728 x 90 Leaderboard

Flet Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit të Kosovës: ja risia e këtij viti shkollor

Bisedoi: Blendi Gashi

1 shtatori është një datë shumë e rëndësishme në kalendarin e jetës tonë, sepse kjo datë shënon një ngjarje të veçantë: fillimin e mësimit, pas një pushimi gati tre muajsh.

Me përjashtim të dhjetë shkollave, në të gjitha shkollat tjera fillore dhe të mesme të Kosovës dje nisi viti i ri shkollor 2015/2016.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka vizituar nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” në kryeqytet me ç’rast ka sqaruar se përveç në dhjetë shkolla që ende nuk ka filluar mësimi, në të gjitha shkollat tjera procesi ka filluar për së mbari.

Portali “Te Sheshi” ka tentuar gjatë ditës të realizoi një intervistë me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami, por pas disa bisedave, një nga këshilltarët e tij na ka thënë se për shkak të axhendës tejet të ngarkuar ministri sot nuk ka kohë të jap intervistë.azem guri

Për të informuar lexuesit tanë për fillimin e vitit të ri shkollor, portali ynë ka realizuar një bisedë me Azem Gurin, këshilltarin politik të ministrit Bajrami. Këshilltari Guri, na ka treguar për problemet që janë paraqitur në këtë fillim vit, numrin e nxënësve të rinj dhe për avancimin e cilësisë në arsim.

Ka nisur viti i ri shkollor. A ka ndonjë shkollë që nuk ka nisur mësimin? Në po, sa është numri i tyre dhe kur pritet të nisin ato mësimin?

Ka filluar viti i ri shkollor në të gjitha shkollat fillore, të mesme të ulta dhe të larta, me përjashtim të 10 shkollave për shkak të renovimeve të cilat nuk kanë mund të kryhen deri më sot. Këto renovime të objekteve shkollore po bëhen nga komunat, prandaj këtu ministria nuk ka qasje. Këto shkolla presim të fillojnë mësimin disa gjatë kësaj jave e disa javën tjeter. Ditët e humbura do të kompenzohen.

Sa nxënës për herë të parë këtë vit kanë nisur mësimin?

Numri i nxënësve në arsimin parauniversitar është gjithësej 390.000, prej tyure 28.000 janë  në klasën e parë.

Një prej problemeve që çdo vit paraqitet është largimi i mësuesve nga vendet  e tyre të punës, edhe pse janë të diplomuar dhe punësohen persona me kualifikime joadekuate për të dhënë mësim. A jeni në dijeni për probleme të tilla?

Sa i përket largimit të mësuesve nga vendet e punës më duhet t`ju theksoj se kjo është kompetencë ekskluzive e Komunave, pra punëdhënës është Drejtoria Komunale e Arsimit, por Udhëzimet administrative, pra për zgjedhjen e kuadrit arsimor i ka nxjerrë Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.  Prandaj ne jemi të përkushtuar që Udhëzimet Administrative dhe legjislacionit në fuqi të zbatohen me përpikëri, këtë do ta bëjmë përmes Inspektoratit të arsimit.

A janë pajisur të gjitha shkollat me dollapë për libra, në mënyrë që nxënësit ta kenë çantën shkollore më të lehtë, apo duhet sërish vogëlushët të mbajnë mbi supet e tyre 4-6 kilogramë?

Drejtoritë Komunale të Arsimit përkatësisht, shkollat, do të kenë Udhëzimin  Administrativ që përcakton rregullimin e rafteve përkatësisht vitrinave në shkolla.

Me moton ‘Të krijojmë shkolla cilësore’, ka nisur viti i ri akademik. Sa kohë duhet dhe çfarë është duke punuar që kjo moto të shndërrohet në realitet?

Viti shkollor 2015/16, nga ministri Arsim Bajrami është shpallur vit i avancimit të cilësisë në arsim; për këtë në bashkëpunim me parnerët tanë është përgatitur dokumenti strategjik “Sigurimi i cilësisë në arsim”.

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, e ka filluar sot vitin e ri shkollorë me grevë. A jeni në dijeni për këtë dhe a keni zhvilluar biseda me drejtuesit e shkollës?

Jemi në dijeni për mungesën e hapsirës shkollore në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. Komuna e Prishtinës është duke u munduar për të bërë zgjidhje.

Dhe për fund, cila është porosia e MASHT-it për nxënësit dhe mësimdhënësit?

Të gjithë nxënësve, prindërve dhe personelit arsimor urime fillimi i vitit të ri shkollor 2015/16, qoftë një vit i mbarë. Së bashku do t`ja dalim!

/tesheshi.com/

 

Related posts