Fotoja e adoleshentit palestinez, simbol i protestave anti-Trump për Jerusalemin: një rrëfim i xhaxhait të tij

Imazhi ikonik i një adoleshenti me sy të lidhur ndërsa po tërhiqej nga ushtarët izraelitw, është bërë simbol i protestave të vazhdueshme kundër vendimit të Presidentit Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Fawzi Al-Juneidi, 16 vjeç, u ndalua të enjten gjatë përleshjeve në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor (Al-Khalil), dhe u tërhoq zvarrë, me sy të lidhur, nga dhjetëra ushtarë izraelitë.

Fotografia është bërë një nga imazhet më ikonike kundër vendimit të presidentit Trump për Jeruzalemin.

Duke folur për rastin, xhaxhai i të riut, Rashad al-Juneidi, tha se nipi i tij ishte ndaluar “rastësisht” ndërsa po bënte furnizimet e zakonshme ushqimore për familjen e tij. “Ai ishte rrahur keq dhe po mbahet nga ushtarët izraelitë”, tha xhaxhai i të riut.

Al-Juneidi tha se nipi i tij ishte shtylla e vetme e familjes së tij shtatë-anëtarëshe.

“Ai duhej të braktiste shkollën dhe të gjejë punë për të përmbushur nevojat e familjes së tij”, shtoi ai, duke nxitur autoritetet palestineze dhe grupet e të drejtave të njeriut për të ndihmuar në lirimin e të riut.

Xhaxhai tha se periudha e paraburgimit të nipit të tij ishte zgjatur për tre ditë nga një gjykatë në burgun ushtarak të Oferit të Izraelit. Nipi i tij, shtoi ai, është planifikuar të paraqitet përsëri në gjyq të enjten.

Wesam al-Hashlamon, fotografi i cili kapi arrestimin e al-Juneidi në kamerë, tha se disa ushtarë izraelitë kishin arritur t’i “zënë në pritë” disa të rinj palestinezë që po hedhnin gurë në Hebronin qendror.

“Ndërsa djali po kalonte, ai u arrestua dhe u rrah keq nga ushtarët”, tha al-Hashlamon. “Ata e hodhën atë në tokë, i vunë çizmet në trupin e tij dhe ia lidhën sytë para se ta merrnin në burg.”

Khalid Kazmar, drejtor i degës palestineze të Lëvizjes për Mbrojtjen e Fëmijëve të Botës, e kritikoi politikën e Izraelit për ndalimin e të miturve palestinezë.

“Qindra fëmijë janë arrestuar nga ushtria izraelite këtë vit, kryesisht në Jeruzalem,” tha ai. “Shumica e tyre u liruan pak më pas.”

Sipas Shoqatës Palestineze të të Burgosurve, një OJQ lokale, aktualisht rreth 300 fëmijë po vuajnë në burgjet izraelite. Kazmar tha se deri në 700 fëmijë palestinezë janë gjykuar vetëm në këtë vit në gjykatat ushtarake izraelite.

“Izraeli është i vetmi vend në botë ku fëmijët gjykohen në gjykatat ushtarake”, pohoi ai.

“Fëmijët palestinezë janë subjekt i ndalimit dhe torturave, fakt ky që paraqet një krim kundër njerëzimit sipas ligjit ndërkombëtar,” shtoi Kazmar.

Përgatiti: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/

 

 

Related posts