728 x 90 Leaderboard

Flet politologu Mentor Tahiri: ja ç’po ndodh në Lindjen e Mesme dhe pse SHBA po e përkrah Izraelin

Edhe pse i njohur më shumë si njohës i rrethanave politike në Kosovë, nuk stopohet me kaq, dhe përveç se ka njohuri për zhvillimet në rajon, shkon edhe më tej, saktësisht në Lindjen e Mesme ku flet për ngjarjet e atjeshme.

Politologu Mentor Tahiri tregon hollësisht se ç’po ndodh në këtë pjesë të botës, ku jep përgjigje në shumë pyetjeve, si: për hapjen e ambasadës së SHBA-ve në Izrael, për një pajtim të mundshëm mes izraelitëve e palestinezëve, për perceptimet ekstreme që janë sot për islamin në botë…

Tahiri, në intervistën dhënë për tesheshi.com flet edhe për islamofobinë në trevat shqiptare, për shënimit e përvjetorit të pavarësisë së Izraelit në Prishtinë dhe nëse ky shtet mund ta njohë Kosovën, për dërgimin në “burg” të njëzet imamëve për të ligjëruar kundër deradikalizmit etj…

Intervistoi: Blendi Gashi

Si e shihni hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem? Përse një vendim i tillë gjeti hapësirë tani ?

Hapja e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, respektivisht zhvendosja e saj nga Tel Avivi, tregon njëkohësisht vendosmërinë amerikane për të përkrahur Izraelin si aleat të tyre, e në anën tjetër shpërfaq dallimet në veprime ndërmjet dy administratave amerikane, të tanishmes së presidentit Trump dhe asaj të presidentit Obama.

Vendosmëria amerikane për të përkrahur Izraelin tani më fuqishëm se në shumë dekadat e fundit, vjen edhe si rezultat i rikthimit të përplasjes gjeopolitike në rajon, ku kësaj radhe ka prezencë ruse të drejtpërdrejtë. Përderisa në kohët sovjetike, kjo prezencë më shumë manifestohej me anë të afërsive ideologjike të asaj që njihet si “socializmi nacionalist arab” më Moskën, sot prezenca fizike ruse në portet mesdhetare siriane, e bën “update” gjithë konotacionin politiko-ushtarak në lindjen e mesme. Në këtë drejtim, çështja palestineze mbetet viktimë e një rreshtimi të gabuar gjeopolitik të opsioneve politike palestineze. Se ka një rreshtim të tillë, kjo mund të mos thuhet deklarativisht, por shihet qartë në kuadër të asaj çfarë po ndodhë në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë.

Ambasada në Jerusalem bartë edhe simbolikën e humbjes së balancave ndërmjet dy palëve në konfliktin izraelito-palestinez. Duket qartë se fryma e cila dikur ishte krijuar me Marrëveshjen e Oslos dhe e cila la gjurmët e saj në përafrimin e palëve e si rezultat i së cilës u formuan dhe ndërkombëtarisht u legjitimuan institucionet palestineze, tani po zhbëhet. Në njërën anë rreshtimi i spektrit politik palestinez në çarjen e madhe të gjeopolitikës botërore kah Moska, e në anën tjetër edhe forcimi i opsioneve politike radikale sikurse vota dominante e palestinezëve për Lëvizjen Hamas, shërbyen si “motivacion” shtesë për qëndrimin amerikan.

Cila mund të jetë e ardhmja e Jerusalemit dhe ç’ndikim do ketë në tentativat për paqe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve ?

Për fatin e Jerusalemit diskutohet që nga përfundimi i luftës se dytë botërore. Plani i OKB-së i vitit 1947 merrte parasysh specifikat e qytetit dhe simbolikat e tij për të gjitha fetë abrahamike. Ishin vite kur po përfundonte Mandati Britanik i Palestinës dhe shumë herët para se realitetet e sotme të merrnin formë. Kur them realitetet e sotme, këtu nuk mendoj vetë në kontekstin e ngushtë të lidhur drejtpërsëdrejti me Jerusalemin, por përgjithësisht në raportet izraelito-palestineze.

Sot Izraeli ashtu sikurse se Shteti i Palestinës, pretendojnë Jerusalemin si kryeqytet. Por në këto dy pretendime ka një dallim të madh, Izraeli ka shtrirë sovranitetin e tij mbi qytet dhe zyrtarisht ka aneksuar edhe pjesën arabe të qytetit me 1980, trembëdhjetë vite pasi e morri nën kontroll ushtarakisht. Për Izraelin, fakti që Jerusalemi Lindorë banohet nga një shumicë arabe, nuk paraqet ndonjë shqetësim. Në Jerusalem dhe përtej tij, Izraeli njeh si qytetar të tij 1.5 milion arabë dhe ata janë pjesë e një shoqërie ku arabët përbëjnë tanimë përbëjnë gati 25% të popullsisë. Gjithnjë po flasim për një shoqëri izraelite e cila nuk përfshinë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimorë, të cilat Izraeli nuk i ka aneksuar asnjëherë për shkak se kjo do të krijonte një Izrael me shumicë arabe dhe në perspektivë do të ndryshonte karakterin e shtetit.

Në disa propozime “testuese” lidhur me paqen ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, shumë kohë para se Presidenti Trump të vinte në pushtet, një nga kompromiset e mundshme që do të sillte një kufi të përhershëm ndërmjet dy popujve, kishte pikën më kryesore pikërisht një koncesion palestinez në Jerusalem, kurse si kundër-masë kësaj, Izraeli do të tërhiqej nga gjithë Bregu Perëndimorë. Duket se hapja e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, përforcon një pritshmëri të tillë, pavarësisht reagimeve nga bota. Duhet pranuar gjithashtu se edhe çështja e zgjidhjeve territoriale-politike ka evoluar. Këtu pikësëpari duhet të kemi parasysh faktin se pavarësisht ku një territor gjendet, ka modalitete të cilat mundësojnë njohjen e realiteteve etnike, kulturore-historike dhe fetare në atë territor. Pavarësisht të gjithave, Jerusalemi Lindorë sot është më larg se asnjëherë për të qenë pjesë e Shtetit Palestinez.

Po në raportet politike ndërkombëtare jashtë Lindjes së Mesme?

Jerusalemi bartë simbolika të fuqishme për të gjitha fetë abrahamike. E kaluara historike plot përplasje e ka dëshmuar këtë. Hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët e shohin Jerusalemin si pjesë të traditës së tyre, shtuar këtu edhe aspektet teologjike. Qyteti si Jerusalemi bartin vazhdimisht potencialin për të mobilizuar dhe ngjallë emocione. Gjithandej në bota ka organizata që në qendër të propagandës së tyre ideologjike vënë pikërisht Jerusalemin apo Palestinë. Megjithatë, shumëçka që politikanët përfshijnë në fjalimet e tyre, mbetet retorike dhe pa ndonjë ndikim real përcaktues në fatin përfundimtar të Jerusalemit. Jerusalemi në kontekstin e mitit funksionon me inpute të dyanshme. Në njërin drejtim, Jerusalemi dhe përgjithësisht çështja palestineze shërben si “motor” i argumentimit të pakënaqësive e deri në radikalizime ekstreme. Por ekziston edhe drejtimi tjetër, ai i keqpërdorimit nga jashtë i krijuar nga ideologji politike jo detyrimisht të ndërlidhura mes tyre, keqpërdorim ky i cili nuk ka prioritet gjetjen e një solucioni i cili do të krijonte paqe të përhershme për palestinezët. Në shumë prej konflikteve në lindjen e mesme, kanë ndodhur stigmatizime të palestinezëve e deri në luftim të hapur ndaj tyre. Këto stigmatizime sikurse në Liban apo më vonë në Kuvajt, kanë ndodhur brenda shoqërive arabe, dhe si të tilla bien krejtësisht ndesh me “dhembshurinë” e shfaqur ndaj palestinezëve.

Palestinezët tanimë kanë shtetin e tyre të shpallur. A ka kuptim një shtet pa Jerusalemin kur kihet parasysh simbolikën që bartë qyteti ?

Shteti i Palestinës është sot një realitet sikurse Shteti i Izraelit. Mbi të gjitha janë realitete të cilat ekzistojnë secili me specifikat e tij. Mohimi i cilitdo nga këto dy shtete, nuk ka asnjë kuptim. Megjithatë, në përballje me opinionet e masës brenda tyre, shoqëritë shpesh nuk kanë guximin që njohjen e realiteteve ta shprehin me gjuhë të drejtpërdrejtë politike. Shpallja e Shtetit të Palestinës vërtetë është bërë në mënyrë të njëanshme, por duhet pranuar se kjo shpallje u realizua nga institucione legjitime të popullit palestinez, konform me dinamikën e cila ishte paraparë që nga fillimi i viteve 90-të.

Deklarativisht, Jerusalemi Lindor mbetet kryeqytet i Palestinës. Ky pretendim është vazhdimësi programore qe nga themelimi i OÇP-së. Jerusalemi Lindor megjithatë ishte periferi arabe në kohën kur ai kontrollohej nga Jordania deri në vitin 1967, vit ky kur Izraeli e vendosi nën kontroll ushtarak. Fakti që Jerusalemi Lindor nën një kontroll arab nuk kishte gjithaq një rëndësi politike, është një tregues se ndërlidhja e funksionimit të Shtetit të Palestinës me kontrollin mbi Jerusalemin Lindor, është më shumë rezultat i simbolikës sesa nevojës së vërtetë politike apo ekonomike.

Në aspektin e strukturës demografike, hebrenjtë janë shumicë në Jerusalem që nga fundi i shekullit të IX-të, pra së paku 70 vite para se të fillonte krijimi i Shtetit të Izraelit. Situata demografike nuk ka ndryshuar as sot. Mbi këtë rrafsh, që nga OÇP e tutje, pretendimet e moderuara politike në mesin e palestinezëve asnjëherë nuk kanë pasur cak gjithë qytetin, por vetëm pjesën lindore të qytetit. Në anën tjetër Izraeli e konsideron qytetin si një të vetëm dhe qartë po ndërmerren masat që kjo të çimentohet. Përtej kësaj, vetë Autoritetet Palestineze të cilat funksionojnë në legalitet tani e një çerek shekulli, që kur morën nën kontroll qytetin Xherihon me 1994, me praninë e tyre kanë bërë që kryeqendra politike palestineze të jetë efektivisht diku tjetër. Madje, në kuptimin e plotë politik, duke shikuar situatën edhe nga prizmi i përçarjeve brenda taborit politik palestinez, mund të thuhet se palestinezët sot haptazi kanë dy kryeqytete politike, Ramallahun si bastion i Fatahut dhe Gazën si bastion i Hamasit. Në dy këto qendra, funksionojnë institucione paralele për njëri tjetrin.

Përtej kontekstit izraelito-palestinez, si e shihni përgjithësisht atë që sot po ngjanë në Lindjen e Mesme ? Ç’gjasa ka të gjejnë paqe njerëzit atje?

Një kaos i përgjithshëm. Një situatë diku më e kontrollueshme e diku aspak. Rëndësia strategjike ekonomike si dhe pozicionimi gjeografik në kuadër të globit, ka bërë të vetën. Duket qartë se tragjedia e popullit sirian, ishte e para e cila arriti të shpërfaqë para opinionit botëror, përmasat reale të asaj çfarë po ndodhë në lindjen e mesme. Iraku, Jemeni, Siria sot janë vetëm tregues tragjik i divergjencave që realisht mbretërojnë në shoqëritë arabe. Shoqëritë arabe në masën më të madhe ende nuk kanë përjetuar sisteme politike demokratike. Në Irak, diktatura u zëvendësua me dhunë të dalë jashtë kontrolli. Në vende tjera, “Pranvera Arabe” u devijua herët. Nëse diku ajo pati sukses, mund ta përmendim atëherë vetëm Tunizinë. Por ky shtet është larg lindjes së mesme në kuptimin konvencional dhe mund të konsiderohet vetëm si një rast i izoluar pa mundësi për të shkaktuar reflektime tutje.

Lënë anash të gjitha ndërhyrjet nga jashtë, ndërhyrja e “mbrojtësve” sektarë është më e dëmshmja. Roli i Iranit në këtë konflikt është shumë i dëmshëm ngase ai merr si argument perceptimin iranian mbi vetveten si “mbrojtës” të islamit shi’it, por realisht përfundon në dëshirën për dominim. Në shoqëri të përçara si ato arabe, sektarianizmi eshtë një “frekuencë” komunikimi me fuqitë rajonale si Irani. Keqpërdorimi i masave nën flamuj sektarë ka bërë të vetën.

Përgjithësisht, ndërhyrjet nga jashtë në emër të “sektarianizmit” janë fatale për ekzistimin e shteteve atje. Prandaj gjithandej ka evoluim të federalizmave si rezultat i qartë se shumë shtete në lindjen e mesme do të mbijetojnë vetëm në kufijtë e tyre të jashtëm, por pa substancë brenda. Përderisa aktualisht tanimë ekziston një Irak Federal, sipas të gjitha gjasave një Siri Federale është gjithashtu i vetmi solucion për t’i dhënë fund luftës atje. Federalizmi në lindjen e mesme nuk është vetëm territorial, në shoqëri si Libani ai është në kuptimin e plotë i tillë, por formalisht pa territore të ndara. Shtesë në gjithë këtë tablo, është edhe e ardhmja politikisht e paparashikueshme e kurdëve.

Tani kur lindja e mesme më shumë se asnjëherë është e ndarë në vija sektarë, duket njëmend se federalizmat janë zgjidhje. Ideale do të ishte krijimi i sistemeve politike të demokracive koncensuale, por duhet pranuar se për shumë shoqëri arabe, tani është tepër vonë për këtë, dhuna dhe urrejtja kanë depërtuar thellë.

Përse sot në botë ka perceptime ekstreme për Islamin ? Është keqpërdorur feja?

Në shumë pjesë të botës jo myslimane, bota muslimane shihet vetëm në kuadër të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Efektet mediatike bëjnë të vetën, sot të parat që depërtojnë para audiencës janë motivet spektakulare apo edhe paraqitjet ekstreme të ndryshme. Përgjithësisht ka rritje të audiencës e cila kërkon zbavitjen edhe në tematika informative. Disa lëvizje në shtete të ndryshme me shumicë muslimane, në këtë drejtim ishin “zbavitëse” me anakronizmin e tyre.

Shembull mund të marrim fenomenin e talibanëve në Afganistan. Një lëvizje ushtarake-politike e cila relativisht lehtë shtriu kontrollin mbi Afganistan në vitet 90-të, por që acaroi botën jo myslimane me veprimet e saj të bëra në emër të Islamit. Në fakt, ata që më së shumti pësuan nga talibanët ishin myslimanët. Talibanët shkatëruan bazamentin e funskionimit të shoqërisë afgane, por kjo nganjëherë nuk mjafton për të bërë dallimin.

Ngjarjet tragjike të 11 Shtatorit 2001 hapën me të madhe derën e perceptimeve ekstreme për dhe ndaj Islamit. Duhet pranuar se shumë shoqëri muslimane nuk ishin në stadin e duhur të reagimit. Pjesa tjetër e botës sigurisht që nuk do të merrej me shkaqet e këtij mosreagimi të duhur. Një qasje e tillë i takon vetëm profesionistëve në fusha të ngushta. Kurse në fakt reagimet e vakëta nga shumë shoqëri muslimane, ishin reflektim i gjendjes së vetë shoqërive larg në “periferitë” e pushtetit. Me 2001, sikurse edhe sot, shumica e shteteve arabe ishin në thelb diktatoriale dhe shoqëritë janë thjeshtë masë pa ndikim politik në elitën e ngushtë të pushtetit.

U takon shoqërive me shumicë muslimane të bëjnë dallimin ndërmjet Islamit dhe keqpërdoruesve në emër të Islamit. Shpesh në manipulime me emocionet e njerëzve, ka qarqe të cilat nën petkun e besimit, indoktrinojnë me ideologji. Këtu veç tjerash duhet parë edhe përçarjen e madhe brenda shoqërive muslimane. Mungesa e demokracisë në shumicën prej shteteve me shumicë muslimane, zhytja e sistemeve politike në sisteme me atribute gjithnjë e më shumë teokratike, po lënë pak hapësirë për mendime racionale të shëndosha.

Si e shihni islamofobinë në trevat shqiptare dhe kujt i kontribuon potencimi vend e pa vend, pra akuzimi i islamit si shkak për ekstremizëm?

Siç thashë, u takon myslimanëve që të bëjnë dallimin. Diferencimi nga qarqe ekstreme është masa më adekuate. Sot fatkeqësisht, shumëkush merr përsipër edhe rolin e teologut. Individë të papërgjegjshëm, më gjuhën e tyre në emër të Islamit jo vetëm që po shkaktojnë pezmatim por edhe po bëhet objekt i talljes dhe nënçmimit. Reagimet tona si shoqëri shqiptare janë të vonshme. Kam frikën se nuk është kuptuar me kohë edhe ndikimi i dëmshëm politik që bëhet nga veprime e fjalime të papërgjegjshme në emër të Islamit. Islamofobia gjithsesi ka ekzistuar edhe para këtyre dukurive, por ajo nuk ka nevojë të “ushqehet” me argumente nga “teologë” të papërgjegjshëm, të cilët në fakt thellë brenda koncepteve të tyre kanë ngatërruar shumë Islamin me disa tradita nga Lindja e Mesme. Shoqëria shqiptare, pavarësisht sistemeve politike që e kanë goditur, ka traditën e saj autoktone, përfshirë edhe traditën fetare.

Çuditërisht, në Prishtinë u shënua dita e shpalljes së Izraelit si shtet. Si e vlerësoni këtë veprim kur dihet se njohja nga Izraeli mungon?

Është një hap politik. Nuk ka asgjë të dëmshme këtu, rastësisht koincidoi me ngjarjet tragjike në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit. Diplomacia shpesh kalon kufijtë konvencional për të arritur qëllime të caktuara. Jam i sigurt që në rast se Palestina sot do të ishte e rreshtuar në një vijë gjeopolitike me Kosovën, do të shënohej diku edhe dita e shpalljes së shtetësisë palestineze. Aq më tepër që populli i Kosovës ka vuajtur vet, di të dalloj vuajtjen dhe jetën e vështirë që bëhet në territoret palestineze. Por shqiptarët si andej e këndej kufiri, nuk janë popull naiv në zhvillime ndërkombëtare. Me gjithë dhembshurinë për skenat tragjike që vijnë nga territoret palestineze, janë deklaratat pro-serbe si ato të ambasadorit palestinez në Beograd, që do ta bënin “qesharak” çfarëdo shënimi të një jubileu palestinez.

Izraeli nuk e njeh Kosovën qartë për shkak të problemit që ka me palestinezët. Por nuk ka deklarata kundërshtuese të cilat e dëmtojnë Kosovën në politikën ndërkombëtare. Në anën tjetër, qëndrimet e Shtetit Palestinez kundër Kosovës janë të drejtpërdrejta në cilindo mekanizëm ndërkombëtarë ku Kosova synon anëtarësim. Por siç thashë fare në fillim në pyetjen tuaj të parë, janë rreshtimet gjeopolitike ato që bëjnë të vetën.

A besoni se do të vijë dita që Izraeli ta njohë Kosovën?

Është çështje ngushtë e lidhur me çështjen palestineze. Në rrafshin gjeopolitik, Kosova dhe Izraeli ka të përbashkët aleatin jetik SHBA-të, andaj është e pritshme që një njohje e Kosovës nga Izraeli, do të pasonte menjëherë pas një paqeje eventuale ndërmjet Izraelit dhe Shtetit Palestinez. Gjithsesi, pavarësisht specifikave në të cilat gjendet vet Izraeli si shtet, diplomacia kosovare duhet të vazhdoj të bëjë punën e saj në të gjitha segmentet e diplomacisë, përfshirë edhe atë ekonomike.

Së fundmi Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë nënshkruan një marrëveshje ku njëzet imamë do të ligjërojnë në burgje kundër deradikalizmit. Në mesin e imamëve të përzgjedhur mungon elita e klerikëve. Si e shihni këtë?

Institucionet e Kosovës kanë nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë më Bashkësinë Islame, sikurse edhe me institucionet tjera zyrtare fetare në Kosovë. Kështu humbet vakumi i përshtatshëm për çfarëdo qarqe radikale. Ligjërimi kundër deradikalizmit duket se ka filluar nga aty ku ka pasur rrezikshmëri të madhe nga radikalizimi, e kjo është shtresa e të burgosurve. Uroj që deradikalizimi të jetë një program më përfshirës, më i detajuar dhe të ketë shtrirje edukative më të gjerë. Emrat e atyre që do të ligjërojnë sigurisht që janë trajtuar me kujdes pikërisht për shkak të faktit që shumë teolog nuk kanë kuptuar qartë kufijtë e punës së tyre. Tanimë kjo nuk është një temë tabu. Teologu në qëndrimet e tij, sidomos kur ato mund të jenë të ndërlidhura me politikë, ka përgjegjësi të madhe, ngase qytetari pret të përvetësoje dije nga ai, kurse masa shpeshherë i merr si të mirëqena qëndrimet e një teologu, edhe kur ato mund të jenë të gabueshme.

Sipas të dhënave që ka policia, 196 kosovarë vazhdojnë të qëndrojë në zonën e konfliktit në Siri, nga ta 95 fëmijë dhe 40 gra. Ç’duhet të bëjnë institucionet për t’i kthyer ata në Kosovë?

Nuk do të përqendrohesha te numrat. Ata janë gjithmonë fluid. Për shumë kë tani mund të jetë vonë çfarëdo veprimi nga ana e Kosovës. Esenciale është që këtu në Kosovë të përcaktohet qartë kufiri ndërmjet Islamit dhe traditave që nuk kanë të bëjnë me shqiptarët. Ju rikujtoj se gati deri në vitin 2013, Shteti i Kosovës nuk ka pasur një qëndrim të qartë për situatën në lindjen e mesme. Janë liderët kosovarë ata që haptazi kanë përkrahur kryengritjen në Siri. Kosova më parë, njëjtë kishte vepruar edhe në raport me kryengritjen në Libi. Më pas kur situata në Siri ka devijuar, kam frikë se ky momentum nuk është dalluar me kohë.

Tani ajo çfarë mund të behet atje në terren, është së paku lokalizimi i fëmijëve dhe grave nga Kosova që gjenden atje, posaçërisht i atyre që gjenden në kampe të kontrolluara nga forcat kurde dhe forca tjera aleate me SHBA-të. Kjo është një qasje humane dhe obligim që ka një shtet për qytetarët e tij. /tesheshi.com/

Related posts