728 x 90 Leaderboard

Flet njohësi i integrimit evropian, Taulant Kryeziu: pse 5-shja e BE-së që s’ka njohur Kosovën s’pengon dot heqjen e vizave

Ndërsa politikanët kosovarë premtojnë se vizat do heqen pas ratifikimit të Demarakcionit me Malin e Zi, duke thënë se kjo do të ndodhë deri në fund të vitit, president i Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit në Prishtinë nuk dha një datë, por vetëm kërkojë përmbushjen e kritereve të mbetura.

Taulant Kryeziu, njohës i integrimit evropian thotë se është e kuptueshme gjuha e Brukselit pasi nuk flet për data por për kritere, ndërsa shton se tashmë topi është tek institucionet kosovare ta bëjnë punën e tyre, dhe tek pas përmbushjes së kritereve të kërkuara mund të rritet presioni tek vendet anëtare për të dhënë dritën e gjelbër.

Kryeziu, në një intervistë për tesheshi.com tregon se cilat janë procedurat që duhet përmbushur për t’u liberalizuar vizat dhe nëse pesëshja e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën mund të jetë pengesë.

Intervistoi: Blendi Gashi

Politika kosovare po premton se pas ratifikimit të Demarkacionit do liberalizohen vizat. A pritni që kjo të ndodh sivjet?

Duhet të tregohet sinqeritet me pritjet e qytetarëve dhe obligimet që Kosova ka pranuar t’i marrë në mënyrë të vullnetshme nga institucionet e BE-së. Kosova ka edhe dy kritere të pa përmbushura që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave të cilin e ka pranuar nga Komisioni Evropian, në qershor të vitit 2012: njëri, shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi, dhe tjetri, edhe më sfidues, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Secili kriter duhet shikuar ndaras njëri nga tjetri. Së pari të reflektojmë në kriterin e shënjimit të vijës kufitare dhe pastaj duhet të tregohet përkushtim i vazhdueshëm në adresimin e kriterit tjetër që do të na përcjell deri në anëtarësimin tonë në BE, që është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sundimi i ligjit është një nga vlerat themelore mbi të cilat është themeluar BE-ja.

Ruajtja e një qëllimi të tillë si sundimi i ligjit, është ajo që Bashkimi Evropian e ka bërë që nga fillimi i tij e deri tek kapitujt e fundit të zgjerimit. Sundimi i ligjit mbetet top prioritet për BE-në dhe është në zemër të procesit të aderimit, si një nga shtyllat kryesore të kritereve politike të Kopenhagës.

Sa i përket afateve kohore nëse shikojmë rastin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, nga momenti që këto dy vende kane marr mandatin nga komisioni LIBE (të drejta civile, drejtësi, punë të brendshme) e deri tek lëvizja e lirë ka zgjatur 6 muaj për Gjeorgjinë dhe 9 muaj për Ukrainën, por po flasim gjithmonë nën presupozimin që kemi përmbushur të dy kriteret e mbetura.

President i Komisionit Evropian gjatë qëndrimit në Prishtinë nuk dha një datë se kur mund të hiqen vizat. Si e shihni këtë heshtje?

Presidenti i Komisionit Evropian z.Juncker, gjatë vizitës në Kosovë ritheksoj prerazi që kriteri i shënijimit të vijës kufitare është kusht i pashmangshëm dhe shumë i rëndësishëm, po ashtu vuri theks të veçantë tek luftimi korrupsionit. Në maj të vitit 2016, KE-ja kishte konfirmuar që Kosova do të konsiderohet se ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi, nën supozimin që në kohën kur të miratohet propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova të ketë ratifikuar vijën kufitare me Malin e Zi dhe të ketë fuqizuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Prandaj duhet kuptuar qartë se gjuha e Brukselit është e tillë që nuk përmenden data të sakta por flitet për kritere. Vlen të theksohet se topi është ende në fushën tonë, kemi edhe dy kritere të papërmbushura, dhe tek pas përmbushjes së tyre mund të rrisim presionin tek vendet anëtare për të dhënë dritën e gjelbër.

Ai si kusht përmendi edhe luftën anti-korrupsion. A është ky një sinjal se pa u bërë hapa të mëdha në këtë drejtim vizat nuk do hiqen?

Fakti që presidenti Juncker ka përmendur edhe luftën kundër korrupsionit nuk është për tu befasuar. Raporti i muajit maj të 2016-ës qartazi thekson se janë dy kritere të mbetura: demarkacioni i kufirit dhe vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Prandaj konsideroj që institucionet tona duhet të informojnë dhe të bindin institucionet e BE-së përkatesisht vendet anëtare se është shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Natyrisht duhet thënë se ky është një kriter i cili asnjëherë nuk mund të themi se është përmbushur, por duhet vazhduar përpjekjet e institucioneve për të shënuar progres në këtë drejtim. Kjo në fund fare s’bëhet për qëllim të liberalizimit të vizave, por përbënë një interes vital për avancimin e shtetit tonë.

Cilat janë procedurat për t’u liberalizuar vizat?

Sa i përket procedurës së vendimmarrjes në procesin e Liberalizmit të vizave, rregullorja e  Këshillit 539/2001,  kërkon bashkëpunimin e tre institucioneve të BE-së:

1.Komisionit Evropian

  1. Parlamentit Evropian dhe
  2. Këshilli BE-se.

Komisioni Evropian është i vetmi institucion që ka të drejtë të propozojë amendamente në Rregulloren e Këshillit 539/2001.  Traktati i Lisbonës nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim. Kjo do të thotë se Komisioni është institucioni qe bene propozimin legjislativ nëse Rregullorja duhet të ndryshohet. Në rastin e udhëtimit pa viza për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, Komisioni ka lëshuar propozimin e tij më 15 korrik 2009, dhe për Shqipërinë dhe Bosnjën në 27 Maj 2010. Proceset vendimmarrëse janë përcaktuar në Traktatin e BE-së .

Sipas Traktatit të Lisbonës , neni përkatës është 77 ( 2 ) . Sipas Traktatit te vjetër , artikujt përkatëse ishin 62 (2) ( b) ( i) dhe 67 (3). Shih versionet e konsoliduara të Traktatit për Bashkimin Europian dhe të Traktatit themelues të Komunitetit Evropian

Këshilli i BE-së, (ku të gjitha 28 shtetet anëtare të BE-së janë të përfaqësuara), duhet të miratojë amendamentin e propozuar. Para hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Këshilli ka qene organi i vetëm që miratonte amendamentin e propozuar, me një  votim me shumicë të cilësuar.

Për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, ai e bëri këtë më 30 nëntor 2009.

Tani, nën Traktatin e Lisbonës, Këshilli ndan fuqinë e saj legjislative në mënyrë të barabartë me Parlamentin Evropian (dhe vazhdon të votojnë me shumicë të cilësuar).

Me Traktatin e Lisbonës, që të miratohet vendimi nga Këshilli me shumicë të kualifikuar, apo ajo qe quhet metodë me shumicë të dyfishtë, kërkon aprovimin e 55% të vendeve anëtare (16 vende),72%  nëse vendimi nuk është propozuar nga Komisioni, dhe që përfaqëson të paktën 65% të popullsisë së BE-së (nga 505 milion duhet të jenë të përfaqësuar 328 milion). Po ashtu për të ndaluar mundësinë që shtetet e mëdha të stopojnë propozime, është futur edhe mundësia e pakicës bllokuese që kërkon 4 shtete që përfaqësojnë 35% të popullsisë së BE-së.

Deri më 31 mars 2017, çdo shtet në Këshill mund të kërkonte  që në çfarëdo rasti të përdoret sistemi i vjetër i votimit që ka qenë i përcaktuar në traktatin e Nices.

Parlamenti Evropian tani është bashkë-vendimmarrës në pozitë të barabartë me Këshillin. Më parë, Parlamenti kishte vetëm fuqi konsultative  para se Këshilli të votonte, por Këshilli nuk ishte i detyruar nga opinioni e Parlamentit. Tani procedura e vendimmarrjes quhet “procedura e zakonshme legjislative”. Kjo do të thotë se propozimi legjislativ shkon përmes një ose dy leximeve. Në qoftë se dy trupa nuk mund të bien dakord edhe pas dy leximeve, ajo shkon ne komision të pajtimit, i cili përpiqet të hapë rrugën për miratim.

Nga 751 deputetë në Parlamentin Evropian nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, është kështu: Greqia (21), Spanja(54), Qipro (6), Sllovakia (13), Rumania (32)=126 nga 751, qe i bie se edhe nëse pesë vendet mosnjohëse janë kundër, nuk mund të bllokohet vendimmarrja as ne PE.

A është pengesë për Kosovën mos-njohja nga 5-sëshja e BE-së apo jo?

Sa i përket procedurës vendimmarrës për liberalizim të vizave, vendet jo njohëse nuk mund të jenë pengesë as në Këshill  dhe as në Parlament. Së pari në Këshill siç e elaboruam më lartë kërkohet shumica e kualifikuar që i bie aprovim i 55% të vendeve anëtare (16 vende),72% nëse vendimi nuk është propozuar nga Komisioni, dhe që përfaqëson të paktën 65% të popullsisë së BE-së ( nga 505 milion duhet të jenë të përfaqësuar 328 milion). Në rastin tonë, vendet jo njohëse nuk e përbëjnë 55% të vendeve anëtare dhe nuk përfaqësojnë 65% të popullsisë.

Gjithashtu këto 5 vendet jo njohëse nuk mund të thirren as në atë që quhet mundësia e pakicës bllokuese që kërkon 4 shtete që përfaqësojnë 35% të popullsisë së BE-së, pra sa i përket vendimmarrjes për viza, vendet jo njohëse nuk mund të jenë pengesë, mirëpo një gjë duhet thuhet qartë që në rrugën tonë për integrim evropian, prej aplikimit të statusit kandidat, hapja negociatave e deri tek anëtarësimi i plotë në BE, funksionon parimi i unanimitetit në vendimmarrje tek institucionet e BE-së, dhe ne kete drejtim politika jonë e jashtme duhet të fokusohet më shumë në këto 5 vende mosnjohëse.

Ç’hapa ka bërë Kosova gjatë dhjetë viteve si shtet në rrugëtimin drejt BE-së?

Nëse shikojmë që nga viti 1999, kur ka filluar procesi i stabilizim asociimit për Ballkanin Perëndimor, e ku vendet e rajonin janë njohur si kandidat potencial për anëtarësim në BE, në rastin e Kosovës për tu jetësuar ky proces, Komisioni Evropian ka  miratuar Partneritetin Evropian për Kosovën si instrument i parë që përcakton prioritet kryesore afatshkurta dhe afatmesme për tu adresuar nga Kosova.

Bazë për dialogun në mes të BE-së dhe institucioneve kosovare mbi çështjet e integrimit evropian, gjatë viteve 2002-2009, ka qenë mekanizmi përcjellës i Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit qe është pasuar ne vitin 2009 me atë që është quajtuar Dialogu i Procesit të Stabilizim Asociimit. Deri më 2012, ne kemi pasur “raport platonik me BE-në”, të pa konkretizuar.

Arritjet më të mëdha gjatë këtyre 10 viteve të fundit konisderojë që janë: hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Ascociimit dhe trjatimi i barabartë i Kosovës në procesin e integrimit evropian, si marrëveshje e parë kontraktuale. Lansimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe me shpresë përfundimi i shpejt i tij.

Përfitimi i fondeve të BE-së, qasja në Programet e BE-së në mënyrë të barabartë sikurse vendet e tjera të rajonit. Njëkohësisht, sot Kosova është pjesë e barabartë e të gjitha proceseve politike në kuadër të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, siç është procesi i Berlinit. /tesheshi.com/

Related posts