy lojtarë të tjerë të Vitorias e lanë fushën të ndëshkuar njëlloj 11 minuta para përfundimit të ndeshjes, historia mori fund aty.

Ndeshja u ndërpre përfundimisht! Bahia besohet se do të marrë një fitore 3-0 në tavolinë. /tesheshi.com/    

  

Related posts