Gjykata e BE-së kundër transferimit të të dhënave të qytetarëve europianë në SHBA: nuk garanton mbrojtje

Gjykata e Bashkimit Europian ka deklaruar të pavlefshëm vendimin e Komisionit sipas të cilit Shtetet e Bashkuara garantojnë një nivel të mirë të mbrojtjes së të dhënave personale. Pas kësaj, Facebook dhe rrjetet e tjera sociale mund të ndalohen të ruajnë të dhënat e serverave të tyre në territorin e Shteteve të Bashkuara.

 

Padia, që erdhi pas denoncimit të një qytetari austriak, Maximilian Schrems, kundër transferimit të të dhënave personale nga Mark Zuckerberg në serverat e kompanisë në SHBA, mbërriti më pas edhe në Gjykatën e Lartë të drejtësisë irlandeze e më pas edhe në organin më të lartë të drejtësisë europiane.

 

Deri më tani, kompanitë amerikane mund t’i transferonin të dhënat e qytetarëve europianë jashtë kufijve duke u bazuar në një marrëveshje tregtare, Safe Harbor të vitit 2000, që në fakt ka qenë edhe në mbështetje të masave të mbikqyrjes së Agjencisë Kombëtare amerikane të Sigurisë.

Pikërisht ndaj kësaj marrëveshjeje është bërë padia e parë e 27-vjeçarit austriak, padi që ishte hedhur poshtë më herët.

 

Max Scherms tregoi në një intervistë për La Reppublica se e kishte nisur padinë për të mbrojtur të drejtat e tij për privatësi. “Nuk kisha ndonjë interes privat, vetëm doja që të drejtat e mia të respektoheshin”, tha ai. Kjo e ka bërë atë të vazhdojë përpara edhe pas refuzimeve të fillimit, deri në vendimin e fundit të gjykatës Europiane. /tesheshi.com/