GODITJA/ Karriera, Rama, opozita…Misteret që shoqërojnë Valdrin Pjetrin

Shoqëria shqiptare pësoi tronditjen e radhës nga politika, kur opozita publikoi një dokument me anë të të cilit provohej se Valdrin Pjetri, kryebashkiaku i ri i Shkodrës, me statusin e “njeriut historik” që do merrte për herë të parë drejtimin e qytetit bastion të së djathtës duke ardhur nga radhët e së majtës, në rininë e tij na qenka dënuar për trafik droge në Itali. Ngjan me një film fiction, ajo që po i ndodh Edi Ramës, si një mallkim – gjithnjë në rastin që po tregohet tejet sylesh në politikat e përzgjedhjeve – që mu aty ku nuk duhet, si vend e kohë, i dalin njerëzit me të kaluar problematike.

Pas një përvoje 6-vjeçare me një opozita e cila e ka dërrmuar te biografitë e njerëzve të emëruar, një kartë e aplikuar fort dhe me sukses që pas zgjedhjeve të 2013-ës, duke luajtur pra me të kaluarën e tyre, do duhej që sensorët të punonin në maksimum, për të kapur çdo njollë të së djeshmes, sado në distancë kohore, aq më tepër për njeriun që do drejtonte Shkodrën, ose ose, në rast se do kishte zgjedhje normale, do  mëtonte ta fitonte atë. Dhe, mosfunksionimi as kësaj herë i këtyre sensorëve, ngjall shumë dyshime, pse jo, edhe shumë mistere, rreth figurës së Valdrin Pjetrit, karrierës së tij, roleve në shtet, si dhe përzgjedhjes nga Rama të emrit të tij, promovuar fort si vlerë.

Fjala vjen, ai paska qenë drejtor i Berishës, me një post tejet delikat, atë të Drejtorit të Agjencisë së Sekuestrimeve të Pasurive të Krimit e Trafiqeve (ç’ironi!), një detyrë që nuk mund t’i besohet dokujtdo, qoftë dhe thjesht për arsye të aftësisë profesionale. Janë poste me vokacione të forta politike. E nuk ka mundësi që Berisha të mos e ketë ditur të kaluarën e tij. Në këtë pikë, ish-lideri demokrat ka qenë e është mjeshtër; ai jua di “dhëmbë e dhëmballë” atyre që zgjedh të punojnë me të, të cilët i do gjithëherë me njolla në biografi.

Më pas ka vijuar karrierën si drejtor i madh në disa dikastere e sektorë, deri në Hipotekë – këto nën qeverisjen e Rilindjes – duke qenë madje dhe pedagog në UET-in e Çilit, aty ku i fundit tenton të angazhojë elitën akademike në leksiondhënie. Pra, nga një i dënuar i rëndomtë për drogë, jeta e tij pëson një kahmarrje edhe me nuanca intelektualizmi, gjersa mbërrin në kulmin e vet, atë kur pompohet fort nga pushteti për të marrë drejtimin e Shkodrës, duke u trajtuar si një “zbulim”.

Ky paradoks në kthesat e jetës së Valdrin Pjetrit, pasqyrohet tashmë në një kënd tjetër, në atë se si ka mundësi që më së pari ai vetë, ta ketë shpërfillur një detaj të së kaluarës së tij, e cila përbën dhe armën më të fortë të opozitës në goditjet e saj? Mos harrojmë se Valdrin Pjetri është njeriu që sot ka hedhur në erë 30 Qershorin e mazhorancës, e mund ta thellojë akoma më tepër krizën e rëndë politike me efektin zinxhir që mund të prodhojë, pasi me gjasë nuk do hyjë në zyrën e kreut të Bashkisë së Shkodrës.

Më pas, misterin e tij e pason syleshësia e Ramës, se si ky i fundit nuk paska zënë dot mend e është treguar kaq naiv, sa të i dallonte të zgjedhurit të tij një njollë jo aq të largët të së kaluarës, diktuar jo nga organe ligjore por gojë njerëzish, që në të tilla raste nuk të falin për atë që ke qenë. Nuk ka mundësi që, të përzgjidhesh për të marrë drejtimin e një qyteti, e bashkëqytetarët të mos dijnë se kush ke qenë e ç’ke bërë në rini. Madje madje, edhe nëse nuk janë ditur apo janë harruar, këto janë aso rastesh, ku me ose pa qëllim, gojët hapen me fortë e bëhen çorapë.

Pas Ramës pason misteri i opozitës por jo dhe aq, e cila padyshim e ka ditur me kohë njollën e Valdrin Pjetrit, por si nuk ia ka përmendur në rastin e drejtimit të Hipotekës, sepse nuk besohet ta ketë ditur se do qe ai njeriu i PS-së për Shkodrën, pasi emri kryesor për sfidën e madhe ka qenë ai i Senida Mesit?

Eshtë ky një rast pra, për të kuptuar se politika, sa e marrëzishme duket në qartësinë e saj publike, e tillë është dhe në okultizimin e saj. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts