Fushatë gjobëvenieje mbi biznesin, tatimorët nën zë: na ka urdhëruar Rama!

Një valë e re gjobëvëniesh nga ana e tatimorëve ka nisur këto ditë në adresë të çdo niveli biznesi, në dukje nën flamurin e luftës kundër informalitetit. Por burime nga brenda administratës, e cila ka patur një takim këto ditë me kryeministrin Rama, thonë se nga ky fundit u ka dhënë një ultimatum për “korrje gjobash”, më shumë në funksion të arkës së shtetit.

“Gjoba, ose ndryshe lini punën”, mësohet të ketë thënë më ashpërsi shefi i qeverisë, gjë që po jep rezultate në terren, ku biznesi po përjeton një lloj terrori prej tatimoreve, një pjesë e të cilëve janë po ashtu në hall, pasi u duhet të gjejnë kleçkë pas kleçke për të përligjur prerjen e doemosshme të gjobave në funksion të mbledhjes së parave.

Ky zhvillim përgënjeshtron mesazhet e kohëve të fundit të Ramës me një lloj ledhatimi ndaj biznesit, ku është shprehur kundër gjobëvënies.

Por referuar stilit të drejtimit të tij, ashtu si dhe dje në Bashkinë e Tiranës, i njihet tendenca e gjetjes së mënyrave për të kaluar paranë nga xhepi i qytetarëve në arkën e shtetit.

Kujtojmë këtu futjen e ganxhave në veprim për parkimet e gabuara, aty nga viti 2007, ku policëve bashkiakë iu ishte vënë një plan-kuotë për t’u mbledhur në ditë, gjë që i detyronte të bridhnin nëpër Tiranë për të gjetur ku të mundnin automjete të parkuara gabim.

Edhe me hipjen në qeveri nisi aplikimi i formave të tilla, të cilat vijojnë dhe sot. Simbol i kësaj fryme gjobëvëniesh do mbetet kutia e ndihmës së shpejtë në automjete, të cilën policia rrugore jua kërkonte me ngulm drejtuesve, që, edhe nëse e kishin, u kërkohej një tjetër model, ai i përcaktuar nga qeveria dhe jo ai që automjeti e kishte patur që nga fabrika. Kjo marrëzi vijoji vetëm dy muaj.

Po ashtu, këtë frymë gjobëvënieje, Rama e promovoi si padashje dhe në një spot elektoral gjatë fushatës së paradisamuajve, ku në rolin e një polici vendoste një gjobë, e më pas i sqaronte gjobëmarrësit se me të ardhurat e gjobave do kryeheshin investime publike: rrugë, spitale, shkolla, kopshte etj. Ishte kjo një gafë e rëndë pasi si rregull, të ardhurat e gjobave shkojnë për shpenzime operative dhe jo për investime publike. Por ndërkohë, nxorri në pah faktin se gjobat kanë funksionin e një takse të fshehtë për qytetarët. Rama e hoqi më pas atë spot, kur e kuptoi se sa lakuriq kishte dalë.

Por tashmë kjo praktikë e padrejtë po vijon. Ndryshe nga të dhënat e ndëshkimeve me gjobë për shkelje të rregullave, këto të tatimeve nuk publikohen asnjëherë. Dhe arsyeja është e qartë: sepse perceptimi është ai mbi rrjepjen e biznesit dhe jo luftën ndaj informalitetit. Kjo fushatë e këtyre ditëve po e tregon realisht këtë. /tesheshi.com/