Gjithçka që duhet të dini mbi Kalanë e Prizrenit: perla turistike dhe historike e Kosovës

Kalaja shtrihet në një sipërfaqe prej një e gjysmë hektarësh, dhe prej saj, si në pëllëmbë mund të shihni të gjithë Prizrenin, fushën me të njëjtin emër, deri te Bjeshkët e Nemura, mbi Pejën.

Muret e kalasë ndjekin terrenin e ashpër në drejtimin veri-jug. Brenda kalasë, u ndërtuan dhoma të ndryshme si dhe korridore nëntokësore, njëra prej të cilave zbriste poshtë kodrës deri në burimin mbi lumin Lumbardh.

Jusuf Džibo, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prizren, në një intervistë me Anadolu Agency, thotë se nuk dihet saktësisht se kur dhe kush e ndërtoi këtë kështjellë, por sipas tij, bazuar në materialin arkeologjik mund të konkludohet se bëhet fjalë për shekullin IV ose V.

Rindërtimi nisi disa herë

“Pas ardhjes së Bizantit në këto treva, ata rregulluan kalanë për nevojat e tyre. Të njëjtën e bënë edhe Osmanët pas ardhjes në Prizren në vitin 1445. Do të thotë, kalaja është rindërtuar disa herë. Ndahet në të ashtuquajturin qytet i Epërm dhe qytet i Poshtëm, ku qyteti i Epërm është më i vjetër, ndërkohë që qyteti i Poshtëm është ndërtuar dhe adaptuar nga Osmanët nga shekulli 15-të deri në shekullin e 19-të. Ajo që dihet me siguri është se në periudhën Osmane kalaja është përdorur vetëm për qëllime ushtarake”, thotë Xhibo.

Gërmimet dhe restaurimet e para në këtë ndërtesë shumë të rëndësishme historike filluan në vitin 1969, por kurrë nuk përfunduan. Pjesa e dytë e restaurimit dhe rehabilitimit filloi në vitin 2008 sepse kalaja ishte në një gjendje shumë të mjerë pas luftës në Kosovë.

“Në vitin 2012 filloi restaurimi nga ana e Institutit Arkeologjik. Donacionet vinin kryesisht nga Ministria e Kulturës, por investimin më të madh në vlerë prej dy milionë dollarë e bëri ambasada amerikane në Kosovë. Këtë restaurim e bënë arkeologë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës të cilët merreshin me gërmime dhe restaurim, ndërkohë që CHWB (Cultural Heritage Without Border) merrej me promovimin e këtij objekti të vlefshëm kulturor”, thotë Xhibo.

Gjatë gërmimeve, përveç armëve, janë gjetur edhe pushkë të përdorura në luftërat Ballkanike, shpata, një numër i madh i gjyleve të topit, fragmente të gurëve të shkatërruar nga xhamia dhe hamami, vendndodhja e të cilave nuk dihet ende, si dhe mbetje të mullirit dhe të një depoje armësh.

Paralelisht me restaurimin e mureve të cilët ishin buzë shkatërrimit të plotë, që pothuajse janë restauruar 100 për qind, është ndërtuar edhe një depo e cila do të shërbejë si muze i cili pritet të fillojë së funksionuari vitin e ardhshëm. Janë restauruar edhe kazamatet, ku parashihet të bëhet promovimi i punimeve artizanale.

“Në qytetin e epërm është përshtatur një pjesë, është ndërtuar një teatër për shfaqje dhe projeksione të filmave i cili përdoret sipas nevojës. Një pjesë e DOKUFEST-it është mbajtur pikërisht në atë pjesë, në gusht të vitit të kaluar. Atje është mbajtur edhe NGOMfest, festivali i muzikës i cili bën bashkë bende të shumta nga rajoni dhe Evropa”, thotë më tej Xhibo.

Ky arkitekt i vjetër kujton se pas Luftës së Parë Botërore, Kalaja e Prizrenit pushoi së funksionuari. Një pjesë e gurëve të saj janë përdorur për ndërtimin e gjimnazit të Muzikës dhe disa shkollave të tjera në Prizren.

Ai thotë se në këtë periudhë është shembur edhe xhamia të cilën Mahmut Pashë Rotul e kishte ndërtuar në vitin 1826 mbi themelet ekzistuese. Xhamia ishte ndërtuar pas marrjes së qytetit, në vitin 1445.

“Kjo nuk ishte ndonjë risi, sepse atje ku ishte ushtria ndërtohej një xhami, hamam dhe objekte të tjera. Deri në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar muret nga mbetja e xhamisë ishin të lartë rreth një metër e gjysmë. Minarja është shembur pas Luftës së Parë Botërore, por nuk dihet nëse ka ndodhur nga ndonjë shpërthim, ashtu siç ndodhte zakonisht në Ballkan pas largimit të Osmanëve, siç është rasti në Budvë, në Shqipëri dhe veçanërisht në Bullgari”, rrëfen Xhibo.

 

Kalaja vizitohet nga një numër i madh turistësh

Ndonëse 20 mijë qytetarë të rajonit të Prizrenit dhanë nënshkrimet e tyre në peticionin për rindërtimin e kësaj xhamie, kjo nuk ndodhi kurrë.

“Kalaja ka statusin e një lokaliteti arkeologjik, prandaj në të nuk behën rindërtime. Bëhet restaurimi dhe konservimi i gjendjes së tanishme, por jo edhe rikonstruksioni, ndonëse edhe kjo nuk është e thënë të bëhet patjetër. Për hir të së vërtetës, ka pasur raste të rralla në situata specifike kur janë kryer rekonstruksione. Instituti Arkeologjik dhe komisioni i tij, bazuar në ligjet e tanishme e trajtojnë si një lokalitet arkeologjik. Sipas tyre, xhamia nuk ka ndonjë veçanti dhe prioritet për t’u rindërtuar, prandaj nuk është dhënë leje për të”, shpjegon Xhibo.

Në Prizren, të cilin shpeshherë e quajnë “muzeu nën qiellin e hapur” ka dhjetëra monumente kulturore dhe historike islame, por edhe të besimit ortodoks dhe katolik. Pjesa më e madhe e tyre janë të vjetra me qindra vjet, të vendosura kryesisht në qendër të qytetit të vjetër, i cili në dokumentet e shkruara për herë të parë përmendet në shekullin XI.

Megjithatë, Kalaja e Prizrenit sipas një përshtypje të përgjithshme, është diçka e veçantë. Ndonëse ndodhet në kodër, dhe për të arritur atje duhet ecur në këmbë në terren të pjerrët, edhe tani, por edhe kur ishte nën gërmadha paraqiste interes për turistë të shumtë. Sipas disa të dhënave, ndonëse të pakonfirmuara, për një vit vizitohet nga 200 mijë turistë. Pritet që ky numër të rritet në të ardhmen.

Ai shprehu shpresën se gjërat do të jenë më mirë dhe më lehtë kur Kosova të jetë pranuar në UNESCO.

Përgatiti: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/

 

 

Related posts