Auto Dak
Auto Dak

Gara e ministrave për të bërë propagandë me acarin

Moti i keq që ka përfshirë vendin ka zbuluar se politikanët tanë janë shumë të zellshëm për të dalë në ekranet e Televizioneve dhe për të krijuar më shumë panik se sa punë në lehtësimin e situatës. Nga ana tjetër mbyllja e shkollave dhe kopshteve, si dhe lënia pushim e më shumë se gjysmës së administratës shtetërore krijon një kosto të madhe për ekonominë e vendit…

Moti i keq me reshje dëbore, acar dhe temperatura të ulta ka përfshirë gjithë Europën dhe vendin tonë. Por, ndërsa gjithë zyrtarët shtetërorë i bëjnë thirrje banorëve të rrijnë në shtëpi, mbyllin shkollat dhe kopshtet dhe i japin pushim administratës, ata vetë janë në terren, atje ku bllokohen rrugët apo ku ka nevojë atdheu për pak “propagandë”.  nga ekranet e televizioneve kemi mundësinë të shohim nga mëngjesi në darkë propagandën që po bëhet me motin e ftohtë.

Shohim Erjon Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë, si strehon dhe ushqen të pastrehët në qendrat sociale. Shohim ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si ka dalë në mes të natës nën një stuhi borë në Rrugën e Kombit, apo ministrin e Trasporteve Sokol Dervishaj, i mbuluar në flokë dhe shpatulla me borë duke dhënë konferencë shtypi në rrugë.

Këto pamje janë të rralla, këto mundësi janë po ashtu të rralla dhe politikanët tanë nuk lënë t’u shpëtojnë rasti që t’i shfrytëzojnë për propagandë politike.

“Borë bie kudo, por në vendet e tjera njerëzit nuk kanë fat të shohin në rrugë inspektor, drejtor e ministra të japin lajmin se po hedhim kripë në rrugë…”- shkruan gazetari Lutfi Dervishi duke ironizuar këtë situatë gati groteske.

Megjithë daljet e tyre si superman-ë në rrugë, në të ftohtë, apo duke ushqyer të pastrehët, situata e krijuar është në fakt një panik artificial.

Do të ishte më e udhës që të gjithë instancat shtetërore të bënin punën e tyre pa krijuar panik dhe duke ia dalë mbanë motit që ka kohën e tij pasi jemi në mes të dimrit. Kompanitë pastruese të zhbllokonin rrugët, ministritë të kujdeseshin për të çuar ndihma në fshatrat e bllokuara, dhe të ishin marrë masat në kohë për ngrohjen në shkollat shtetërore. Për të mos folur për shërbimin spitalor që është në kushte ekstreme, ku të sëmurët marrin shërbimin spitalor në këmbë apo dy veta në një shtrat.


Gripi apo mungesa e ngrohjes, shkak i mbylljes së shkollave?!

Shkollat e mbylluara që prej datës 4 Janar me preteksin e epidemisë së gripit  kanë krijuar një precedent të paparë më parë në vend. Të gjithë prindërit që kanë fëmijët në shkollë private kanë protestuar për këtë vendim, pasi institucionet private sigurojnë ngrohje dhe kushte të favorshme për të vijuar mësimin dhe pse në temperatura të ulëta. Nëse do të ecej me llogjikën shqiptare në vendet nordike s’do të bëhej fare shkollë në dimër, ku temperaturat qëndrojnë me javë e muaj në nivelet nën zero!!!

Por, pas pretekstit të gripit, të gjithë prindërit e dinë se arsyeja e vërtetë është mungesa e kushteve në shkollat shtetërore. Para se të niste moti i keq shumica e shkollave i bënin orët e shkurtuara për shkak të të ftohtit. Në mes të Tiranës, shkollat ngrohen me rezistenca apo ngrohës të tjerë të blerë me paratë e prindërve…imagjinoni çfarë ndodh nëpër rrethe?!


Kosto për ekonominë

Prindërti e punësuar në administratë do ta ketë pushim deri më 16 janar kur hapen shkollat e kopshtet me vendim qeverie. Vetëm në rastet kur janë të dy prindërit të punësuar në administratë, vetëm njëri do të ketë të drejtë pushimi. Me një llogari të thjeshtë i bie që gati gjysma e administratës të rrijë në shtëpi dy javët e para të janarit.

Kjo ka një kosto për ekonominë e vendit, sigurisht dhe kostoja sipas specialistëve të fushës, është shumë e lartë.

Po kush pyet për kostot, mjafton që të kalojmë këtë të ftohtin dhe gripin që na ka zënë.

Po a ka llogaritur qeveria sa është kostoja për ekonominë e pezullimit të punës në çdo dikaster duke lënë në shtëpi një pjesë të mirë të administratës? Per ministren e administratës, Milena Harito, kostoja është e përballueshme:

Sigurisht që një numër i caktuar punonjësish që nuk do të jenë në punë ka një farë kostoje por shteti merr përsipër për të bërballuar këtë kosto për të ndihmuar familjet. Të mos harrojmë që sot për punonjësit e administratës në veçanti, një pjesë e madhe e punëve mund të bëhen duke qenë dhe në distancë, me email, punët vazhdojnë të ndiqen. Unë vetë kam raste në stafin tim, persona që kanë fëmijë të vegjël, që kanë vendosur të rrinë pranë tyre dhe vazhdojnë punën nga shtëpia. Është një gjë që funksionon me mirëkuptim”- thote ajo. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts