728 x 90 Leaderboard

Grekët dhe duhanpirja: si po e ndërpret kriza ekonomike këtë “histori dashurie”

Asnjë fushatë nuk mund t’ia dilte. Asnjë paralajmërim për shëndetin nuk mund t’i ndërgjegjësojë. Dhe, për një kohë të gjatë, edhe rritja e çmimit të paketës nuk mundi të ndryshonte diçka.

Por, ndërsa mësojnë të mbijetojnë me më pak të ardhura, grekët duket se kanë arritur t’i imponojnë vetes braktisjen e cigares në shifra rekord. Në një histori të rrallë me nuanca pozitive nga vendi i pllakosur prej krizës, ekspertët që më parë kanë fajësuar epideminë e tymosjes së duhanit mes grekëve për gjendjen kritike të sistemit shëndetësor, tashmë janë në gjendje të mirë shpirtërore. “Jam 100 për qind i sigurtë se e kemi zgjidhur problemin”, thotë Panagiotis Behrakis, i cili kryeson task-forcën e kontrollit të duhanit në Europë. “Eshtë vetëm çështje kohe”.

Një mjek me ndikim në fushën e sëmundjeve respiratore, prej kohësh në krye të përpjekjeve për të luftuar varësinë nga nikotina dhe mortalitetin e parakohshëm nga duhanpirja, ish-profesori i Harvardit nuk e hiperbolizon aspak. Nuk ka qenë një betejë e lehtë. Greqia, me 27 për qind, ende kryeson listën e duhanpirësve më të mëdhenj në vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave nga eurostat.

Nëpër spitale në gjithë vendin, doktorët nuk mendojnë tjetër veçse të tymosin, në parlament, deputetët fikin e ndezin cigaret ndërsa në stacionet policore, pa dallim, zyrtarët e rendit dhe sigurisë janë me cigare në dorë. Një përpjekje për të ndaluar duhanpirjen në vendet e mbyllura u davarit që ditën që u njoftua, në fillimet e krizës greke në fund të vitit 2009. Ishte kaq i madh presioni nga klientët, saqë pronarët e bareve dhe restoranteve deklaruan se thjesht do të kthenin tavullat e duhanit në vendet e tyre mbi tavolina.

Por, ndërsa shembujt apo modelet drejtuese janë të paktë në një vend ku madje, edhe ministri i Shëndetësisë tymos, studimet e fundit kanë treguar një ndryshim dramatik në qasjen ndaj duhanit. Nga të dhënat e nxjerra këtë muaj, siç njoftoi Behrakis, numri i duhanpirësve ka rënë me 9.6 për qind përgjatë pesë vjetëve. Në vitin 2012, në sondazhin e tij të fundit, 36.7 për qind e grekëve thanë se tymosnin rregullisht ose herë pas here duhan. Në vitin 2017, shifra ka rënë në 27.1 për qind.

“Ka një rënie prej pothuajse 2 për qind në secilin vit. Eshtë shumë e lartë, një numër rekord në fakt”, thotë ai. Në të dy cepat e spektrit moshor ka një rënie të ndjeshme të grekëve që tymosin: ata ose e lënë zakonin ose nuk e mësojnë atë.

Konsumi i duhanit, si rezultat, është reduktuar me pothuajse gjysmën e sasisë në dekadën e fundit, nga një shifër që vlerësohet në 35.1 miliardë cigare në vitin 2007 në 17.9 miliardë në vitin 2016.

“Vetëm 13 për qind e grekëve mbi moshën 65 vjeç pinë cigare dhe tani po shohim frutet e viteve të tëra fushate në shkolla, me një rënie të madhe të numrit të grekëve nën moshën 24 vjeç që bëhen duhanpirës. Beteja është tashmë me ata që janë në moshën e mesme”, thotë ai.

Klinikat që ndihmojnë në lënien e cigares janë dyfishuar që nga rënia ekonomike e Greqisë. “Njerëzit nuk po heqin dorë nga arsye shëndetësore, më shumë sesa nga ato ekonomike”, thotë Aliki Mouriki, sociolog i njohur. “Dhe ka shumë e shumë tymues të vendosur e fundamentalistë në Greqi”.

Por, Behrakis nuk bie dakord. Rënia më e madhe e shifrave që ai ka vënë re është midis atyre që kanë të ardhura më të larta. Dhe ndërsa politikanët kanë bërë pak për të zbatuar ndalimin që do ta sillte Greqinë në të njëjtën linjë me legjislacionin europian kundër-duhanit, vëzhgimi ka treguar se një shumicë dërrmuese e grekëve tashmë besojnë se reduktimi i prirjes së vendit drejt nikotinës duhet parë si një çështje kombëtare.

“Nëse duhanpirja në këtë vend është si një anije me dy të shpuara, ajo që ne po shohim është se hyrja e ujit po ngadalësohet avash-avash”, thotë ai. “Eshtë një fitore morale”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts