“Fluturimi” i shqipes mbi Maqedoni, Talat Xhaferi: bëra detyrën! Reagon dhe Tirana…

“Nuk kam pasur konflikt me askënd, pasi puna ka qenë të drejtoj seancën. Tentuan të bllokojnë seancën. Këto skena nuk duhet të ndodhnin”, kështu deklaroi kreu shqiptar i Kuvendit maqedonas, Talat Xhaferi duke folur për TCH në lidhje me incidentet e pasdites ku ndaj tij, ish-kryeministri Gruevksi tentoi të ushtronte dhunë. Gjithçka ndodhi në seancën ku sërish shqipja morri votat për të qenë gjuhë e dytë zyrtare.

Ky zhvillim, edhe pse nën tension, ka marrë vlerësime nga krerë të shtetit shqiptar.

“Përshëndes vendosmërinë për miratimin e ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një akt i rëndësishëm historik e me rëndësi madhore, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë. Urime!”, u shpreh Presidenti Meta.

“Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti pas refuzimit të Presidentit dhe sjelljes obstruksioniste të segmenteve të caktuara të politikës së vjetër në Maqedoni përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë”, tha ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit.

Mbështesim një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit europian dhe euroatlantik”, thuhet në deklaratën e PD-së. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts