728 x 90 Leaderboard

Me gjuhën e financës së thjeshtë: çfarë kanë thënë italianët me votën e tyre

Shpjegimet dhe leximi analitik i votës së italianëve më 4 mars duket se kanë qartësuar gjithçka, pasi të shumtë kanë qenë artikujt dhe opinionet, bisedat dhe deklaratat. Mirëpo në faqen “Finanze in Chiaro”, një portal online që shpjegon financat botërore me terma popullorë për të gjithë ata që kërkojnë të dinë, jepet një shpjegim mjaft interesant që po e sjellim më poshtë. Artikulli është shkruar nga eksperti i statistikës dhe ekonomisë, Giancarlo Marcotti për këtë portal.

“Aforizma tepër e njohur ‘përsërite një gënjeshtër mijëra herë, një milion herë… dhe do të bëhet e vërtetë’, që i atribuohet ministrit të propagandës naziste, Jozef Gëbels, padyshim që e ka një bazë të vërtete, por ama edhe një kufi.

Një personi të uritur, në fakt, mund t’ia përsëritësh edhe një miliard herë që është i ngopur, por ai, megjithatë, do të përgjigjet gjithmonë se për shkak se nuk ka ngrënë, vijon të ketë uri.

Me një fjalë, mjetet e informimit masiv mund t’i bëjnë njerëzit të besojnë shumë gjëra, madje edhe nga ato më të pavërteta, por kur hyjnë në lojë nevojat thelbësore… siç kanë edhe emrin, ato superojnë gjithë të tjerat.

Mendoj, pra, se kjo është edhe mënyra më e thjeshtë për të shpjeguar gjithë sa ka ndodhur në zgjedhjet e fundit parlamentare në Itali.

Gazetat dhe televizionet janë përpjekur me të gjitha mënyrat për të bindur njerëzit që qeveritë e viteve të fundit do të kishin rilançuar vendin tonë, me narrativën e miliona vendeve të reja të punës fantazëm, me ndërmarrje ekonomike fantastike, me pasurime të vështira për t’u besuar nga ana e familjeve, por e gjitha kjo nuk ka shërbyer për asgjë pasi italianët tashmë kanë arritur në kufirin e durimit. Nuk bëhet fjalë aspak vetëm për mirëqënie të rritur në mënyrë modeste, por për një gjendje të sëmurë që, në këtë pikë, ka pushtuar shoqërinë tonë.

Me fjalë të tjera, nuk jemi më keq për shkak se jemi më të varfër ekonomikisht, por mbi të gjitha për shkak, se në vitet e fundit, cilësia e jetës sonë është përkeqësuar në mënyrë drastike. Pakënaqësia që na ka përndjekur prej kohësh tashmë, i ka lënë vendin shqetësimit dhe shqetësimi të gëlltit.

Një shqetësim që vjen prej ndërgjegjësimit që gjendja e sëmurë që zotëron shoqërinë tonë, nuk është vetëm një fakt i përkohshëm. Popullsia e ka kuptuar se në fund të rrëpirës që po përshkojmë, me shpejtësi gjithnjë e më të madhe, nuk ka një të tatëpjetë, por një prroskë dhe atëherë është absolutisht e nevojshme të frenojmë përpara se të jetë shumë vonë.

Dhe kështu, italianët në dhomën e votimit kanë vlerësuar ata që prej kohësh kishin kërkuar vigjilencë ndaj atyre që po i drejtonin në greminë, kanë vlerësuar ata që po u thoshin të vërtetën, edhe pse të hidhur e brutale.

Ky, ama, është vetëm hapi i parë, sigurisht i rëndësishëm, por absolutisht jo përfundimtar, pasi rruga drejt “shpëtimit” është ende e gjatë dhe plot vështirësi. Pavarësisht rezultatit zgjedhor, në fakt, ata që po e çonin vendin drejt katastrofës nuk i kanë braktisur strategjitë dhe armët që disponojnë për të dalë nga situata sipas interesit.

Për Italinë, priten ende kohë të vështira, populli ka dhënë një sinjal, por ajo që i nevojitet vendit është akoma më e madhe, një tronditje e vërtetë dhe e fortë, një valë revolte që të heqë qafe lakejtë që po mbysin ekonominë tonë.

Kemi nevojë për një … çlirim të ri”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts