Gara për Shtëpinë e Bardhë: dy ish-presidentët republikanë Bush distancohen nga kandidati Trump

As Xhorxh Bush i riu dhe as Xhorxh Bush i vjetri, dy ish-presidentët e vetëm amerikanë në jetë, nuk do të mbështesin Donald Trump, ndërsa ky i fundit duket të jetë kandidati zyrtar i republikanëve për garën e Shtëpisë së Bardhë.

Në një deklaratë të lëshuar për “The Guardian”, zëdhënësi i dy ish-presidentëve tha se ata nuk do të përfshihen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Freddy Ford, zëdhënësi i Xhorxh W. Bush tha për të përditshmen britanike: “Presidenti Xhorxh Bush nuk planifikon të marrë pjesë apo të komentojë fushatën presidenciale”.

Deklarata e presidentit të 43-të të Amerikës i bën jehonë asaj të lëshuar më parë nga i ati. Jim McGrath, zëdhënës i ish-presidentit George HW Bush, tha se në moshën 91-vjeçare, presidenti është tërhequr nga politika. “Ai bëri disa gjëra për të ndihmuar Xhebin, por ato ishin përjashtime që vërtetojnë rregullin”.

Kjo mungesë mbështetjeje edhe nga dy ish-presidentët republikanë vjen ndërsa Trump duket të jetë kandidati zyrtar e ndërsa shumë figura partiake janë përpjekur të pajtohen me faktin që ylli demogag i reality show-ve televizive do të jetë kandidati i tyre, mbajtës i standarteve republikane në muajin nëntor.

Ndërsa disa senatorë si Dean Heller nga Nevada apo Ben Sasse nga Nebraska e kanë bërë të qartë se nuk do të votojnë për Trump as në nëntor, të tjerë senatorë si Kelly Ayotte nga New Hampshire apo Rob Portman nga Ohio thanë se do të votojnë për të përzgjedhurin e partisë, mirëpo nuk e mbështesin atë.

Vendimi nga dy ish-presidentët është veçanërisht personal për shkak të kandidimit të pasuksesshëm të Jeb Bush. Ish-guvernatori i Floridës, që është djali i Xhorxh Bush të vjetrit dhe vëllai i Xhorxh Bush të riut, u sulmua në mënyrë të vazhdueshme gjatë fushatës nga ana e Donald Trump. Kandidati pothuajse zyrtar e baltosi guvernatorin me dy mandate mbi shpatulla si një person “pak energjik” dhe e talli atë si “një sikletosje për familjen e vet”.

Trump gjithashtu, vazhdimisht e ka sulmuar Xhorxh Bushin, të riun, në thelbin e tij. Në mënyrë të veçantë, ai e akuzoi atë se gënjeu për praninë e armëve të shkatërrimit në masë në Irak si justifikim për luftën e 2003 në Irak. “Ata gënjyen. Dhe ata e dinin se nuk kishte asnjë armë. Nuk kishte armë të shkatërrimit në masë”, tha Trump gjatë një debati të muajit shkurt në Greenville, në Karolinën e Jugut.

Kandidati pothuajse zyrtar gjithashtu në mënyrë të përsëritur e ka cilësuar luftën në Irak “një gabim” dhe ka pretenduar, edhe pse një deklaratë që nuk mund të vërtetohet, se ai ka qenë kundër rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit në atë kohë.

Mosmarrja e mbështetjes edhe nga ish-presidentët republikanë shënon një stad tjetër të vështirësisë së vazhdueshme me të cilën përballet Trump për të ribashkuar partinë e cila është ndarë e zemëruar për shkak të rezultateve të kandidatëve.

Fushata e rivales demokrate, Klinton publikoi një tjetër video ku tregohen ish-kandidatët republikanë që sulmojnë Trump dhe ka përpiluar edhe një listë të konservatorëve me ndikim nga zyrtarë të zgjedhur të partisë, liderë partiakë e moderatorë emisionesh televizivë që kanë refuzuar të mbështesin Trump në nëntor. Një sondazh më i fundit publikuar nga CNN, tregon se kandidatja demokrate Klinton, edhe ajo tashmë pothuajse e nominuar zyrtare e partisë, është në avantazh ndaj Trump me një diferencë 54 me 41 në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts