Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Gjermania hedh poshtë planin izraelit për Bregun Perëndimor: s’ka shans!

Parlamenti gjerman të mërkurën shprehu kundërshtim të fortë me planet e Izraelit për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor

Duke iu drejtuar Bundestagut, ministri i Jashtëm Heiko Maas paralajmëroi se një veprim i tillë izraelit do të rrezikonte stabilitetin e gjithë Lindjes së Mesme.

“Paqja nuk mund të arrihet me veprime të njëanshme,” tha Maas.

Me përjashtim të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), të gjitha fraksionet e tjera parlamentare kanë kundershtuar planin e aneksimit të Izraelit, duke thënë se kjo mund të rrezikojë seriozisht idenë e një zgjidhjeje dy-shtetesh.

“Ne jemi jashtëzakonisht skeptikë ndaj planeve të qeverisë së re izraelite,” tha Juergen Hardt, një zëdhënës i politikës së jashtme për Unionin Kristian Demokratik (CDU), parti e kancelares Angela Merkel.

Ai theksoi se plani izraelit është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe paralajmëroi për “rrezikun e tensioneve të reja” në Lindjen e Mesme, nëse Izraeli vazhdon me aneksimin e diskutueshëm të pjesëve të Bregut Perëndimor të okupuar.

Ministri i jashtëm gjerman ka premtuar se do ta vendosë çështjen në rendin e ditës, pasi Berlini zyrtar mori përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, dhe gjithashtu do të kryesojë Këshillin e Sigurimit të KB për një muaj.

Maas i bëri thirrje Izraelit të rishqyrtonte plane të tilla, duke thënë se ishte akoma e mundur të shfrytëzohej “periudha e mundësisë dhe kohës” para një aneksimi të mundshëm.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka formuar një qeveri të përbashkët izraelite me liderin e opozitës Benny Gantz, dhe të dy kanë njoftuar se do të shpejtojnë një plan për të aneksuar Luginën Jordan dhe territoret e tjera të Bregut Perëndimor, ku janë ndërtuar vendbanime të paligjshme hebraike nga 1 korriku.

Aneksimi vjen si pjesë e “Marrëveshjes së Shekullit” të Presidentit amerikan Donald Trump, e cila u miratua në 28 janar, dhe i referohet Jeruzalemit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor. Plani kërkon krijimin e një shteti palestinez si një arkipelag i lidhur me ura dhe tunele.

Zyrtarët palestinezë thonë se sipas planit amerikan, Izraeli do të aneksojë 30 deri në 40 përqind të Bregut Perëndimor, përfshirë tërë Jeruzalemin Lindor.

Bregu Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor, konsiderohet territor i okupuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke bërë që të gjitha vendbanimet hebraike në territor, si dhe aneksimi i planifikuar, të konsiderohen si paligjshme. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts